Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Vendi i mjedisit në jetën politike është minimal

Intervistë për ‘Javën’ me publicistin dhe aktivistin e njohur të mjedisit, Dr. Ardian Klosi. Ai shpjegon punën e madhe që u bë për mbledhjen e firmave për referendumin dhe për ligjin e plehrave; fushatat e sensibilizimit për mjedisin dhe vështirësitë e shumta; menaxhimi i territorit dhe ndotja e vazhdueshme mjedisit; vetëdija e pakët politike për mjedisin dhe keqqeverisja dhe keqmenaxhimi në shumë shkallë të shtetit, për sa i përket territorit dhe mjedisit
Zoti Klosi, si e gjykoni reagimin e publikut, pas miratimit të ligjit për mbetjet nga Kuvendi? A u provua edhe këtë radhë se ne “nuk kemi opinion publik”, apo jeni i kënaqur me mënyrën sesi kjo temë u përjetua nga qytetarët?
Reagimi i publikut ishte shumë i mirë. Jo vetëm që u siguruan brenda tre muajve rreth 12 mijë firma më shumë sesa e kërkon kushtetuta për të mbajtur një referendum të përgjithshëm, por janë të shumtë njerëzit që nuk arritën të nënshkruajnë, pavarësisht dëshirës, edhe sot që shkruajmë pyesin se si e ku mund të firmosin. Në përgjithësi, kam vënë re se qytetarët tanë janë më pak të gatshëm të dalin në rrugë për të protestuar, por shumë më të gatshëm për ta shprehur kundërshtimin e tyre në një mënyrë më të tërhequr, siç është dhënia e firmës. Ne patëm vështirësi me krijimin e një infrastrukture që do të punonte çdo ditë në pika të caktuara, – kjo gjë ishte e pamundur të arrihej në mungesë të fondeve përkatëse – por jo në gatishmërinë e qytetarëve për t’u shprehur qysh në këtë fazë kundër ligjit që lejon importin e plehrave.
Firmat për organizimin e referendumit për ligjin në fjalë tashmë janë në tryezën e KQZ. Çfarë përgjigje prisni nga ky institucion, duke parë CV-në e tij politike?
Roli i KQZ është thjesht teknik, ai verifikon saktësinë e formularëve të plotësuar, kontrollon përputhshmërinë me fotokopjet e kartave të identitetit dhe kaq. Nëse ka ndonjë vend ku mund të shprehet qëndrim politik, ky vend është vetëm Gjykata Kushtetuese, e cila duhet të shprehet për kushtetutshmërinë e kërkesës sonë. Tani, duke qenë që ne vetë, nismëtarët, të ndihmuar edhe nga një grup i madh të rinjsh, kemi verifikuar saktësinë e materialit formular më formular, nuk e besoj se KQZ mund të kapet në parregullsi, të cilat do duhej të ishin mbi 20% që të s’kualifikohej krejt prurja. Nuk mund të ndodhë as hedhja poshtë e kërkesës për arsye “mosarritje shumice”, siç bëri KQZ me 14.000 firmat e mbledhura në 2005 nga qytetarët e Gjirit të Vlorës. Është një situatë tjetër, është një aksion i ndjekur me vëmendje të madhe nga gjithë opinioni publik, nga mediat, por edhe nga përfaqësues të vendeve të huaja në Shqipëri. E shumta ku mund të pengojë KQZ, është zvarritja e procesit, gjithsesi afati është 90 ditë.
Jeni angazhuar shpesh në fushata sensibilizimi, këto vite, që lidhen me çështjen e ambientit në Shqipëri. Cila është përshtypja e juaj për vendin që zë kjo temë në jetën politike? Po në vetëdijen e shqiptarit të mesëm, në kulturën e tij, sa prezente është ajo?
Vendi që zë mjedisi në jetën politike është minimal. Nga partitë e para që u krijuan më 1991 ishte edhe një ekologjike. Natyrisht që nuk ishte krijim serioz, siç nuk kanë qenë edhe orvatje të tjera të mëpasshme. Pas 20 vitesh tranzicion nuk kemi ende një forcë politike që të merret me çështjet kardinale të mjedisit dhe mbrojtjes së shëndetit të njerëzve. Aksionet më të mëdha, sikurse protesta kundër inceneratorëve të plehrave të parashikuar më 2004, ose kundër ndërtimit të veprave me bazë naftën në Gjirin e Vlorës 2005-2008, jemi detyruar t’i bëjmë me organizime spontane, me individë të ndjeshëm e të përkushtuar ndaj mjedisit. Për herë të parë, në çështjen e moslejimit të importit të plehrave kemi një aleat në PS-në. Veçse PS-ja nuk ka një program të mirëfilltë për mbrojtjen e mjedisit. Pra është pak, shumë pak. Sikur e majta të mos na kishte braktisur në Vlorë p.sh., sot nuk do të ishte prishur Plazhi i Triportit me ndërtimin e një TEC-i gërmadhë, që s’ka punuar asnjë ditë e zor se do të punojë ndonjëherë.
Sa për shqiptarin e mesëm, e dini se të shumtë janë ata që kanë problem varfërinë dhe mbijetesën. Zakonisht, në të tilla kushte, njeriu pak mendon për mjedisin, sidomos në zonat rurale. Shtoji kësaj mungesën e traditës, të kulturës e sidomos të masave ndaluese të shtetit – dhe shumë shpejt bëhet e keqja, shumë shpejt zhduket një pyll, shkretohet një lagunë, ndoten lumenj ose ujëra nëntokësore etj. etj.
A është e saktë të thuhet se njëri ndër dështimet më spektakolare të tranzicionit njëzetvjeçar, ka qenë menaxhimi i territorit? A i bashkoheni edhe ju atyre që mendojnë se ajo që ka ndodhur me territorin, mjedisin dhe vetë peizazhin shqiptar, është katastrofale?
Për fat të keq po, dy herë po. Mjafton të shikoni si u betonua brenda një kohe fare të shkurtër Gjiri i Durrësit, Gjiri i Sarandës, si po ecën në këtë drejtim dhe Gjiri i Vlorës. Mjaft të dëgjoni lajmet për shkatërrimin e pyjeve të Karaburunit, ose erozionin bregdetar në shumë pjesë që lag Adriatiku. Mjaft të shihni si u mor zalli i Erzenit për të ndërtuar autostradën e Carrefouri-it. Këtu grupimet vendimmarrëse jo vetëm që nuk kanë hartuar ndonjë strategji afatgjatë për menaxhimin e territorit, por kanë qenë shpesh dëmtues të drejtpërdrejtë me vendimet ose koncesionet e tyre. Për sa kohë që nuk janë vendosur rregulla të forta loje mbi territorin, gjithmonë do rrimë me frikën e lajmit të keq të radhës. Ndoshta është ende shans për opozitën, PS në radhë të parë, për sa kohë që nuk kemi parti të gjelbër, që të vendosë një program të qartë mjedisor në garën për pushtet.
Ndotja e mjedisit në Shqipëri nuk shkaktohet nga industritë masive. Ajo ngjan më tepër me një fenomen deri diku banal keqqeverisjeje e keqmenaxhimi në shumë shkallë të shtetit. Sa të veçantë na bën kjo, në raport me vendet e tjera?
Nuk jam i sigurt që ndotja nuk shkaktohet nga industri masive. Vetëm se këto industri masive ndodhen kryesisht jashtë vendit dhe në Shqipëri zbresin mbeturinat e saj. Ndaj dhe është i rrezikshëm Ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, në dy nenet e tij, që lejon importin e mbeturinave. Por edhe pa u miratuar ky ligj, tek ne kanë depërtuar mbeturina nga jashtë në sasi të madhe. Duke filluar me pesticidet e viteve 1990-1991 në Shkodër e duke përfunduar te lajmi që u dha këto ditë se veç nga Franca paskan ardhur në Shqipëri mbi 580 tonë mbetje të rrezikshme. Një tjetër lajm është që nga Holanda do të transportohet në Shqipëri një incenerator i përdorur për t’u montuar këtu. Edhe fabrika që janë paraqitur nga qeveria si suksese të teknologjisë së riciklimit, sikurse është ajo e petëzimit të automjeteve në Xhafzotaj ose e prodhimit të biomasës në Porto Romano, rrezikojnë të sjellin mbeturina importi në atë masë sa të lënë ndotje të përhershme në mjedis.
Natyrisht, ajo që shohim më shumë janë vetë plehrat që i shkaktojmë ne, siç hidhen ato me shumicë në shtretërit e lumenjve e i gjejmë pastaj në breg ku i kanë kthyer mbrapsht valët e detit. Ose smogu që shohim mbi ultësirën Tiranë-Krujë, shkaktuar nga trafiku dhe industria e çimentos. Keqmenaxhimi fillon në nivel komunash e bashkish, sidomos për plehrat familjare. Asgjëkund nuk bëhet ndarja e këtyre mbeturinave, asgjëkund nuk nxitet riciklimi i letrës ose i qelqeve apo ambalazheve të tjera. Për të huajt që vizitojnë Shqipërinë, sidomos kur dalin në vende të ashtuquajtura të virgjëra, është pamje pikëlluese njollosja e mjedisit me lloj-lloj plastikash, edhe kjo na bën të veçantë për keq. Madje para pak kohësh Kroacia është ankuar për ndotjet e shumta që i ka sjellë deti prej brigjeve shqiptare. Gjithsesi, mendoj se me një program të qartë administrimi të këtyre mbetjeve – ndarje, ngritje landfillesh, riciklim, ato janë më pak të rrezikshme sesa hapja e dyerve importit të plehrave.

Revista Java, 18.03.2012