Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministri Naço inaguron dy HEC-e me fuqi 7 MW me vlere 7 milion euro

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, z.Nasip Naço, inaguroi dje dy hidrocentrale të reja në vend. Me fuqi rreth 7 megavat, “Faqekuq I” dhe “Faqekuq II”, janë ndërtuar në rrethin e Skraparit, mbi një nga degëzimet e lumit Osum, nën malin e Ostrovicës.
Investimi prej rreth 7 milionë eurosh, është kryer nga shoqëria “Ostrovica Energy”, një bashkëpunim shqiptaro grek. Vëllëzërit Bujar dhe Sali Çeta, investitorët shqiptarë, si dhe investitorët grekë Manolis Mavrojanaqis e Jorgo Xhinieris, i kanë ndërtuar dy HEC-et në kohë rekord, sipas ekspertëve të energjetikës, në gati dy vjet.
Në fjalën e tij hapëse, pas prerjes së shirtit të inagurimit nga ana e Ministrit të METE, kryetari i komunës së Leshnjes, Ilirian Hodo, ka theksuar impaktin e ndërtimit të këtyre dy veprave në këtë zonë; punësimin gjatë periudhës së ndërtimit të mbi 400 njerëzve, shtrimin e rrugës, si dhe ndërtimin e një sistemi vaditës.
Investitori shqiptar, Bujar Çeta, ka shpjeguar rrjedhën e projektit, anët teknike të tij, si dhe investimet e kryera. Sipas tij, këto vepra janë parashikuar të prodhojnë më shumë se 30 milionë kilovat orë energji, e futur në sistemin unik të rrjetit kombëtar të energjisë.
Investitori grek, Jorgo Xhinieris, ka falënderuar në fjalën e tij Shqipërinë dhe legjislacionin shqiptar, që u ka dhënë mundësinë e investimeve në të tilla vepra jetëgjata dhe me mundësi të mira fitimi.
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, z. Nasip Naço, në fjalën e tij përshëndetëse, ka falënderuar investitorët shqiptaro-grekë, për punë e kryer në kohë rekord, si dhe për impaktin pozitiv të sjellë në këtë zonë, por edhe për kompleksin energjetik shqiptar. “Nuk janë vetëm këto dy HEC-e për zonën e Skraparit. Vepra të tilla do të ketë edhe Vluish, Ujanik e Malind”, ka theksuar Naço. Sipas ministrit të METE, investime gjigande prej mëse 450 milionë eurosh po përgatiten të fillojnë në kaskadën e Osumit me katër HEC-e të mëdhenj, ndërkohë që gjatë këtij viti do të inagurohen edhe rreth 14 HEC-e të tjerë në gjithë Shqipërinë që do të ndjekin rrjedhën e “Faqekuq I” dhe “Faqekuq II”.
Naço ka riktheksuar edhe njëherë vendosmërinë e qeverisë shqiptare në përmirësimin e vazhdueshëm të legjislacionit, me qëllim arrdhjen në ndihmë të të gjitha investitorëve, shqiptarë apo të huaj, në ndërtimin e veprave të tilla, për ta kthyer Shqipërinë, jo vetëm në prodhuese të energjesë, por edhe në eksportuese kryesore në Ballkan, apo më gjerë.
Pas ceremonisë inaguruese, Naço së bashku me të pranishmit e tjerë, kanë vizituar ambientet e brendshme të dy hidrocentraleve, duke ndezur simbolikisht edhe çelësin që vë në punë hidrocentralet.

energjia.al, 14.05.2012