Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjykata Kushtetuese rrëzon shoqëritë e gazit: Duhet të pajisen me kasa fiskale

Zbardhet vendimi që detyron importuesit të instalojnë sistemin fiskal.
U konsiderua si një nga betejat më të forta, me përplasje dhe akuza të rënda, duke mos kursyer as drejtorin e përgjithshëm të Tatim-Taksave, si të përfshirë në skemë, por Gjykata Kushtetuese, pas dy vjetësh, jep vendimin final.
Kompanitë e gazit, si të importit që kanë depozita, ashtu tregtarët e pakicës, janë të detyruar të pajisen me sistem fiskal, që bën të mundur matjen e litrave dhe llogaritjen e tatimit që duhet paguar. Detyrimi vjen jo tashmë nga ligji dhe VKM-ja, por nga vetë institucioni i lartë i gjyqësorit, Gjykatës Kushtetuese, i cili pak ditë më parë zbardhi vendimin që rrëzonte pretendimet e shoqatës.
Sektori i gazit kishte mbetur i vetmi në treg pa matës fiskal, për shkak të specifikave teknike dhe kundërshtive nga vetë shoqëritë. Në ankesën e dorëzuar pranë gjykatës, shoqata pretendonte se, është cenuar liria ekonomike, garantuar nga neni 11 i Kushtetutës, në drejtim të pavarësisë nga kontrolli shtetëror dhe të lirisë fiskale mbi të ardhurat, “pasi parashikimi i detyrimit për blerjen, instalimin, mirëmbajtjen dhe përditësimin periodik të pajisjeve fiskale edhe për importuesit dhe tregtuesit me shumicë të gazit të lëngshëm rëndon ndjeshëm mbi buxhetin e këtyre shoqërive”. Sipas tyre, kufizimi i lirisë ekonomike është bërë pa ligj. Ankesa lidhej me ligjin “Për procedurat tatimore” dhe për VKM-në që i detyronte të pajiseshin me kasa fiskale.
Ministria e Financave paraqiti të tjera argumente, me faktin se, pretendimi për kufizimin e lirisë ekonomike është i pabazuar, pasi liria ekonomike nuk nënkupton pavarësi ndaj çdo lloj kontrolli shtetëror. “Edhe pretendimi për cenimin e të drejtës së pronës, si rezultat i vendosjes së sistemeve paralele të kontrollit të të ardhurave dhe i zbatimit të detyrimeve tatimore dy herë për të njëjtin transaksion është i pambështetur në nenin 41 të Kushtetutës”, thotë Ministria e Financave.
Si ministria, ashtu edhe Këshilli i Ministrave, deklarojnë se Shoqata e Tregtuesve dhe Importuesve të Gazit nuk kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën Kushtetuese, pasi nuk ishte krijuar si person juridik në momentin e hyrjes në fuqi të akteve nënligjore objekt kundërshtimi. Këtë pretendim të shtetit, gjykata e ka rrëzuar, ndërsa ankesën e shoqërive e ka trajtuar gjatë dhe gjerë, por në fund, nuk i ka dhënë të drejtë.
“Gjykata i vlerësoi të pabazuara argumentet e parashtruara për cenimin e interesave shtetërore e shoqërore ose të individëve nga zbatimi i menjëhershëm i akteve nënligjore dhe, për rrjedhojë, vendosi rrëzimin e kërkesës”, thuhet në vendim.
Gjykata konstaton se ligji nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore” ka përcaktuar se subjekte të detyruar për të vendosur dhe për të përdorur sistemin fiskal, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve fiskale, për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për lëshimin në mënyrë të detyrueshme të kuponit tatimor janë tatimpaguesit që kryejnë qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës (neni 55, pika 1) dhe gjithashtu, tatimpaguesit e shitjeve me pakicë, që shesin mallra apo ofrojnë shërbime në mjedise apo njësi të përhershme, të hapura për publikun (neni 54, pika 3).

Gazeta Shqip, 01.04.2012

PS: Ketu mund te lexoni vendimin e plote.