Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Sindikata: Shteti të zgjidhë problemin e energjisë

Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike, i cili i detyron konsumatorët e mëdhenj ta blejnë në tregjet ndërkombëtare energjinë e nevojshme për aktivitetin e tyre ka vënë në vështirësi kompanitë si “Kurum”. Fabrikat e prodhimit janë mbyllur që nga 4 janari për shkak se kompania nuk arrin të sigurojë energjinë e nevojshme, ndërkohë që Korporata Energjetike Shqiptare i ka ofruar energji për disa ditë me çmim tre herë më të lartë nga ai me të cilin ja shet “CEZ Shpërndarje”. Burime brenda kompanisë bëjnë me dije se, në pamundësi për ta blerë këtë energji në tregjet e huaja për motive teknike, fabrikat e saj nuk kanë alternativë tjetër veç të mbyllen. Nga shoqëria “Kurum” njoftojnë se me ndryshimet e bëra në tregun e energjisë elektrike, fabrikat e Kurumit në Elbasan që nga data 4 janar janë mbyllur. Kjo për pasojë e statusit të ri si “Konsumator i Privilegjuar”, i vendosur arbitrarisht nga ana e Entit Rregullator të Energjisë, i cili e detyron kompaninë ta sigurojë vetë energjinë. Ne këtë kompani që për arsye teknike nuk mundet të përdoret energjia e importuar, por e cila ka pasur një aktivitet që shfrytëzonte burimet vendase, krijonte vende pune, eksportonte dhe paguante taksa të larta. Tashmë mbizotëron një qetësi e plotë. Punëtorët papritmas u gjendën para faktit të të qenurit të papunë, pasi nuk po arrihet në një rezultat për zgjidhjen e ngërçit nga takimet e bëra me qeverinë, KESH dhe ERE në lidhje me importimin e energjisë për fabrikat. Kryetari i Sindikatës, Z.Taf Koleci thotë për mediat se, “KESH-i i ka propozuar kompanisë ta furnizojë për disa ditë me energji elektrike me çmim 21 Lek/kwh. Ndërkohë që, po kjo kompani ia shet kompanisë shpërndarëse CEZ me 2.8 Lek/kwh. “Iku monopoli i shtetit e erdhi monopoli privat i paprekshëm. Ndërsa industria më e madhe konsumatore e energjisë kërkon ta blejë këtë energji nga KESH me trefishin e çmimit që kjo e fundit ia shet CEZ-it, dhe nuk mundet dot. Ky është liberalizimi i tregut? Prodhuesi më i madh industrialist në vend aktualisht furnizohet me gjenerator për të ruajtur objektet e veta, ndërkohë që me mijëra familje e institucione të tjera shtetërore e ekonomike si hekurudha e porti po ndikohen negativisht nga kjo situatë e krijuar. Shteti nuk duhet të qëndrojë indiferent përpara një fakti të tillë”, – thekson Koleci. Përfaqësuesit e Sindikatës shprehen se, konsumatori më i madh i energjisë Çeliku i Elbasanit ka një kontribut shumë të madh në ekonominë e vendit. Me këtë çfarë po ndodh, tani e tutje Shqipëria do kthehet nga një eksportues i produkteve të çelikut, në një vend importues të tyre, gjë që do të vlerësohet si faktor negativ për investimet e huaja e për ardhjen e kapitalit të huaj në vend, pa përmendur atë masë njerëzish që punësohen aktualisht në këtë kompani, të cilët nuk do bënin gjë tjetër veç do shtonin radhët e të papunëve. Në takimin e gazetarëve me Kryetarin e Sindikatës Taf Koleci, është diskutuar në lidhje me thirrjen e Bankës Botërore për zgjidhjen e një problemi kaq të mprehtë, njësoj si veprohet kur tërhiqet vëmendja për bilancin tregtar apo borxhin e jashtëm. Zvarritja e industrisë drejt një situate të tillë, do të jetë humbje për Shqipërinë. Në këtë periudhë krize, investitorët kërkojnë që kapitalin e tyre ta investojnë atje ku kanë mundësi për të punuar. Qeveria Shqiptare nuk do të qëndrojë indiferente përballë këtij problemi e këtyre fabrikave që mundësojnë vende pune e interes ekonomik për vendin.

Gazeta Shqiptare, 25.01.2012