Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Evazioni tatimor i naftës dhe kromit

Tatimet duket se e kanë gjetur pikën rrjedhëse të parave të buxhetit të shtetit, të paktën sa i përket sektorit të tyre. Për Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, Brisida Shehaj, kromi dhe nafta kanë pjesën e luanit në evazionin fiskal. “Ne po hetojmë transaksione bankare të lidhura me njëra-tjetrën, sidomos me Kinën dhe kur them Kinën kemi dy probleme kryesore, kromin, eksporti me Kinën dhe importi nga Kina është shumë i lartë. Është kjo pjesa më e madhe e evazionit përpos naftës, deklarimi i kromit”, pohoi Shehaj dje në një konferencë të gjatë për mediat.

Rezultatet e aksionit

Aksioni i qeverisë kundër informalitetit në biznes ka nisur të japë frutet e para. Vetëm gjatë këtyre 10 ditëve janë lëshuar 50 përqind më shumë kupona tatimorë nga biznesi në të gjithë Shqipërinë, duke rritur në këtë mënyrë të ardhurat në buxhet. Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Brisida Shehaj bëri publike dje shifrat e arritura deri më tani nga aksioni. Ajo tha se janë 1.440 subjekte, të cilat janë gjobitur për shkelje të ndryshme, siç janë punonjësit e pasiguruar, mungesa e kasës fiskale, apo shitja e produkteve pa kuponin tatimor. Shehaj bëri me dije gjithashtu se gjatë këtyre ditëve të para të shtatorit janë ushtruar gjithsej 13.352 kontrolle, gjatë të cilëve janë konstatuar 1.968 subjekte me shkelje (të lincensuar) por me punonjës të pasiguruar, pa kasa fiskale, mallra pa faturë kuponi tatimor; 1440 subjekte kanë marrë gjobë; 590 subjekteve u është konfiskuar malli pa faturë dhe 186 subjekte të paregjistruara.

Rritet me 50 përqind numri i kuponave

Në 10 ditët e para të shtatorit, bizneset kanë lëshuar 50 % më shumë kuponët tatimorë. Drejtoresha e Tatimeve tha se ka një rritje me 6.6 milionë dollarë të vlerës së tatueshme. “Kjo është një shifër e mirë dhe në bazë të kësaj do shohim xhiron ditore dhe më pas përcaktimin e tatimeve për çdo biznes”, tha Shehaj, duke shtuar se qëllimi i këtij aksioni nuk është vendosja e gjobave, por se synohet të arrihet në përfundimin që çdokush të ketë biznesin e tij në përputhshmëri me ligjin. “Ne nuk duam të vëmë gjoba, ne thjesht duam te mbledhim tatimet”, tha Shehaj. Duke ju referuar incidentit të shënuar në Peshkopi ku inspektorët u pritën me sëpatë nga një pronar biznesi, Shehaj tha se tatimorëve në terren u është komunikuar qartë udhëzimi: Jo represion, por bashkëpunim ndaj bizneseve. Shehaj apeloi gjithashtu për regjistrimin online të bizneseve në mënyrë që të shmangin radhët e gjata në zyrat e QKR.

Shkeljet me sigurimet

Aksioni kundër informalitetit ka evidentuar edhe shkeljet me sigurimet shoqërore. Sipas kreut të Inspektoriatit të Punës, Dritan Ylli, nga kontrollet ka rezultuar se 325 punonjës kanë qenë në punë informale. “Këto persona janë gjetur në 186 subjekte të paregjistruara por edhe në ato të formalizuara më parë”, tha Ylli, duke shtuar edhe se punonjësit duhet të jenë të parët që të denoncojnë rastet joformale. Shehaj dhe Ylli thanë se janë 400 grupe inspektimi të pajisur me ortofoto që po ushtrojnë kontroll në 600 minizona në terren.

Sot News,  14.09.2015