Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mirëmbajtja e rrugëve, taksë e re mbi karburantet

Një pjesë e fondit për mirëmbajtjen e rrugëve do të merret nga një taksë e posaçme mbi karburantet sipas Planit Kombëtar të Transportit, i cili u botua dje në Fletoren Zyrtare. Kostoja vjetore për mirëmbajtjen e rrugëve llogaritet deri në 60 milionë euro
Qeveria pritet të financojë mirëmbajtjen e rrugëve gjatë tri viteve në vijim nëpërmjet një takse të re mbi karburantet. Lajmi u njoftua dje në rishikimin e Planit Kombëtar të Transportit, i cili u botua në Fletoren Zyrtare. Dokumenti i Ministrisë së Transporteve që tashmë ka marrë miratimin edhe të qeverisë shqiptare, parashikon që gjatë tri viteve në vazhdim një pjesë e fondit për mirëmbajtjen e rrugëve të merret nga një taksë e posaçme mbi karburantet. Qeveria ka rënë dakord vetëm në parim për vënien e kësaj takse, por masa e saj do të përcaktohet me anë të një ligji të posaçëm. Kjo praktikë është e njohur në shumë vende të botës dhe pritet të adoptohet edhe në vendin tonë. Shpesh buxhetet caktohen për mirëmbajtjen rutinë, duke marrë për bazë vitin e shkuar. Nevojat për mirëmbajtjen e rrugëve për rrjetin parësor kërkojnë një financim vjetor prej 30 milionë deri në 40 milionë eurosh, si dhe rreth 20 milionë euro të tjera për rrjetin dytësor. “Me qëllim që të evitohen diskutime lidhur me buxhetin, propozohet krijimi i fondit të rrugëve me qëllim sigurimin e një financimi të sigurt të mirëmbajtjes rrugore në vend”, thuhet në strategjinë e qeverisë për transportin. Qeveria argumenton se ka shumë përvoja nëpër botë të fondeve rrugore, shumica kanë qenë me sukses, vetëm me disa përjashtime. Fondet rrugore, megjithatë nuk janë “zgjidhja” e problemeve që përballon mirëmbajtja rrugore. Ato janë vetëm një mjet i përshtatshëm dhe një mënyrë me kosto të ulët për të financuar mjaftueshëm mirëmbajtjen e rrugëve. “Një fond rrugor mbledh të ardhura nga taksa mbi përdoruesit e rrugëve. Në përgjithësi, një taksë e veçantë mbi karburantet që konsumohen nga automjetet shërben si një burim kryesor për to. Këto fonde në përgjithësi mblidhen në burim atje ku prodhohet karburanti, ose kur karburanti është i importuar, taksat mblidhen nga doganat ose një agjent tjetër i përshtatshëm”, cilëson qeveria në strategjinë e saj për mirëmbajtjen e rrugëve. Kostoja totale e projekteve të identifikuara sipas përmbledhjes së analizave të pakufizuara të programit të investimeve mbi rrjetin kryesor rrugor deri në vitin 2030, arrin në 437 850 milionë lekë ose rreth 20 milionë euro në vit. Kjo përfshin mirëmbajtjen rutinë, që vlerësohet në 16 milionë euro në vit. Duhet vënë në dukje se kostoja e mirëmbajtjes rutinë do të rritet me mbarimin e projekteve të reja rrugore. Kështu që qeveria ka parashikuar tre skenarë për kufizime buxheti për mirëmbajtje rutinë dhe periodike për 20 vitet e ardhshme: Një i ulët prej 2 milionë eurosh në vit, një tjetër prej 30 milionë eurosh në vit, dhe një i lartë prej 40 milionë eurosh në vit. Rrjeti kombëtar rrugor është vlerësuar nga studimi 3719 km rrugë kombëtare, nga të cilat 1198 km rrjet kryesor dhe 2083 km rrjet dytësor, ndërsa 438 km rrugë të planifikuara. Sipas dokumentit të qeverisë, të gjitha rrugët në rrjetin kryesor dhe rreth 2/3 e gjatësisë së përgjithshme të rrjetit dytësor janë të shtruara. Rreth 48% e gjatësisë së përgjithshme të rrjetit kryesor dhe 21% e rrjetit dytësor ecën në terren të sheshtë, ndërsa 34% e rrjetit kryesor dhe 56% e rrugëve në rrjetin dytësor gjenden në terren malor.

Gazeta Mapo, 05.01.2012