Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qeveria fut në borxhe edhe karburantet!

Detyrimet, 25 milionë euro. Shoqata: Ne dhe ndërtuesit, në zinxhir të rrezikshëm.
Rritja e çmimit të naftës me të paktën 25 për qind, padyshim ka futur në siklete administratën e shtetit, e cila ka tkurrur disi lëvizjet e transportit në sektorët e rendit, arsimit dhe shëndetësisë. Në vështirësi janë edhe zyrtarët e lartë, të cilët bëjnë manovra dhe sajesa të ndryshme për të përfituar dy tollonë më shumë. Gjithsesi, nevoja për karburant për nevojat e funksionimit të shtetit ka vendosur në situatë të vështirë vetë tregtarët e karburanteve, si shumicën ashtu dhe pakicën.
Qeveria po blen naftën me çmimin më të shtrenjtë se vitin e kaluar dhe për të mos krijuar boshllëqe në funksionimin e shtetit, merr karburant veresi, me premtimin se lekët do t’i kthejë shumë shpejt.
“Jemi korrektë me furnizimet, por qeveria na vonon 3-4 muaj në pagesat e detyrimeve. E kuptojmë që arka e shtetit është në vështirësi, por shumë prej kompanive tona tashmë janë duke prekur overdraftet për të pasur gjendje në dispozicion”, thotë Shoqata e Hidrokarbureve për gazetën “Shqip”. Të dhënat operative flasin për një detyrim që shkon deri në 25 milionë euro, por kjo përfshin vetëm disa kompani që kanë deklaruar shifrat në data-baze-n e shoqatës.
Por problemi nuk është vetëm ky, madje fenomeni i borxheve të qeverisë nuk është gjë përpara asaj çfarë po hasin kompanitë e hidrokarbureve në vend.
“Edhe ndërtuesit janë të zhytur në borxhe, të gjithë si sektorë dhe natyrshëm, për furnizimet që bëjmë nuk na shlyejnë detyrimet. Kemi hyrë në një zinxhir të rrezikshëm borxhesh, ku gjithkush i ka gjithkujt, dhe po merren para me fajde për të dalë nga gropa e thellë”, tregojnë anëtarë të shoqatës.
Ndërtuesit ankohen se shteti u ka afro 70 milionë euro borxhe dhe se po marrin kredi në banka për të dalë nga situata e rrezikshme. Edhe tregtarët e karburanteve ankohen, për shkak se konsumi i brendshëm ka rënë me 15 për qind, për rrjedhojë të dy sektorët rrezikojnë të infektojnë të tjera industri.
Karburantet në vend prej tre vitesh po operojnë në kushte të vështira. Një prej kompanive të njohura në treg deklaroi tërheqjen dhe tre të tjera po bëjnë gati “valixhet”. Sakaq, në pikat e shitjes me pakicës vërehet tendenca e mbylljes së aktiviteteve dhe dominimi i pak firmave, të konsoliduara prej vitesh.
Nisur nga të dhënat që raporton përmes tenderëve Agjencia e Prokurimit Publik, në vitin 2011, administrata shtetërore mund të ketë shpenzuar afro 400 mijë litra karburant. Buxheti i shtetit ka harxhuar rreth 1.5 miliardë lekë gjatë vitit të shkuar për të blerë karburant për të gjitha institucionet shtetërore. Këto janë shifra të përafërta, pa llogaritur ndërmarrjet shtetërore, si KESH, apo OST, të cilat arrijnë në dhjetëra mijëra tonë naftë.

Gazeta Shqip, 13.05.2012