Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

“Lista C”, qeveria fsheh shitjen e vendburimeve të reja

Ministri i Ekonomisë Nasip Naço, zbardhi vetëm majën e ajsbergut të asaj ç’ka është duke ndodhur vërtetë me shitjen e “Albpetrolit” nga qeveria duke iu përgjigjur insistimit të medias se “lista C” përfshinte zonën midis Tiranës dhe Durrësit, Velçën dhe Panajanë. Naço nuk tha plotësisht të vërtetën, vetëm një pjesë të saj. Zonat e përmendura nga ministri është vetëm një pjesë përbërëse e vendburimeve që qeveria vendosi t’ia kalojë pronarit të ri që do të blejë “Albeptrolin”.
Mazhoranca futi me nxitim një amendament gjatë diskutimit në seancë plenare të ligjit për shitjen e “Albpetrolit”, i cili kishte të bënte me shtimin e një zone të re në inventarin e kompanisë shtetërore të naftës, i padiskutuar më parë. Bëhej fjalë pikërisht për “listën C”. Opozita kundërshtoi këtë veprim duke kërkuar më shumë shpjegim në lidhje me përbërjen e saj por mjaftuan 71 votat e mazhorancës për të miratuar ligjin.
Për disa javë me radhë, “lista C” dhe zonat që e përbëjnë atë u bënë enigma për t’u zgjidhur. Në një konferencë të improvizuar shtypi, një ditë pas miratimit të ligjit, në përpjpjekje për të hedhur dritë mbi këtë listë, Naço deklaroi se bëhej fjalë për zonën midis Tiranës dhe Durrësit.
Ne kemi kontaktuar me një ndër ekspertët më të mirë të gjeologjisë që ka sot Shqipëria, i cili pranoi të flasë në lidhje me atë ç’ka po ndodh me shitjen e “Albpetrol” duke përfshirë edhe historinë e listës së famshme “C” me kushtin e ruajtjes së anonimatit. Sipas të dhënave të marra, “lista C” dhe “Blloku C” i deklaruar nga qeveria nuk janë e njëjta gjë. Në fakt, “Blloku C” është një pjesë tepër e vogël krahasuar me vendburimet që përfshin lista “C”. “Ka një keqkuptim këtu dhe unë nuk di nëse është bërë nga padituria e atyre që e hodhën fillimisht në publik apo për ndonjë arsye tjetër. Ajo për të cilën po më pyet ti mua, pra zona pranë Durrësit, është “Blloku C”. “Lista C” ndërkohë, përfshin të gjithë vendburimet perspektive”, – shpjegon ai.
Por çfarë janë burimet perspektive dhe cilat zona ka të përfshira qeveria tek lista C? Nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore thonë se nuk kanë informacion në lidhje me këtë të fundit. “Qëndrimi im zyrtar është se nuk kam asnjë informacion në lidhje me listën C”, -shpjegon nëpërmjet telefonit Drejtori i AKBN-së, Besjan Pesha. Edhe kësaj radhë na vijnë në ndihme zanatçinjtë e punës. “Lista C”, është një listë me një numër të madh vendburimesh të mundshme, në të cilat gjatë kërkimeve të Albpetrolit gjatë viteve të kaluara, me teknologjinë e asaj kohe nuk është mundur të arrihet në vendburime të mira nafte apo gazi. Mosarritja e vendburimit deri në një thellësi të caktuar apo pa punime speciale nuk do të thotë që këto zonat nuk kanë pasuri. Në këtë mënyrë, ato janë futur në inventar si zona perspektive, pra që mund të shfrytëzohen në të ardhmen me një teknologji tjetër dhe me investime të tjera. Një gjë e tillë është bërë nga qeveria me qëllim rritjen e vlerës së “Albpetrol-it”, ndërsa zonat i kalojnë privatit bashkë me kompaninë për të paktën 25 vjet me të drejtë rinovimi.
Albpetrol katandiset me 800 puse
Pas privatizimeve gjatë këtyre viteve, pasuritë e “Albpetrolit” janë rrudhur dukshëm. Nga 6 000 puse që kanë qenë fillimisht në inventarin e tij sipas ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, sot kanë mbetur vetëm 800. Pjesa tjetër ose nuk funksionojnë më ose iu janë dhënë privatëve. Kështu, aktualisht janë rreth 2 600 puse të shfrytëzueshëm. Nga këta, 1 000 puse janë vënë në punë, kurse pjesa tjetër, gjendet ende të inventarin e “Albpetrolit”. Nga këto, vetëm 800 janë në gjendje pune aktualisht.
Aktualisht, kompania shtetërore e naftës ka nën administrimin e saj vendburimet e naftës në Amonicë dhe Drashovicë të Vlorës, në Zharrës dhe Kallm të Fierit si edhe në Poshnje.
Sipas burimeve zyrtare nga METE, vendburime të tjera gazi dhe nafte ndodhen në Ballaj dhe Kryevidh të Kavajës, Divjakë, Frakull, Povelçë, Panaja, Finiq. Në inventarin e “Albpetrol” gjenden edhe vendburimet e rerërave butiminoze në Kasnicë, Visovë dhe Treblovë.
Vendburimet
Inventari i varfër i “Albpetrol” krahasuar me atë të mëparshmin përdoret si argument nga qeveria për të theksuar se asetet që janë nxjerrë në shitje nga përbëjnë ndonjë vlerë të madhe. Por, ajo që i jep më shumë vlerë kompanisë janë pikërisht këto zona të reja që janë duke kaluar në inventarin e saj me qëllim zgjimin e interesit të privatëve. “Mos bëni sikur ka mbetur ndonjë gjë e madhe për t’u shitur dhe të mos ua lëmë ta shesin këta, por po bëhen marrëveshje bazuar në marrëveshjen e hidrokarbureve dhe kanë mbetur disa asete për të shitur. Privatizimi pa dhënë disa zona dështon. Madje edhe me këto pak zona që nuk janë të dalluara si zona naftëmbajtëse, nuk ka ndonjë siguri suksesi, por le ta hedhim në treg për të parë nëse ka mundësi ose jo”, – do të deklaronte në mbrëmjen e 21 marsit në seancë plenare Jemin Gjana, aktualisht Kryetar i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese në Kuvend.
Një pjesë e listës C përbëhet nga zona të tilla si: Dumrea në qarkun e Elbasanit, Panajaja dhe Velça në qarkun e Vlorës. Në Dumre, u zhvilluan kërkime gjatë fillimit të viteve ’90 nga kompania Ina Naftaplin por me teknologjinë e asaj kohe nuk u arrit asnjë vendburim. Ekspertët vlerësojnë se vendburimet në këtë zonë gjenden në thellësi të mëdha duke kërkuar kosto të mëdha operimi. Zona të tjera ndërkohë janë edhe Panajaja dhe Velça në qarkun e Vlorës. Këtu janë zonat e deklaruara por në fakt, mbeten ende shumë zona të tjera, të cilat nuk janë dhënë ende tek privatët.
U shit 450 mln dollarë naftë, asnjë cent tatim fitimi
Debati për shitjen e “Albpetrol-it” solli në vëmendjen e publikut por edhe të specialistëve të fushës edhe atë ç’ka po ndodh aktualisht me shfrytëzimin e vendburimeve ekzistuese të naftës në Shqipëri. Çështja bëhet me shqetësuese kur vetë shteti deklaron se nuk ka fuqi për të kontrolluar bilancet e kompanive koncecionare të naftës, të cilat kanë disa vjet që shfrytëzojnë pasuritë nëntokësore të vendit dhe nuk kanë paguar ende asnjë lek tatim-fitim. Të dhënat e vitit të shkuar tregojnë se kompanitë e naftës që operojnë në Shqipëri kanë shitur plot 900 mijë tonë naftë me një vlerë të përafërt prej rreth 450 milionë dollarë. Pavarësisht kësaj shume, të dhënat zyrtare tregojnë se kompanitë dalin me humbje dhe për rrjedhojë nuk janë të detyruara të paguajnë tatim-fitim. “Kjo është edhe një nga arsyet që ne do t’ia shesim këtë të drejtë, kësaj kompanie, që do të privatizojë Albpetrolin, që të kontrollojë nëse investimet janë siç deklarohet nga kompanitë apo jo”, -do të deklaronte kreu i METE-s, disa javë më parë duke pasqyruar kështu dorëzimin e shtetit përballë kompanive private që ushtrojnë veprimtari në sektorin e nxjerrjes së naftës. Nisur nga ajo ç’ka tha edhe Naço, shteti e sheh zgjidhjen edhe për verifikimin e bilanceve të këtyre kompanive, tek privati që do të blejë “Albpetrol-in”. Kompanitë që shfrytëzojnë puset shqiptare, i paguajnë shtetit vetëm rentën minerare ndërkohë që shesin milionë dollarë naftë çdo vit.
Koment nga Genc Burimi
Si i administron bota pasuritë e saj
Fatkeqësisht, shumica e vendeve të pasura me hidrokarbure janë regjime jo demokratike, dhe dikush mund të thotë që është normale që shteti i kontrollon ato. Nuk është krejt e vërtetë. Krahas vendeve të Gjirit Persik, ku shoqëritë e nxjerrjes së naftës e gazit, janë të tëra kombëtare, gjen dhe vende të botës “demokratike”, ku shteti nuk e lëshon këtë pasuri t’i shpëtojë nga duart si Meksika, Brazili, Norvegjia, pa folur për Rusinë që qëndron midis perëndimit dhe Lindjes së Mesme. Debati në parlamentin norvegjian kur ky vend zbuloi hidrokarbure në vitet 70’ ka hyrë në histori për nga polemikat e ashpra për ruajtjen e interesave kombëtare në fushën e hidrokarbureve.
Meksika ka hyrë nga ana e saj në histori si vendi i parë në botë që guxoi t’ia shkulë nga duart firmave të huaja kontrollin e arit të zi që më 1935. Bota arabe po ashtu e kuptoi se perëndimorët e linin me gisht në gojë, dhe nuk hezitoi të rimarre “gjënë” e saj duke i shpronësuar firmat e huaja.
Pas sulmit të Izraelit kundra Egjiptit, arabët përfituan nga ky pretekst për t’i dhenë fund kontrollit të firmave të huaja private mbi naftën e tyre dhe për të vendosur çmimet e tyre. Mos u doli gjë më keq? Tashme më vonë, Bolivia e Evo Moralesit të njëjtën gjë bëri më 2006. Më 2003, Bolivianet dëbuan me një mini – revolucion presidentin de Lozada qe ia kishte lënë të gjithë gazin vendas të huajve. Një vit më vone, Bolivia organizoi një referendum ku gati 90 % e popullatës votoi pro rishtetëzimit të industrisë së hidrokarbureve që ishte privatizuar pak vjet më parë.

Gazeta Shekulli, 30.04.2012