Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gazsjellësi, konsulenti i TAP: Do të ketë impakt të madh ekonomik

Gazsjellësi, konsulenti i TAP: Do të ketë impakt të madh ekonomikGazsjellësi Trans-Adriatik, i njohur zyrtarisht si “Trans-Adriatic Pipeline” (TAP), është një vepër gjigante me impakt shumë të madh për ekonomitë e gjithë rajonit dhe veçanërisht asaj të Shqipërisë. Sipas Dr.Fridbert Pflugerit, përfaqësues i kompanisë “Roland Berger”, e kontraktuar nga qeveria shqiptare si konsulente për negociatat me TAP-in, përzgjedhja e tij si fitues për furnizimin me gaz të rajonit do të jetë një zhvillim kyç për ekonominë tonë. Kjo, falë volumit të investimeve të projektit, si dhe falë të ardhurave që do arkëtojë Shqipëria si tarifë transiti. Në intervistën ekskluzive për “GSH”, Z.Pfluger, ish-sekretari gjerman i Mbrojtjes, vëren se projekti parashikon ndërtimin e një linje interkonjeksioni në truallin tonë, gjë që do ta kthente Shqipërinë në një qendër shpërndarjeje energjie për gjithë gadishullin ballkanik. Sipas tij, në Azerbajxhan, konsorciumi “Shah Deniz” kërkon te Shqipëria një partner të besueshëm për të furnizuar në të ardhmen me gaz të gjithë rajonin.
Përse është e nevojshme konsulenca juaj për projektin TAP?
Një gazsjellës i përmasave të tilla është një projekt gjigant. Kërkon shqyrtimin e marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare, marrëveshjeve po kaq të rëndësishme ndërqeveritare me shtetet fqinje, kërkon një ekspertizë shumë të madhe teknike dhe veçanërisht ambientale, duke qenë se respektimi i ambientit është një parakusht për shoqërinë. Kontributi ynë sjell ekspertizën e konsiderueshme që kemi në këto drejtime, falë përvojës që kemi pasur me projekte të mëparshme të kësaj natyre. Më duhet të them se ndihemi të lumtur që qeveria shqiptare na përzgjodhi neve për mbështetje. Janë ata që do të marrin vendimet, që do të thonë fjalën e fundit, por ne mund t’u vëmë në dispozicion përvojën dhe ekspertizën tonë. Jemi të gatshëm ta ndihmojmë qeverinë shqiptare të nënshkruajë një projekt që plotëson standardet më cilësore ndërkombëtare.
Projekti i gazsjellësit Trans-Adriatik është në kompeticion me dy projekte të tjera po kaq voluminozë. Cila është situata e kësaj gare?
Gjithçka është ende e hapur, nuk është vendosur projekti fitues. Gjithkush duhet të dijë që konkurrenca nga dy projektet e tjera është tepër e fortë dhe projekti fitues nuk është përzgjedhur ende. Por mendoj se janë të shumta shanset që të fitojë projekti që e kalon gazsjellësin përmes territorit shqiptar, pasi plotëson disa kushte shumë të rëndësishme nga pikëpamja ekonomike. Raportet e shkëlqyera që kemi me disa partnerë shumë të mëdhenj ndërkombëtarë si Stat Oil, EGL dhe kompaninë gjermane EON-Ruhrgas, na krijojnë akses të konsiderueshëm në kreditimin nga ana e bankave dhe shoqërive financuese. Por është edhe një element tjetër që më duhet ta përmend: Shqipëria ka treguar një gatishmëri të skajshme dhe vullnet shumë të mirë për t’u përfshirë në projekt. Nuk tregoj ndonjë sekret nëse them që në fillim ekzistonin dyshime mbi këtë projekt. Opinionet fillestare e shihnin gazsjellësin të kalonte vetëm në një vend, nëpër territorin grek. Njerëzit pyesnin, përse ta ndërlikojmë projektin e ta kalojmë në më shumë vende? Por duket se qeveria shqiptare pa një shans i cili nuk duhej lënë t’i shpëtonte vendit nga duart dhe arriti të përfshihej me sukses në projekt. Me pak fjalë, besoj se kemi në duar një ofertë shumë të mirë për t’ia paraqitur konsorciumit Shah Deniz, së cilës i takon edhe fjala e fundit.
Si përkthehet projekti në tërësi nga këndvështrimi i përfitimeve që i vijnë Shqipërisë? Cilat do jenë përfitimet në terma ekonomikë për vendin tonë?
Do të parapëlqeja të mos përmendja shifra konkrete. Ajo që mund të them me siguri është se nëse projekti TAP do të bëhet realitet, Shqipëria do të ketë përfitime shumë të mëdha. Së pari, në rast përzgjedhjeje, projekti do të kërkojë një sasi të konsiderueshme investimesh në terren, që do të thotë vende pune për shqiptarët. Por më pas, kur gazsjellësi të jetë përfunduar, Shqipëria do të përfitojë të ardhura të qëndrueshme prej tarifave të transitit. Nga ana tjetër, ekziston mundësia që këtu të ndërtohet një tubacion tjetër ndërlidhësi dhe Shqipëria të kthehet në një qendër shpërndarjeje energjie për gjithë gadishullin ballkanik.
Dje zhvilluat raundin e dytë të bisedimeve me qeverinë shqiptare. U fol për shqyrtimin e marrëveshjeve për pronësinë e tokës ku do shtrihet tubacioni, por edhe për ndërtimin e strukturave të mëdha të gazit në vendin tonë, ndërkohë që konsumatori shqiptar nuk ka teknologjinë e nevojshme për përdorimin e tij.
Kjo është edhe pika tjetër e marrëveshjes për konsulencë që kemi nënshkruar me qeverinë shqiptare. Po punojmë bashkë me qeverinë shqiptare që ky gaz, jo vetëm të kalojë nëpër territorin shqiptar, por edhe të përdoret nga konsumatori shqiptar. Hapi tjetër i projektit është ndërtimi i strukturave për magazinimin e gazit këtu, për ndërtimin e një linje interkoneksioni. Edhe kjo fazë e dytë e projektit do të jetë një shans shumë i mirë për Shqipërinë, qoftë në hapjen e fronteve të reja të punës, qoftë edhe për sjelljen e një forme të re energjie në vend. Siç e dimë të gjithë, energjia është parakushti për rritjen ekonomike. Nga ana tjetër, vërtet teknologjia për shfrytëzimin e gazit mungon aktualisht, ama ekziston një fillim, pa harruar që bëhet fjalë për teknologji që mund të përshtaten pa vështirësi nga tregu shqiptar. Nga ana tjetër, nuk mund të lë pa përmendur se shqiptarët kanë një mentalitet shumë të hapur ndaj gjithçkaje të re. Madje një prej arsyeve shtesë që na bën të shpresojmë se Shah Deniz do të përzgjedhë projektin TAP si më të volitshmin, është pikërisht se në Azerbajxhan e shohin Shqipërinë si mundësi për të hapur një treg të ri për tërë rajonin. Në Evropë e përdorim shumë gazin, ndërsa Ballkanit praktikisht i mungojnë infrastrukturat e mëdha të transmetimit e përdorimit të gazit, gjë që e bën rajonin një treg të konsiderueshëm. Për njerëzit e Shah Denizës, hapja e një tregu të ri është element me shumë prioritet. Dhe për këtë kërkohet një partner i besueshëm, që do të thotë se Shqipëria duhet të jetë një partner i besueshëm. Një partner që do t’u japë njerëzve në Shah Deniz në Azerbajxhan besimin e plotë.
Sa e besueshme ju rezulton Shqipëria si partner?
Deri tani kemi besim absolut te qeveria shqiptare. Patëm një raund të dytë bisedimesh dje. Jo vetëm klima e bisedimeve qe e mirë, por u nënvizua edhe më tej se TAP-i dhe Shqipëria ndajnë interesa të njëjtë në këtë projekt. Meqë ra fjala, jo vetëm Shqipëria dhe TAP-i, por Shqipëria, TAP-i dhe Evropa. Gjatë këtyre fazave qeveria shqiptare ka treguar se është e hapur për konsulencën tonë, dhe kemi arritur të krijojmë një marrëdhënie të bazuar te besimi i ndërsjelltë, me qeverinë Shqiptare në tërësi dhe me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës me të cilën komunikojmë më shumë.
Kur mendoni se do të mësojmë me siguri nëse TAP është përzgjedhur si projekti fitues nga Deniz Shah dhe sa optimist jeni për përzgjedhjen e tij?
Edhe në këtë pikë nuk do doja të jepja të dhëna të sakta, por është mëse e dukshme që nëse i kemi vënë synim vetes të kalojmë gaz në rajon përpara vitit 2018-të, kjo do të thotë se një përgjigje për pyetjen tuaj do ta kemi shumë shpejt. Kështu që është në interes të konsorciumit të Shah Deniz, që vendimi të merret sa më shpejt. Sa për optimizmin, më duhet të them se përzgjedhje e projektit Trans-Adriatik është vetëm fillimi i kësaj sfide gjigante.

Agjensia e Lajmeve Shume mire.