Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministri Haxhinasto në Konferencën Kombëtare të Punës “Për barrierat e biznesit”

Është kënaqësi të marrë pjesë në këtë konferencë kombëtare të punës, që i dedikohet barrierave të biznesit dhe rrugëve për eleminimin e tyre. Me këtë rast dëshiroj të falenderoj organizatorët e kësaj konference si BiznesAlbania, KASH dhe Organizatën Ndërkombëtare të Punës, ILO për suportin e dhënë ndaj organizatave të biznesit, në ndërmarrjen e një studimi rajonal “Identifikimi i problemeve dhe barrierave të biznesit”. Unë besoj se gjetjet e këtij studimi do të na vihen në dispozicion dhe ju garantoj sot se do të punojmë në partneritet për eleminimin e këtyre barrierave.
Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,
Shqipëria, tashmë një realitet në ndryshim të vazhdueshëm dhe me dinamikë të lartë.
Reformat e ndërmarra në drejtim të nxitjes së biznesit, forcimi i zbatueshmërisë së ligjit, përmirësimi i infrastrukturës dhe orientimi drejt investimeve prodhuese të biznesit vendas, përbëjnë një bazë të sigurt për kapitalin dhe potencialet zhvilluese për çdo investitor qoftë vendas apo i huaj.
Jemi në rrugë të mbarë, por objektivat dhe synimet tona janë për shumë më tepër, veçanërisht drejt rritjes së prodhimit vendas, tërheqjes më të madhe të Investimeve të Huaja Direkte, rritjes së konkurueshmërisë së produkteve shqiptare dhe rritjes së eksporteve, rritjes ekonomike në përgjithësi, dhe ngushtësisht lidhur me të, por edhe si objektiv madhor në vetvete, rritjes së punësimit.
Arritja e këtyre objektivave kërkon edhe një bashkërendim më të mirë të gjithë politikave dhe veprimit të institucioneve të nderuara që ndodhen sot në këtë konferencë. Prandaj, ritheksoj se sot ne fillojmë një partneritet të ri në funksion të arritjes së këtyre objektivave.
Të nderuar zotërinj,
Gjatë tre viteve të fundit 2009-2011, ekonomia shqiptare ka ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe ka njohur rritje që mesatarisht për çdo vit vlerësohet në 3.4 % të PBB-së, inflacioni u mbajt në kufijtë e targetuar, ndërsa niveli i papunësisë ka treguar rënie. Eksporti i mallrave ka vazhduar të ndjekë trendin e tij rritës dhe në vitin 2011, duke qenë 23% më të larta se një vit më pare.
Sipas raportit të UNCTAD për gjendjen e Investimeve të Huaja Direkte në rrafshin global, Shqipëria ishte ndër të paktat vende të botës që ka njohur rritje të IHD; ajo kapërceu për herë të parë nivelin e më shumë se 1 miliardë USD Investime të Huaja Direkte. Në të njëjtin raport, Shqipëria renditet e 18-ta në botë për “Performancën e IHD-ve”.
Puna e qeverisë ka konstatuar në krijimin e një barazpeshe ndërmjet politikave rregullatore e të liberalizimit të tregut dhe ndërhyrjes së shtetit në treg, racionalizimit të procedurave të regjistrimit të biznesit, zgjidhjes së problemeve të tokës dhe e ndërtimit, përmirësimit te procedurave të ankimimit administrativ dhe uljes së ekonomisë informale.
Synimi ynë është të realizojmë një pakete të plotë të politikave dhe mundësive konkrete për incentivimin e investitorëve të huaj e të vendit, për ta bërë Shqipërinë, tregun më atraktiv të rajonit. Për këtë, angazhimi i organizatave tuaja është garanci për sukses.
Ne jemi në proces të zbatimit të Reformës Rregullatore, që orientohet në objektiva afat-gjatë, të cilat synojnë krijimin e një mjedisi transparent, të parashikueshëm, miqësor si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së kuadrit rregullator për biznesin.
Një sërë reformash për reduktimin e barrierave administrative në biznes dhanë rezultatet e tyre si Regjistrimi i biznesit brenda një dite pranë QKR-së, reduktimi i kohës dhe kostos për hapjen e një biznesi të ri.
Në bashkëpunim me Bankën Botërore po zbaton dy objektiva të rëndësishëm: Vlerësimin e Impaktit Rregullator-RIA, si dhe Reformën në Sistemin e Inspektimit.
Qeveria Shqiptare po punon intensivisht për të krijuar premisat për të rritur kreditimin e biznesit. Duke patur edhe mbështetjen e donatorëve, qeveria synon rritjen e mbështetjes financiare për biznesin. Një partner i rëndësishëm është AIDA, e cila menaxhon disbursimin e fondeve të Konkurueshmërisë, të Inovacionit, të garantimit të eksporteve etj, që do të pasojnë edhe me fonde të tjera siç është ai për artizanatin etj, që kanë synim mbështetjen e kapaciteteve produktive të biznesit dhe nxitjen e punësimit.
Rritja e aftësisë konkuruese të ekonomisë së vendit vjen si rezultat i rritjes së kapaciteteve absorbuese të sektorit të industrisë, nëpërmjet zhvillimit të kapaciteteve teknologjike, zhvillimit të produktit dhe rritjes së vlerës së shtuar, zhvillimi dhe mbështetja e inovacionit të biznesit, përbën një ndër objektivat strategjike të qeverisë në vitet që vijnë.
Reformat fiskale të ndërmarra gjatë këtyre viteve të fundit, kanë bërë që sistemi tatimor në Shqipëri të jetë më lehtësues dhe nxitës për zhvillimin e biznesit krahasuar me vendet e rajonit. Reforma në administratën tatimore dhe doganore, reforma në lejet e trojeve dhe ndërtimeve, reforma në sistemin e ankimimit administrativë u konkretizua me miratimin e ligjit për ngritjen e Gjykatës Administrative, sistemi i kontrollit dhe qeverisja elektronike përbejnë masa të rëndësishme, të cilat po kontribuojnë në lehtësimin e të bërit biznes në Shqipëri.
Sot është akoma domosdoshmëri thellimi dhe përmirësimi i kuadrit ligjor dhe nënligjor në drejtim të disa indikatorëve të rëndësishëm që ndikojnë në përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe reduktimin e kostos së të bërit biznes, siç janë reduktimi i ditëve për procedurat për fillimin e një biznesi; marrjen e një leje ndërtimi; regjistrimin e pronësisë etj, plot 10 masa që do të zbatohen në një periudhë afatshkurtër nga qeveria që do të shoqërohen me përmirësimin e masave legjislative dhe administrative.
Duke vlerësuar mjaft pozitivisht organizimin e kësaj konference, shpreh bindjen time se rezultatet dhe rekomandimet që do të ofrohen do të shërbejnë si një vlerë e shtuar edhe për strukturat politikbërëse në Shqipëri, për ti kthyer ato në programe për veprim.
Mbetemi të angazhuar për të bashkëpunuar me këtë projekt rajonal të ILO-s që do t’i shërbejë reduktimit të vazhdueshëm të barrierave dhe uljes së kostove të të bërit biznes në Shqipëri, me qëllim final zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe punësimin e plotë të shqiptarëve.

energjia.al, 09.07.2012