Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

PS: Kromi në dorë të mafias. Reagon METE

Tetë deputetë të opozitës kanë protokolluar në kryesinë e kuvendit, një letër për kërkesë informacioni ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës Nasip Naco në lidhje me minierën e Bulqizës.
“Edhe pse greva e minatorëve mori fund pak kohë më parë me një marrëveshje ndërmjet Sindikatës dhe shoqërisë koncesionare ACR, duke i dhënë vetëm zgjidhje të përkohshme problemeve të vetë minatorëve, familjeve të tyre, qytetit dhe banorëve që jetojnë me galeritë e minierës, fakte të njëpasnjëshme më kokëfortë sesa justifikimet politike tuajat, të Kryeminsitrit e të Qeverisë, na lënë të kuptojmë se zgjidhja përfundimtare është më larg se kurrë, siç është rreziku fatal më afër se ndonjëherë më parë”, thuhet në fillim të letrës e inicuar nga deputeti Saimir Tahiri.
Ka dyshime serioze sipas të cilave grupe tërësisht mafioze e të veshura me pushtet, shkruajnë deputetët, kontrollojnë shfrytëzimin dhe tregëtimin e mineralit duke përdorur minatorët si skllevër e pasurinë kombëtare si mall pa zot dhe se galeritë e minierave janë shëndruar në kampet e përqëndirmit të kohëve moderne, ku varfëria mban peng vetë jetën dhe lirinë e minatorëve e familjarëve të tyre, ndërkohë që pushtetarë e biznesmenë të babzitur nxjerrin miliona euro përfitime me cmimin e lirë të lëkurës së minatorëve skllevër, që varfëria i detyron të punojnë e vdesin në galeritë e minierave.
Në mbështetje të nenit 8 të ligjit “Për Statusin e Deputetit”, ata i kanë hartuar 23 pyetje që presin të marrin përgjigje nga ministri Naco, ku kërkojnë të informohen sa janë minatorët që kanë humbur jetën në galeritë e minierave nga viti 2000 deri sot.
-Cila është pozita ligjore e kompanisë ACR në raport me shtetin shqiptar?
-Cili është kontraktori i vërtetë? Vazhdon Darfo me nënkontraktor ACR apo është ACR që zëvendëson Darfo me ndryshim emri?
-Cili është aktiviteti ekonomik i ACR nga viti 2000 kur është regjistruar për herë të parë si person juridik deri në 2007 kur filloi biznesin e mineralit në Bulqizë?
-Bazuar në marreshjen koncesionare të miratuar në Parlament 10 vite më parë, sa është totali i investimeve të realizuara nga koncesionari për secilin nga zërat e marrëveshjes?
-METE dhe ju si Ministër i METE, i njihni vlerë ligjore dhe detyruese marrëveshjes së nënshkruar në 9 Korrik 2009 ndërmjet Ministrit Ruli dhe ACR, marrëveshje që modifikonte marrdhënien koncesionare, por që ende sot e kësaj dite nuk është miratuar në parlament siç e kërkon ligji?
Me tej vazhdohet me pyetje te tjera qe lidhen me suigurine e jetes se njerezve, qe punojne ne kete miniere dhe proceset gjyqesore ku eshte perfshire kompania ACR.Gjithashtu, deputetët e opozitës kërkojmë t’u vihet në dispozicion i gjithë komunikimi ndërmjet kompanisë koncesionare “Dedeman” dhe METE.

TOP Channel, 19.12.2011

METE: Pse nuk firmosën deputetët e zonës, Abazi dhe Minxhozi?
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, është njohur dje me disa pyetje që një grup deputetësh të Partisë Socialiste, kanë bërë në adresë të këtij institucioni, lidhur me gjendjen në minierën e Bulqizës. METE pasi u njoh me pyetjet e deputetëve të rinj të PS-së, shpreh keqardhjen me këta deputetë të rinj, që vijojnë sjelljen jo-institucionale dhe ligjore, duke përdorur mediat si burim propagande, ndërkohë që ligji për të drejtën e informimit dhe e drejta si deputetë u jep atyre të gjitha hapësirat, jo vetëm të marrin të gjithë informacionin e kërkuar në rrugë ligjore, madje edhe shtesë, por edhe ta përdorin atë në interpelancë parlamentare.
METE shpreh shqetësimin e saj, se miniera e Bulqizës, minatorët, si dhe gjendja në atë sektor, janë duke u përdorur keqazi nga forca të caktuara politike, që nga ana e tyre përdorin për firma deputetësh të ardhur në Parlament në vitin 2009, madje edhe më vonë, dhe duan të harrojnë të kaluarën socialiste. Nuk është e rastit që në pyetjet e drejtuara, asnjë prej firmëtarëve, nuk ka qenë deputet nga viti 2000-2005, kur edhe janë dhënë rreth 54 përqind e lejeve minerare. Për METE, është e çuditshme që për një problem kaq serioz siç është situata në minierën e Bulqizës, Partia Socialiste nuk ka futur mes firmëtarëve edhe dy deputetët e qarkut të Peshkopisë ku përfshihet edhe Bulqiza, Sadri Abazi dhe Qemal Minxhozi.
METE shpreh habinë se si një grup ligjvënësish të rinj shqiptarë janë në dijeni se grupe mafioze të veshura me pushtet kontrollojnë minierat, dhe nuk i denoncojnë ata në prokurori, por bëjnë politikë me jetët e minatorëve dhe me familjet e tyre. Përsa u takon këtyre të fundit, METE ka treguar me ligj dhe jo me fjalë prej mëse një viti, se ajo është në krah të shqetësimeve të minatorëve. Vendimet për pezullim, apo edhe heqje liçencash shfrytëzimi janë ndërrmarrë nga ky insitucion dhe jo vetëm një herë, pa pasur nevojë për pyetje të parapërgatitura dhe të qëllimta politike.
Megjithatë METE mbetet e hapur dhe i siguron deputetët e rinj të Partisë Socialiste se ata dhe publiku shqiptar, do të marrin përgjigje të plotë dhe të saktë për çdo shqetësim dhe pyetje, duke kërkuar njëkohësisht prej tyre të marrin informacionin e nevojshëm edhe brenda forcës së tyre politike lidhur me marrëveshjet konçensionare të nënshkruara dhjetë vjet më parë. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës shpreh keqardhjen për çdo jetë të humbur në minierën e Bulqizës dhe premton gjithë vendosmërinë e saj për t’i thënë stop çdo lloj abuzimi politik dhe profesional në kurriz të minatorëve shqiptarë.
METE është e gatshme dhe bashkëpunuese në ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për minierat e Bulqizës, gjithashtu mbetet e hapur për një interpelancë parlamentare, nga deputetët e rinj të Partisë Socialiste.

energjia.al, 20.12.2011