Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Berisha i fal 20 milionë euro CEZ, privatizimi aferë mafioze qeveritare

CEZ shpërndarje përfiton sërish në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Me leje të vetë kryeministrit Berisha, kësaj kompanie tashmë i falen plot 20 milionë euro. Ndryshe nga ç’bëri me vendime të tjera të rëndësishme të cilat u miratuan dje nga Këshilli i Ministrave, Berisha nuk e përmendi asnjë sekondë marrëveshjen e nënshkruar tashmë dhe të miratuar edhe në qeveri, që detyron KESH-in të paguajë borxhin që institucionet shtetërore i kanë pasur OSSH por që me privatizimin e kësaj kompanie kaluan në “pronësi” të CEZ, ndërkohë që CEZ po ashtu do të shlyejë 60 milionë euro borxh ndaj KESH-it dhe 20 milionë të tjera ndaj OST, të cilave nuk ua ka shlyer gjatë viteve të fundit. Por kjo marrëveshje, për të cilën as kreu i KESH Engjëll Zeqo e as kryeministri Sali Berisha nuk preferojnë të “ndihen”, është në vetvete një skandal i madh, një aferë e pastër si shumë të tjera, mes kësaj qeverie dhe kompanisë së shpërndarjes së energjisë CEZ Shpërndarje. Sipas marrëveshjes, të cilën dje e miratoi kryeministri Berisha bashkë me “stafin” e tij ministror, CEZ përfiton 20 milionë euro “borxh” nga institucionet shtetërore, të cilat në fakt janë shlyer një herë gjatë privatizimit. Kur CEZ e bleu OSSH 102 milionë euro në vitin 2009, realisht dha vetëm 82 milionë euro, sepse 20 milionë të tjera ishin borxhe të OSSH, të cilat u paguan nga shteti.      Në gjithë këtë skemë, mësohet dhe një tjetër fakt. KESH del sërish e humbur, sepse megjithëse i takon të marrë rreth 60 milionë euro që CEZ ka akumuluar ndaj saj vetëm për një vit, i duhet të paguajë 20 milionë euro të tjera, të cilat jo vetëm që nuk i ka shpenzuar ky institucion, por për më tepër janë borxhe të cilat qeveria i la si detyrim borxhi, gjatë kontratës së shitjes së OSSH.
Vendimi
“Vendim për miratimin e marrëveshjes tip për fillimin e procedurave për shuarjen me kompensim, të detyrimeve të ndërsjella ndërmjet institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore, ndërmarrjeve dhe shoqërive të kontrolluara nga shteti  dhe CEZ Shpërndarje sh.a.-ja. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetues, të nenit 7, të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative”, të ndryshuar dhe të nenit 514 e në vijim, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, ministrit të Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave vendosi 1) Miratimin e marrëveshjes për fillimin e procedurave për shuarjen, me kompensim, të detyrimeve të ndërsjella ndërmjet institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore, ndërmarrjeve dhe shoqërive të kontrolluara nga shteti dhe CEZ Shpërndarje, sh.a.-ja, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. 2) Ministria e Financave autorizohet të përdorë të gjitha procedurat shtrënguese ligjore, me qëllim që të shlyhen në një kohë sa më të shkurtër detyrimet e institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore të marra përsipër nga KESH-i dhe OST-ja, sipas kësaj marrëveshje, si dhe të gjitha detyrimet e tjera që nuk janë pjesë e kësaj marrëveshjeje. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare””, thuhet në vendimin e miratuar dje në qeveri për marrëveshjen e borxheve mes institucioneve buxhetore dhe CEZ. Megjithëse kompania çeke e bleu OSSH në vitin 2009 me një çmim skandaloz për vetëm 82 milionë euro, që prej privatizimit, qeveria Berisha nuk ka bërë gjë tjetër veçse e ka favorizuar këtë kompani, duke grabitur, poshtëruar e rrënuar qytetarët shqiptarë. Nga ky privatizim skandaloz, i cili asokohe u deklarua si një ndër privatizimet më të suksesshme, qeveria mbajti të fshehur kontratën duke e fshehur me mister shitjen e këtij aseti gjigand shtetëror. Berisha me institucionet e tij vartëse i bëri më vonë lëshim CEZ-it në çmimin e energjisë, ku një vit iu lejua ta ngrinte çmimin duke shkudur xhepat e varfër të qytetarëve shqiptarë, ndërsa vitin pasardhës ia uli KESH-it çmimin me të cilin ia shiste CEZ-it, po ashtu duke ndikuar në rrënimin e një tjetër aseti shtetëror, i cili mund ti përdorte ato para për investime të mëtejshme për të shmangur falimentin në të cilin realisht ka përfunduar. E së fundmi, sikur të mos mjaftonte indiferenca ndaj kësaj kompanie hajdute që për mbi 3 vite rresht vetëm vjedh shqiptarët në faturat e energjisë, kjo qeveri e ka lënë dhe monopol për të rritur fitimet e saj kundër ligjeve të shtetit shqiptar.

Gazeta Sot, 01.03.2012