Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ujësjellës-Kanalizime zyrtarizon privatizimin e Hidrocentralit Lanabregas per … 15 milion euro. Hapet rruga per 4 te tjeret!!!

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Nasip Naço, firmosi sot kontratën me Ujësjellës Kanalizime SH.A, për shitjen e Hidrocentralit Lanabregas me një kapacitet të instaluar prej 5 MW dhe një prodhim vjetor prej rreth 37 mijë MWh. Gjatë fjalës së tij Ministri i METE, theksoi rëndësinë që ky HEC do të ketë në shërbim të komunitetit dhe qytetarëve të Tiranës.
“Ka mëse një vit që METE ka përgatitur të gjitha procedurat ligjore krahas privatizimit dhe shitjes së HEC-eve të tjera si Ulëza, Shkopeti, Bistrica 1, Bistrica 2, garë e cila do të hapet në datat 4 – 6 qershor. Ky HEC do të përdoret për shërbime publike më të gjera nga shoqëria “Ujësjellës Kanalizime Tiranë”, shoqëri e cila është përcaktuar si sektor i rëndësisë së veçantë”- u shpreh ministri z. Naço.
Edhe Drejtori i UKT, z. Sahit Dollapi shprehu kënaqësinë e tij për nisjen e kësaj marrëveshjeje, pasi siç u shpreh ai kjo marrëveshje ka një efekt ekonomik shumë pozitiv.
“Është e vetmja kompani në Shqipëri dhe e para që realizon një blerje të tillë e cila do të jetë në varësi të saj dhe do të ndihmojë për plotësimin e nevojave në energji elektrike në të gjitha burimet dhe stacionet e pompimit, impiantin e Bovillës dhe aty ku ne e përdorim energjinë elektrike”- u shpreh më tej Drejtori i UKT.
Z. Dollapi sqaroi se brenda afatit 5 vjeçar, gjithë sasia e energjisë elektrike dhe shpenzimet për energjinë elektrike nuk do përfshihen më në koston për llogaritjen e çmimit të shitjes me shumicë dhe me pakicë tek qytetarët e Tiranës, që do të thotë se ka dhe një efekt social pozitiv ndaj konsumatorëve, ndihmon kompaninë që të punojë për realizimin e objektivit të saj për furnizimin 24 orë me ujë.
Hidrocentrali Lanabregas ka bërë remont total, duke parë gjendjen teknike dhe perspektivën e mundësinë për fuqizimin e rritjen e fuqisë instaluese e të prodhimit, si dhe të drejtën ekskluzive të shfrytëzimit të këtij burimi ujor e të rezervuarit të HEC Lanabregas, gjatë negocimit të kontratës ndërmjet palëve u ra dakord që çmimi i shitjes së 100% të aksioneve të kësaj shoqërie të jetë 15 milion Euro. Hidrocentrali Lanabregas operon si shoqëri më vete duke patur 100% aksionet e shtetit dhe me objekt prodhimin e energjisë elektrike me pronar të vetëm Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

energjia.al, 08.05.2012