Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Intervista e Kryeministrit Berisha per Zerin e Amerikes (pjesa e energjise)

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, kohët e fundit ka pasur komente qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë për marrëveshjen e linjës energjitike midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ministri juaj i financave tha para pak ditësh në një intervistë për Zërin e Amerikës se i ka kërkuar firmës gjermane që ka organizuar tenderin që të konsiderojë ofertën më të ulët. Shqetësimi që është ngritur në Shqipëri, kritikat që janë ngritur atje nga shtypi  kanë të bëjnë me faktin që për disa objekte, siç është fjala për parlamentin, nuk është gjetur oferta më e ulët, cili është dallimi në këtë mes?
Kryeministri Berisha: Dallimi është shumë i madh. Për objektin nuk ka patur një juri për çmimin. Po të marrësh të 12 projektet  e paraqitura për parlamentin, ato varijojnë nga 48 milionë në 100 milionë euro. Juria ndërkombëtare, e cila ka patur edhe profesorë të shquar të Harvardit dhe nga gjithë bota, përzgjodhi projektin e zotit Prix për projektin më të mirë, i cili në mos gaboj, është 69 ose 79 milionë euro, nuk e mbaj mend mirë, pra juria kur përcakton se cili është projekti më i mirë, nuk merr parasysh në asnjë rrethanë çmimin, pastaj e pranon ekzekutuesi apo jo, është punë e tij, por kur thërret një juri, nuk mund të bëhesh vetë juri pastaj. Së dyti, patëm një problem me Prix. Problemi me Prix ishte se solli një shumë, në mos gaboj prej 10% për zbatimin e projektit; tani unë do të bëj transparencën e plotë, isha shumë zemërthyer nga kjo shumë që pruri, mirëpo çfarë ndodhi, është e vërtetë që një firmë tjetër e solli me 5%, por është e vërtetë që një firmë tjetër e solli me 14%, projektin e zbatimit. Kështu që në këto kushte ne respektuam mendimin e jurisë ndërkombëtare për projektin më të mirë. Rasti konkret i linjës është pak më ndryshe. KFV-ja është një bankë e mrekullueshme e cila ka financuar me dhjetra e dhjetra projekte të shkëlqyera në Shqipëri. Ne, por edhe qeveria e mëparshme, them se kemi patur marrëdhënie dhe kemi marrëdhënie shumë të mira. Në rastin konkret çështja qëndron me kredinë e kësaj banke; janë zhvilluar dy tendera, është zhvilluar tenderi Tiranë- Prishtinë, është zhvilluar edhe tenderi i Unazës së Jugut. Në tenderin Tiranë – Prishtinë një nga kompanitë, e cila i plotëson kushtet teknike, ka dhënë një ofertë prej 8.6 milionë euro më lirë, vetëm për segmentin shqiptarë,  po të shtohet edhe segmenti i Kosovës del 20 milionë euro më lirë. Në Unazën e Jugut, po kjo kompani, që ka bërë këtë ofertë më të lirë, ka bërë një ofertë në mos gaboj 12 apo 20 milion euro më të shtrenjtë dhe tani pretendohet që kjo të fitojë Unazën e Jugut. Unë e kuptoj, se jo gjithmonë çmimi më i ulët duhet të përzgjidhet, por qeveria, që në momentin, që jashtë kritereve teknike heq dorë nga çmimi më i ulët, thyen një rregull të cilin do t’a ketë shumë vështirë t’a rivendosë.  Plus që në total këto përbëjnë një shumë, vetëm për pjesën e Shqipërisë, mbi 20 milion euro. Është garanci sovrane e qeverisë shqiptare, dhe ne nuk mund të gjejmë një justifikim në këtë rast që ne të pranojmë, sepse janë bërë kontrolle, ka gjykata tek të cilat të gjithë mund të drejtohen, u janë drejtuar kontrolleve dhe kanë vendosur ndryshe. Nuk është fuqia ekzekutive që mund të thyejë kontrollet, fuqia ekzekutive është të zbatojë e të respektojë kontrollet dhe këto janë dy gjëra shumë evidente.

energjia.al, 28.04.2012