Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qeveria miraton vendim per te drejten e publikut per te pasur informacion mjedisor

VENDIM PËR TË DREJTËN E PUBLIKUT PËR TË PASUR INFORMACION MJEDISOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 47, të ligjit nr.10 431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim ka për objekt:
a) t’i sigurojë publikut shpërndarjen në mënyrë të vazhdueshme e sistematike të informacionit mjedisor dhe vënien e këtij informacioni në dispozicion të tij;
b) të përcaktojë kushtet dhe mënyrat e duhura për ushtrimin e së drejtës për të pasur informacion mjedisor, për shkëmbimin e opinionit të publikut, si dhe për pjesëmarrjen efektive të tij në vendimmarrjen mjedisore.
2. Për qëllim të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Informacion mjedisor” ka kuptimin e referuar në ligjin nr.8672, datë 26.10.2000, “Për aderimin e Shqipërisë në Konventën e Aarhusit”, sipas këtyre kategorive:
Kategoria e parë: Çdo material informues, që u referohet elementeve mjedisore të vendit ku përfshihen të dhënat për ajrin e brendshëm dhe të jashtëm, atmosferën, ujin, tokën, peizazhin, zonat natyrore, burimet natyrore, zonat e mbrojtura dhe monumentet e natyrës, diversitetin biologjik dhe përbërësit e tyre, organizmat e modifikuar gjenetikisht dhe bashkëveprimi i të gjitha këtyre elementeve.
Kategoria e dytë: Faktorët natyrorë, substancat, energjia, zhurmat, radoni apo niveli i rrezatimit, si dhe aktivitetet ose masat e marra, përfshirë masat administrative, marrëveshjet në fushën e mjedisit, politikat, legjislacioni, planet dhe programet, që ndikojnë ose pritet të ndikojnë në elementet e mjedisit, të përfshira në kategorinë e parë, dhe përfitimet e analizat ekonomike si pasojë e  vendimmarrjes mjedisore. 
Kategoria e tretë: Të dhëna për sigurinë e shëndetit dhe kushteve të jetës së njerëzve, gjendjen aktuale të zonave kulturore dhe ndikimet e mundshme të faktorëve të kategorisë  së dytë mbi këto zona.
b)  “Autoritet publik” ka kuptimin e referuar në pikën 1, të nenit 5, të ligjit nr.10 431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”.
c)  “Informacion i mbajtur nga autoriteti publik”, informacioni i prodhuar ose i marrë  nga autoriteti publik.
ç) “Informacion që mbahet për autoritetin publik”,  informacioni mjedisor, që mbahet fizikisht nga personat, fizikë apo juridikë, për llogari të autoritetit publik.
d) “Aplikues”, çdo person, fizik dhe juridik, që kërkon informacion mjedisor.
dh) “Publik” ka kuptimin që jepet në pikën l2, të nenit 5, të ligjit nr.10 431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”.
KREU II
SHPËRNDARJA E INFORMACIONIT MJEDISOR  DHE VËNIA NË SHËRBIM TË PUBLIKUT
1. Shpërndarja e informacionit mjedisor realizohet, si më poshtë vijon:
a) Autoriteti publik grumbullon dhe organizon infomacionin mjedisor, që lidhet me funksionet e tij, për t’ia shpërndarë publikut sistematikisht me anë të të gjitha formave që disponon, përfshirë atë me shkrim, vizuale, gojore dhe me mjetet elektronike të komunikimit.
b) Autoriteti publik e ruan infomacionin mjedisor, që lidhet me funksionet e tij, në forma lehtësisht të riprodhueshme dhe të mundshme për t’iu vënë në shërbim të publikut në mënyrën që i kërkohet, përfshirë dhe mjetet e komunikimit elektronik.
c) Kur aplikuesi kërkon informacion mjedisor të grumbulluar para hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe kur ky informacion nuk ekziston në formë elektronike, atëherë ai nuk i vihet në shërbim aplikuesit me mjetet e komunikimit elektronik, por me formën që gjendet.
ç)  Autoriteti publik informon publikun në mënyrën e duhur për të drejtat që ai gëzon në kuadër të këtij vendimi dhe ofron informacion, udhëzime dhe këshilla për këtë qëllim.
2. Vënia dhe shpërndarja e informacionit të disponueshëm në shërbim të publikut realizohen, si më poshtë vijon:
a) Autoriteti publik përkatës vë në shërbim të publikut dhe ia shpërndan atij informacionin e mëposhtëm të cilin disponon:
i. Tekstet e konventave ose marrëveshjeve ndërkombëtare, tekstet e Komunitetit Europian, aktet ligjore dhe nënligjore kombëtare ose vendore që lidhen me mjedisin;
ii. Politikat, strategjitë, planet dhe programet që lidhen me mjedisin;
iii. Raportet për progresin e bërë në lidhje me zbatimin e nënndarjeve i” dhe “ii”, të kësaj pike, në rastet kur ato përgatiten dhe/ose disponohen nga autoriteti publik;
iv. Raportet për gjendjen e mjedisit;
v. Të dhënat ose përmbledhjen e të dhënave të mbledhura nga monitorimi i veprimtarive që ndikojnë ose që mund të ndikojnë në mjedis;
vi. Autorizimet, lejet dhe licencat për veprimtaritë me ndikim në mjedis dhe marrëveshjet mjedisore ose të dhëna për vendin se ku mund të kërkohet ose të gjendet ky informacion;
vii. Studimet për ndikimin mjedisor dhe vlerësimin e rreziqeve që lidhen me elementet mjedisore, siç janë ajri dhe atmosfera, uji, toka, vendet piktoreske dhe natyrore, përfshirë ligatinat, zonat bregdetare, zonat e mbrojtura, diversiteti biologjik dhe përbërësit e tij, duke përfshirë këtu edhe organizmat e modifikuar gjenetikisht dhe ndërveprimin midis këtyre elementeve, ose një referencë se ku mund të kërkohet ose të gjendet ky informacion.
b) Autoriteti publik është i detyruar të përditësojë informacionin mjedisor të përmendur në shkronjën “a”, të kësaj pike.
3. Shpërndarja e informacionit mjedisor, në rastin e kërcënimeve të pashmangshme, realizohet, si më poshtë vijon:
Autoriteti publik, kur gjykon se ekziston një kërcënim i pashmangshëm për shëndetin e njerëzve apo mjedisin, i shkaktuar nga veprimtaria njerëzore apo si pasojë e shkaqeve natyrore, ia shpërndan menjëherë dhe pa vonesë publikut, që ndikohet apo mund të ndikohet nga ky kërcënim, të gjithë informacionin që disponon, me qëllim që publiku të marrë masa për të shmangur ose minimizuar dëmin e mundshëm dhe pasojat negative.
KREU III
PROCEDURAT PËR MARRJEN E INFORMACIONIT MJEDISOR NËPËRMJET KËRKESËS
1. Çdo aplikues ka të drejtë për të marrë informacion mjedisor nëpërmjet kërkesës dhe procedura e marrjes së këtij informacioni realizohet, si më poshtë vijon:
a) Autoriteti publik vë në dispozicion të çdo aplikuesi, sipas kërkesës së tij, informacionin mjedisor që ai mban.
b) Kur aplikuesi kërkon nga autoriteti publik informacion mjedisor, ai nuk është i detyruar të shprehë arsyet përse i nevojitet ky informacion.
c) Autoriteti publik e vë informacionin në dispozicion të aplikuesit brenda                              30 (tridhjetë) ditëve  nga data e hyrjes së kërkesës në institucionin publik, me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikën 6, të këtij kreu.
3. Shpërndarja e informacionit mjedisor realizohet sipas mënyrave ose formateve të mëposhtme:
a) Autoriteti publik, me përjashtim të rastit të shkronjave  “b” dhe “c”, të kësaj pike, vë në shërbim të aplikuesit informacionin mjedisor në atë mënyrë ose format që kërkohet prej tij, përfshirë këtu edhe kopje të materialeve të kërkuara.
b) Kur autoriteti publik nuk e zotëron informacionin mjedisor në mënyrën dhe formatin e kërkuar nga publiku, atëherë ia vë në shërbim në mënyrën dhe formatin që ai e zotëron duke dhënë dhe arsyet përse ky informacion është vënë në shërbim në atë mënyrë apo format.
c) Autoriteti publik, për qëllime të kësaj pike, ndërmer të gjitha hapat e nevojshëm për të ruajtur informacionin mjedisor në mënyrat ose formatet që janë lehtësisht të riprodhueshme dhe të arritshme me anë të mjeteve të elektronike të komunikimit.
3. Përgjegjësitë e autoritetit publik janë, si më poshtë vijon:
a) Të mbështesë publikun gjatë kërkimit të së drejtës për të pasur në shërbim informacionin mjedisor.
b) T’ua vendosë në dispozicion dhe t’u mundësojë listën autoriteteve/ institucioneve publike që kanë informacion mjedisor.
c) Të publikojë në vende të dukshme të gjithë strukturën që ka në dispozicion për shpërndarjen e informacionit mjedisor, përfshirë këtu caktimin e  punonjësve të informacionit, krijimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës për shqyrtimin e informacionit mjedisor të kërkuar, si dhe regjistrat ose listat e informacionit mjedisor, të zotëruara nga autoritetet publike, ose pikat informative, me përcaktime të qarta se ku mund të gjendet ky informacion.
4. Autoriteti publik, në  rastin e vonesave në ofrimin e informacionit mjedisor si rezultat i volumit ose kompleksitetit të tij, vepron, si më poshtë vijon:
a) Kur ky autoritet vëren se volumi dhe kompleksiteti i informacionit është i tillë, që periudha prej 30 (tridhjetë) ditësh është e pamjaftueshme, afati i vënies në dispozicion të informacionit mjedisor të kërkuar dyfishohet duke e përllogaritur nga data e dorëzimit të kërkesës.
b) Ky autoritet informon me shkrim aplikuesin, jo më vonëse 10 (dhjetë) ditë nga data e marrjes së kërkesës, për zgjatjen e afatit kohor për kthimin e përgjigjes.
5. Autoriteti publik, në rastin e  vonesave në dhënien e informacionit mjedisor si pasojë e paqartësisë së kërkesës, vepron, si më poshtë vijon:
a) Kur kërkesa për informacion mjedisor është formuluar në një mënyrë shumë të përgjithshme, ky autoritet i kërkon aplikuesit të specifikojë kërkesën jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga data e marrjes së saj.
b) Ky autoritet ndihmon aplikuesin në detajimin e kërkesës së tij, duke i ofruar informacion veçanërisht për përdorimin e regjistrave publikë ashtu siç përcaktohet në nënndarjen “iii”, të pikës 3, të këtij kreu.
6. Autoriteti publik, për përjashtimet nga publikimi i informacionit mjedisor, vepron, si më poshtë vijon:
a) Ky autoritet refuzon kërkesën për informacion mjedisor në rastet kur bërja publike e këtij informacioni ndikon negativisht në:
i. konfidencialitetin e procedurave të autoriteteve publike, kur kështu është përcaktuar në ligjin nr.9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”;
ii. marrëdhëniet ndërkombëtare, sigurinë publike ose mbrojtjen kombëtare;
iii. çështjet gjyqësore, në të drejtën e një personi për të pasur një proces të rregullt gjyqësor ose në të drejtën që mund të ketë një autoritet publik për  të ndërmarrë një hetim me natyrë penale ose disiplinore;
iv. ruajten e sekretit tregtar ose industrial, në rastet kur parashikohet nga aktet ligjore në fuqi ose në rastet e parashikuara në legjislacionin përkatës dhe që lidhen me ruajtjen e interesit ekonomik legjitim, përfshirë këtu edhe interesin publik për të ruajtur sekretin statistikor dhe fshehtësinë e taksave;
v. të drejtat e pronësisë intelektuale;
vi. ruajtjen e të dhënave personale dhe/ose dosjeve që lidhen me një person fizik, kur ky person nuk ka dhënë miratimin e tij për ta bërë publik këtë informacion,  sikurse parashikohet në ligjin nr.9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, ose nga akte të tjera ligjore në fuqi;
vii. interesat ose në mbrojtjen e çdo personi, i cili ka dhënë informacionin e kërkuar në baza vullnetare, pa qenë i detyruar ligjërisht për ta dhënë këtë informacion, në rastet kur personi nuk ka miratuar më parë publikimin e këtij informacioni;
viii. mbrojtjen e mjedisit, në rastet kur ky informacion lidhet me këtë fakt, sikurse është vendndodhja e llojeve të rralla dhe të rrezikuara.
b) Ky autoritet refuzon një kërkesë për të dhënë informacion mjedisor në rastet kur:
i. informacioni i kërkuar nuk mbahet nga/ose për autoritetin publik, të cilit i është bërë kërkesa. Në rastet kur autoriteti publik ka dijeni se ky informacion mbahet nga/ose për një autoritet tjetër publik, atëherë ai ia transferon kërkesën autoritetit përkatës, sa më shpejt të jetë e mundur, dhe për këtë njofton me shkrim aplikuesin, brenda 10 (dhjetë) ditëve. Autoriteti publik informon dhe këshillon aplikuesin për t’ia drejtuar kërkesën e tij autoritetit përkatës të sugjeruar;
ii.  kërkesa është qartësisht e paarsyeshme;
iii.  kërkesa është e formuluar në mënyrë shumë të përgjithshme, sipas përcaktimit të dhënë në pikën 3, të këtij kreu;
iv. kërkesa lidhet me materiale që janë në procesin e plotësimit ose me të dhëna apo dokumente të papërfunduara. Autoriteti publik, në këtë rast, informon aplikuesin për emrin e autoritetit që përgatit materialin dhe kohën që nevojitet për plotësimin e tij;
v.  kërkesa lidhet me komunikime të brendshme, duke pasur parasysh interesin publik si rezultat i nxjerrjes së informacionit.
c) Ky autoritet, përpara se të marrë vendim, rast pas rasti, për të refuzuar pjesërisht ose plotësisht kërkesën për informacion mjedisor, merr në konsideratë interesin publik, duke vlerësuar pasojën e nxjerrjes së informacionit, dhe e gjykon këtë interes kundrejt interesit si pasojë e refuzimit.
ç)  Ky autoritet, pavarësisht nga përcaktimi i shkronjës “a”, të kësaj pike, nuk refuzon kërkesën për informacion mjedisor, kur kjo kërkesë lidhet me dhënien e informacionit për shkarkimet në mjedis.
d) Ky autoritet, në rastet kur informacioni mjedisor i kërkuar nga aplikanti përfshihet në shkronjën “a” dhe nënndarjet “iv” dhe “v”, të shkronjës “b”, të kësaj pike, ia vë në shërbim informacionin e kërkuar në mënyrë të pjesshme.
7. Autoriteti publik, për rastet e refuzimit për dhënien e informacionit mjedisor jep arsyet, si më poshtë vijon
a) Ky autoritet i jep aplikantit arsyet e refuzimit për të dhënë informacion të plotë apo të pjesshëm, me shkrim ose në mënyrë elektronike.
b) Ky autoritet jep arsyet e përmendura në shkronjën “a”, të kësaj pike, brenda afatit kohor të përcaktuar në pikat 1, shkronja “c”, e 3, të kreut III, të këtij vendimi.
c) Ky autoritet, kur jep arsyet për refuzimin, informon aplikuesin edhe për të drejtat që ai ka për ta apeluar në rrugë administrative apo gjyqësore vendimin e refuzimit, ashtu siç përcaktohet në Kodin e Procedurave Administrative.
KREU IV
DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE
1.Tarifat për dhënien dhe pajisjen me informacionin mjedisor janë, si më poshtë vijon:
a) Dhënia e informacionit mjedisor nga çdo regjistër publik ose listë e krijuar apo e mbajtur në përputhje me pikat 2  dhe 3, të kreut II, të këtij vendimi, është pa pagesë.
b) Aplikuesi paguan tarifë për marrjen e informacionit, vetëm në rastet kur informacioni që kërkon është shumë voluminoz dhe nuk është informacion i disponueshëm, sipas pikave 2 dhe 3, të kreut II, të këtij vendimi.
c) Tarifat për marrjen e informacionit mjedisor përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për mjedisin dhe të ministrit të Financave.
ç) Autoriteti publik publikon listën e këtyre tarifave së bashku me informacionin për rrethanat, kur kjo tarifë paguhet ose jo.
2. Për rastet e shkeljeve të të drejtave ndiqet procedura e ankimit në rrugë administrative dhe gjyqësore, si më poshtë vijon:
a) Çdo person, kur konstaton se janë shkelur të drejtat e tij, të njohura nga ky vendim, ankimon në rrugë administrative, siç përcaktohet në nenin 15, të     ligjit nr.8503, datë 30.6.1999, “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”, dhe në Kodin e Procedurave Administrative.
b) Çdo person, kur konstaton se janë shkelur të drejtat e tij, të njohura nga ky vendim, ankimon në rrugë gjyqësore, siç përcaktohet në nenin 16, të          ligjit nr.8503, datë 30.6.1999, “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”.
3. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Financave dhe autoritetet publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
SALI BERISHA

energjia.al, 05.01.2012