Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KESH dhe të ardhurat minimale fundosin arkën e shtetit

Ritmi i rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit ndodhet aktualisht në tregues tepër të ulët të tij. Burimet më të rëndësishme të të ardhurave në buxhetin e shtetit, siç janë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Tatimi mbi Fitimin dhe akcizat, në mos paraqiten me rënie, janë rritur me shuma minimale krahasuar me tre mujorin e vitit të kaluar. Qeveria ka arritur të mbledhë 78.4 miliardë lekë të ardhura në buxhetin e shtetit, rreth 4 miliardë lekë më pak nga parashikimi. Realizimi i të ardhurave është vetëm 1.1 për qind më i lartë krahasuar me tre mujorin e parë të vitit të kaluar, ose vetëm 900 milionë lekë më shumë.  Një situatë e tillë në treguesit e te ardhurave paraqesin edhe një herë tkurrjen e konsumit në vend, gjë e cila pasqyrohet nga treguesit e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Të ardhurat nga TVSH-ja paraqiten në rreth 26.5 miliardë lekë deri në fund të marsit 2012, ose vetëm 200 milionë lekë më shumë krahasuar me tre mujorin e parë të vitit 2011. Goditjen më të fortë, arka e shtetit e ka marrë nga rënia e të ardhurave nga Tatimi mbi Fitimin duke pasqyruar kështu edhe krizën që po kalon sipërmarrja private në vend. Tatimet kanë mundur të mbledhin rreth 5 miliardë lekë gjatë për tre muaj tatim fitim gjatë këtij viti, ndërkohë që kjo e ardhura paraqitej në rreth 6.4 miliardë lekë gjatë tre mujorit të parë të vitit 2011.
Shpenzimet
Por nëse të ardhurat realizohen me zor, qeveria vazhdon me të njëjtët ritëm shpenzimesh. Deri në fund të tre mujorit, deficiti ka arritur në rreth 11.8 miliardë lekë. Sipas të dhënave, shpenzimet gjatë tre mujorit të parë të këtij viti kanë qenë rreth 90 miliardë lekë, ose rreth 4.3 miliardë lekë më shumë nga parashikimet që kishte bërë qeveria. Rritje të fortë të shpenzimeve gjatë këtij tremujori ka pasur tek ato operative, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me mirëmbajtjen dhe shërbimet. Nga të dhënat gjithashtu vërehet rritje e shpenzimeve për paga gjatë fillimit të këtij viti, pavarësisht se qeveria kishte parashikuar një fond total pagash më të ulët krahasuar me vitin e shkuar. Kështu, deri në fund të marsit 2012, janë shpenzuar rreth 14.4 miliardë lekë për paga krahasuar me 13.9 miliardë lekë të shpenzuara gjatë të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Ajo që ka rënduar edhe më tej buxhetin e shtetit duket të jenë problemet financiare të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Qeveria i ka dhënë KESH-it nga dy miliardë lekë gjatë dy muajve shkurt dhe mars për t’i mundësuar vijimin e importit me ritme të larta të energjisë elektrike. Duket se një shpenzim është ai që ka rritur shpenzimet e qeverisë gjatë këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shuma përkon fiks me rritjen e shpenzimeve gjatë tre mujorit të parë të 2012-ës.
Qeveria ezauron borxhin e brendshëm
Përballë të ardhurave të ulta, qeveria është detyruar që të mbulojë shpenzimet me rritjen e huamarrjes së brendshme. Të dhënat tregojnë se vetëm gjatë tre muajve të parë të 2012-ës, ekzekutivi ka ezauruar rreth 68.1 për qind të borxhit të brendshëm duke marrë 18.2 miliardë lekë nga 29.4 miliardë lekë të parashikuara në total përgjatë gjithë vitit.

Gazeta Shekulli, 27.04.2012