Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KESH nuk ka vendosur për importin e energjisë

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare nuk ka ende një strategji për të siguruar energjinë për muajin mars. Sipas nëndrejtorit të përgjithshëm Robert Niko, Korporata duhet të vendosë brenda datës 26 shkurt lidhur me sasinë që nevojitet të blihet nga importi dhe çmimin e blerjes. Duke komentuar situatën hidrike, Niko u shpreh dje se niveli i hidrocentralit të Fierzës është mjaft i ulët dhe, nëse situata e motit vazhdon të mbetet e ftohtë edhe për muajin mars, atëherë prodhimi i mëtejshëm i energjisë do të vijojë të vështirësohet.
Muajt e fundit KESH së bashku me CEZ-in kanë importuar sasi të shumta energjie, çka ka bërë që qeveria shqiptare të marrë në konsideratë edhe rishikimin e buxhetit që në fillim të vitit, ndërkohë që gjatë dimrit konsumi i energjisë ka qenë në nivelet maksimale, rreth 26 milionë kilovatorë në ditë. Ndërkohë, pritet që edhe për marsin konsumi të mbetet jo me pak se 22 milionë kilovatorë.
Sipas burimeve nga sektori i prodhimit pranë KESH-it, disa nga HEC-et e mëdha të vendit janë urdhëruar të punojnë me 100 për qind të kapacitetit të tyre, për të ulur sasinë që duhet të blihet jashtë vendit, për të kursyer sa më shumë që të jetë e mundur fonde buxhetore. Ky vendim është i mbështetur në parashikimet e rritjes së ndjeshme të temperaturave, që do të shkrinte dëborën në Veri, madje do të rriste rrezikun e përmbytjeve. Megjithatë, specialistët preferojnë të tregohen të kujdesshëm, duke i sugjeruar KESH-it të vijojë importet, për të mbushur më parë basenet, që kanë shkuar pranë pikave të vdekjes. Vendimi për të shtuar prodhimin në maksimum duhet të jetë dhënë nga instanca politike, në një kohë kur qeveria nuk po gjen mundësi të tjera për të mbështetur financiarisht KESH-in dhe kur ka harxhuar gati të gjithë fondin e kontingjencës që në muajin shkurt për energjinë.

Gazeta Shqiptarja.com, 24.02.2012