Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Të integrohet rrjeti europian i gazit

“Gazsjellës pa kufij”. Me këtë slogan “Wall Street Journal” vendos në faqen e saj rrugën e treguar Europës nga Paolo Scaroni, administrator i deleguar i ENI-t: një rrjet europian i shpërndarjes i integruar dhe i ndërlidhur. Nëse Europa do të integronte gazsjellësit e saj, rezultatet do të ishin spektakolare, pohon Scaroni, në një intervistë për të përditshmen amerikane. Sipas administratorit të ENI-t, vendet europiane duhet të lidhin sistemet e tyre të transmetimit për të garantuar furnizim. “Në 40 vitet e fundit, çdo vend europian, përjashtuar Mbretërinë e Bashkuar ka ndërtuar një rrjet për të importuar gaz, por nuk mund ta zhvendosim gazin nga një vend në tjetër”, pohon Scaroni. Ai shpjegon se, nëse Europa do të integronte gazsjellësit, rezultatet do të ishin spektakolare, pasi do të kishte liri të lëvizjes së gazit nga Europa Perëndimore në Europën Lindore e do të reduktohej varësia nga importi rus. “Nga këndvështrimi i sigurimit të furnizimit, mund të kalojmë një dimër të tërë pa gazin rus”, tha Scaroni, duke theksuar se, “imagjinoni sa e rëndësishme do të ishte kjo edhe nga këndvështrimi politik. Është më i rëndësishëm se gazsjellësi ‘Nabucco’ që lidh Azinë me Europën”. “Wall Street Journal” nënvizon faktin se Scaroni i kishte prezantuar idetë e tij mbi politikën energjetike edhe në Parlamentin Europian. Në fakt, në qershor të vitit të kaluar drejtuesi i ENI-t propozoi në ngritjen e një autoriteti unik europian për të administruar ndërlidhjen e gazit brenda Bashkimit Europian, për të përballuar emergjencat dhe për të reduktuar rreziqet e furnizimit nga Rusia. Me këtë rast, shpjegoi se një ndërlidhje e plotë mund të përballojë një ndërprerje të mundshme të furnizimit nga Rusia për të disatën herë mosmarrëveshje me Ukrainën. Kur iu përgjigj pyetjeve të “Gazprom”, ishte shprehur “se është vetëm një provokim, pasi nuk mund të jetojmë pa gazin rus”. Deklaratat e fundit të administratorit të ENI-t vijnë pas udhëtimit në Libi që Scaroni bëri pak më shumë se një muaj kur Këshilli Kombëtar i Përkohshëm Libian kishte marrë kontrollin e pjesës lindore të vendit. Kjo vizitë ishte e rëndësishme shkruan “Wall Street Journal”. Jo vetëm që ENI është një nga kompanitë më të mëdha petrolifere europiane për nga vlera e tregut, por është edhe prodhuesi kryesor i huaj në Libi, si për naftën edhe për gazin. Takimi shërbeu për të vendosur një kontakt me lidershipin e ri libian dhe për të siguruar një marrëdhënie të mirë. “Ndalimi i prodhimit ishte i paimagjinueshëm”, pohon Scaroni, duke nënvizuar se kishte vendosur një marrëdhënie të mirë që vazhdon edhe sot. Gjithsesi konflikti ka reduktuar prodhimin, duke prekur të ardhurat. Të ardhurat neto për tremujorin e katërt të vitit 2011 ranë me 9.5% në 1.54 miliardë euro, pjesërisht për shkak të uljes së prodhimit libian. Por tani prodhimi është gati në nivelet e shënuara para rrëmujave. “Prodhimi i gazit është në nivelin ku ishim para luftës, ndërsa për naftën e atyre niveleve do të na duhen edhe disa muaj”. Për “Wall Street Journal”, Scaroni është një njeri i hapur, i përshtatshëm për të folur për skenarë të mëdhenj. Në shkurt, ENI ka njoftuar zbulimin e një depozite të madhe me gaz në brigjet e Mozambikut. Ky do të dojë një investim prej 50 miliardë dollarësh në tetë deri në dhjetë vitet e ardhshme dhe do ta transformojë ENI-n në një prodhues të besueshëm për tregun aziatik, bëri të ditur Scaroni. Por vendimet që duhen ndërmarrë për të investuar operacionet në Mozambik “janë bërë më të vështira për faktin se nuk ka një çmim të vetëm për gazin e nxjerrë”, tha Scaroni. E njëjta molekulë e gazit – shpjegon ai – është shitur më pak se 3 dollarë për MBTU (milion për njësi termike britanike) në SHBA, 10 dollarë në Europë dhe rreth 15 dollarë në Lindjen e Largët. “Pyetja që shtrojnë të gjithë është se kur dhe në çfarë niveli konvergojnë këto çmime?”. Sipas Scaroni-t, për këdo që bën investime është e rëndësishme të dijë se cili do të jenë çmimi i gazit pas dhjetë vitesh. Sipas tij, çmimi barazohet me kohën për efektin e kombinuar të arbitrazhit gjeografik dhe nga kërkesa e lidhur me çmimin. Sipas tij, një faktor i rëndësishëm do të jetë revolucioni i gazit argjilor, energjia e furnizuar nga nxjerrja e gazit nga ky gur sedimentar. Është thënë se ky lloj gazi mund të jetë zgjidhja e problemeve energjetike të Perëndimit dhe t’i bëjë Shtetet e Bashkuara të pavarura nga pikëpamja energjetike brenda 2030-s. Sipas Scaroni-t, nëse çmimi i gazit do të vazhdojë të mbetet kaq i ulët krahasuar me naftën, nuk është e vështirë të shikosh mbështetje për të investuar ndryshimin e lëndës së djegshme. “Aktualisht, transportet janë ushqyer kryesisht me karburant, ndërsa ngrohja dhe energjia elektrike bazohen në gaz. Ndaj ky lloj gazi mund të ndryshonin gjërat”. Ai njofton gjithsesi se ndërsa janë potencialet e forta, veçanërisht për SHBA-të, për vende të tjera, kuadri nuk është kaq i qartë.

Revista Monitor, 19.03.2012