Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP, në qershor studimi i plotë i vlerësimit mjedisor dhe social

Për studimin punuan tre vjet për të identifikuar terrenin një grup ekspertësh ndërkombëtarë.
Në muajin qershor pritet që projektuesit e gazsjellësit TAP të paraqesin në Tiranë raportin e plotë të vlerësimit pas dorëzimit të vlerësimit zyrtar të ndikimit mjedisor dhe social në muajin prill 2011. Pas Shqipërisë dhe Greqisë, drejtuesit e projektit të gazsjellësit “Trans Adriatik”, (TAP) dorëzuan këto ditë në Itali përfundimet e studimit mbi Vlerësimin e Ndikimit Mjedisor dhe Social, ku do të kalojnë tubacionet e gazit me gjatësi 45 km në det për të dalë në zonën e Leçes. Për këtë studim punuan tre vjet për të identifikuar terrenin një grup ekspertësh italianë dhe ndërkombëtarë, të cilët kanë zgjedhur zonën e Leçes, duke shmangur kalimin e gazsjellësit në zonat ekologjikisht të ndjeshme. Burime të TAP-it njoftojnë se, studimi mbi ndikimin në mjedis është kryer për Shqipërinë dhe Greqinë për transportimin e gazit nga Azerbajxhani, drejt Europës. Ndërkaq, në 23 shkurt, TAP nisi studimin pranë bregdetit në veri të Vlorës për mbledhjen e kampioneve të dheut Kampionet do të studiohen si në një laborator që ndodhet në platformë (në det të hapur) dhe në një laborator në tokë për një testim më të përparuar.
TAP ka përfunduar së fundi, një studim të ngjashëm për shtratin e detit Adriatik në Itali pranë zonës së San Foka në Leçe. Gjurma e TAP-it në Shqipëri u identifikua nga një studim i zgjeruar për përmirësimin e gjurmës së tubacionit në vitet 2009-2010, ku vëmendje e veçantë iu kushtua shmangies së habitateve natyrore të ndjeshme. Kështu, TAP do të anashkalojë Parkun Kombëtar të Hotovës dhe luginën e lumit Vjosë. Duke hyrë nga Greqia në Miras në rajonin e Korçës, seksioni shqiptar i gjurmës zgjatet në gjatësinë prej 209 km deri në bregdet, në veri-perëndim të Fierit. Seksioni në det të hapur me gjatësi prej 60 km do të kalojë në Detin Adriatik për të hyrë në Italinë e Jugut pranë San Fokës.
Ndërtimi i tubacionit pritet të fillojë në vitin 2015 nëse TAP do të përzgjidhet si zgjidhja e preferuar e transportit të gazit nga Konsorciumi i Shah Deniz. TAP do të transportojë gaz nga rajoni i Kaspikut përmes Greqisë dhe Shqipërisë, do të kalojë në Detin Adriatik në Jug të Italisë dhe më tej në Evropën Perëndimore, duke rritur sigurinë e furnizimit dhe diversifikimin e furnizimeve me gaz për tregjet evropiane. TAP do të jetë rreth 800 km e gjatë, në Greqi 478 km; Shqipëria 204 km; pjesa detare në Detin Adriatik 105 km; Italia 4 km. Transporti do të fillojë në afërsi të bregdetit greko-turk në Komotini, do të kalojë nëpër Shqipëri dhe Detin Adriatik dhe do të lidhet me sistemin italian të shpërndarjes së gazit natyror pranë San Fokas në Itali. TAP do të hapë një korridor të ri të ashtuquajtur Korridori Jugor i Gazit në Evropë dhe do të krijojë një treg të ri për gazin natyror nga rajoni i Kaspikut dhe më tej. Projekti është hartuar për të zgjeruar kapacitetin e transportit nga 10 në 20 MMK në vit në varësi të volumit. TAP gjithashtu parashikon një kthim në drejtim të kundërt fizik të rrjedhës deri në masën 80% dhe mundësinë për të zhvilluar facilitete për magazinimin e gazit natyror në Shqipëri për të rritur sigurinë e furnizimit. Aksionerët e TAP janë EGL e Zvicrës (42.5%), Statoil i Norvegjisë (42.5%) dhe E.ON Ruhrgas i Gjermanisë (15%).

Gazeta Rilindja Demokratike, 12.04.2012