Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Hidrocentrali i Ashtës, një investim 200 milion euro, nisi testimin e prodhimit të energjisë

Kryeministri Berisha inspektoi sot, hidrocentralin e Ashtës, një ndër veprat më të madhe të energjisë hidrike që po ndërtohet në zonën e Bushatit në Shkodër dhe asistoi në vënien për herë të parë, në punë, të turbinave Hydromatrix® të HEC-it Ashta 1. Në këtë mënyrë, kjo vepër energjetike, një investim prej më shumë se 200 milionë euro i dy kompanive të njohura austriake në fushën e energjisë hidrike, VERBUND dhe EVN, nisi testimin e prodhimit të energjisë.
Kryeministri Berisha u takua me drejtues të dy kompanive dhe përgëzoi ata, që vetëm 27 muaj nga nënshkrimi i kontratës koncesionare, arritën t’i lidhin turbinat e para dhe të gjenerojnë energji në rrjetin shqiptar të energjisë. Në bazë të planit të punës, HEC-i Ashtës, i përbërë nga stacioni elektrik Ashta 1 dhe Ashta 2, me kapacitet të instaluar prej 53 MW, duke filluar nga viti 2013 do të prodhojë 240 milion kWh energji elektrike, duke furnizuar me energji njëqindmijë familje.
Kryeministri inspektoi të gjithë veprën dhe asistoi në nisjen nga puna të turbinave. Ai e vlerësuar këtë një moment të rëndësishëm për sistemin energjetik shqiptar, por njëherësh edhe një vlerë më shumë në përpjekjet e qeverisë “për të përdorur të gjitha burimet natyrore në funksion të prodhimit të energjisë së rinovueshme” dhe “zhvillimit të qëndrueshëm”.
Për arritjen e këtij qëllimi, shfrytëzimi i burimeve ujore të vendit, në vlerësimin e Kryeministrit, mbetet ndër drejtimet kryesore dhe deri tani janë ndërtuar e rindërtuar 46 HEC-e dhe 100 të tjerë janë në ndërtim, me një vlerë totale prej 2.5 miliardë euro. Kryeministri theksoi se ka një veprimtarie të ethshme në këtë fushë, e cika ka tre qëllime kryesore: prodhimin e energjisë me çmime të leverdishme; krijimin e dhjetëra mijëra vendeve të reja të punës në procesin e ndërtimit të tyre;  ndikimi direkt në balancën e pagesave, raportet e eksport-importit.
Me rëndësi të veçantë, Kryeministri vlerësoi aplikimin e teknologjisë më të avancuar të prodhimit të energjisë, me përdorimin e turbinave tubolare Hydromatrix®, çka e bën hidrocentralin e Ashtës të jetë “një risi në rrafshin mjedisor”. Në sajë të kësaj teknologjie, bëhet e mundur të kursehet prodhimi i 114 mijë tonë dioksid karboni.
Fjala e Kryeministrit Berisha në takimin me drejtues dhe punonjës në ndërtimin e HEC-it të Ashtës:
“Së pari dëshiroj që në emër të qeverisë shqiptare t’ju shpreh falenderimet më të përzemërta për punën e shkëlqyer që keni bërë. Në 27 muaj, sipas një agjende të zbatuar në mënyrën më serioze, kompania juaj ia doli të vendosë turbinat e para, të prodhojë energji dhe ta kalojë atë në rrjetin kombëtar energjetik. Kjo është një arritje e madhe për ju, por kjo është një arritje e madhe për të gjithë Shqipërinë, sistemin e saj energjetik dhe përpjekjet për të përdorur të gjitha burimet natyrore në funksion të prodhimit të energjisë.
Zonja e zotërinj,
Hidrocentrali Ashta përbën një risi botërore, pasi është hidrocentrali më i madh që bazohet në teknologjinë më të avancuar të prodhimit të energjisë, siç është teknologjia e turbinave tubolare. Por ky hidrocentral përbën edhe një kryevepër në rrafshin mjedisor. Ai jo vetëm që nuk ka cenuar mjedisin, por mjedisorëve më duhet t’u them se ai e ka përmirësuar ndjeshëm atë, pasi me kanalin e hapur, peshqit do të mund të ngjiten nga deti, në ujërat e ëmbla të këtij kanali. Për shqiptarët në tërësi dhe mjedisorët në veçanti, ndërtimi në këto parametra i hidrocentralit të Ashtës është një kontribut i madh për mjedisin e tyre, pasi teknologjia e gjithçka tjetër kanë bërë të mundur të kursehet prodhimi i 114 mijë tonë dioksid karboni.
Hidrocentrali Ashta është një investim i madh në Shqipëri, që arrin në 200 milionë euro. Ai është një kontribut i madh në zhvillimin e sistemit energjetik shqiptar dhe në projektin e qeverisë shqiptare për ta shndërruar Shqipërinë në një superfuqi të vogël rajonale të energjisë së rinovueshme. Ju jeni dëshmitarë të një veprimtarie të ethshme në këtë fushë, e cika ka tre qëllime kryesore:
Së pari, prodhimin e një energjie me çmime të leverdishme për qytetarët shqiptarë, duke shndërruar në vlerë energjetike ujërat e vendit, të cilat derdhen të fjetura në det. Energjia përbën një problem madhor në mbarë botën. Çmimet e saj janë dhe vazhdojnë të rriten në mënyrë të pandërprerë. Ne besojmë se mënyra më e leverdishme për qytetarët shqiptarë, për të parandaluar një rritje të tillë jo vetëm për ne, por edhe për brezat që vijnë është që ta prodhojmë atë kryesisht nga uji dhe burime të tjera të rinovueshme.
Së dyti, në procesin e ndërtimit të këtyre hidrocentraleve punësohen dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë.
Së treti, ndërtimi i tyre ka një efekt direkt në balancën e pagesave, raportet e eksport-import, shumë të rëndësishme këto për zhvillimin ekonomik.
Zonja e zotërinj,
Nga viti 2007 e gjer më sot janë ndërtuar apo rindërtuar 46 hidrocentrale, janë në ndërtim e sipër mbi 100 të tjera, me një kapacitet prej 1400 megavat, investim rreth 2.5 miliardë euro dhe punësim 15-20 mijë punëtorë direkt dhe indirekt.
Kaskada të tjera të lumenjve tanë të vegjël e të mëdhenj presin për të dalë në treg. Interesi për to është shumë i madh. Qeveria ka krijuar një mjedis miqësor e besimi të madh tek investitorët më seriozë të Europës e botës, në fushën e hidroenergjisë. Ne mbetemi të vendosur të bëjmë gjithçka, për të lehtësuar kompanitë, të cilat do të investojnë në ndërtimin e hidrocentraleve në Shqipëri. Ne mbetemi të vendosur të aplikojmë standardet më liberale, në mënyrë që ato të kenë garancitë maksimale të tregut, në projektet e tyre.
Ne besojmë se në këtë periudhë krize të rëndë, përreth nesh e më gjerë, rruga më e sigurt për t’u mbrojtur prej saj qëndron në nxitjen, inkurajimin dhe lehtësimin e investimeve të huaja, biznesit në tërësi. Ne qëndrojmë të vendosur të ndërmarrim  hapa të tjerë shumë të rëndësishëm, sepse në këtë mënyrë, ne do të krijojmë shumë vende të reja pune, do të rrisim të ardhurat për familjet shqiptare, do të rrisim prodhimin në ekonominë shqiptare, do të ecim të sigurt më rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm. Një zhvillim që nuk do të komprometojë të ardhmen e brezave që vijnë.
Edhe një herë dëshiroj t’ju falenderoj shumë, ju, drejtuesve të Verbund e EVN, për këtë punë të shkëlqyer që keni bërë në një kohë rekord, duke dëshmuar seriozitetin, kompetencën, përkushtimin tuaj të madh, por edhe respektin e palëkundur ndaj vendit dhe kombit tim.”

energjia.al, 15.06.2012