Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

EITI, standard që i bën nder Shqipërisë

Më 25 tetor 2011, Bordi Ndërkombëtar i Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (në anglisht, “the Exctractive Industries Transparency Initiative”- EITI) në mbledhjen e tij në Xhakarta të Indonezisë vlerësoi Shqipërinë si “një vend që ka regjistruar përparim domethënës (në anglisht “meaningful progres”) drejt zbatimit të plotë të EITI-t”. I dërguari special i kësaj Nisme, Peter Eigen, themelues i “Amnisty International” në datën 18 tetor ishte në Shqipëri dhe u shpreh: “U ndjeva i befasuar nga ky përparim mbresëlënës i vendit tuaj në një kohë kaq të shkurtër”. Vetë Eigen-i ka qenë për një kohë të gjatë edhe drejtor i Bordit të EITI-t. Por ç’është EITI? Nisma u lançua në vitin 2002 nga Kryeministri britanik Toni Bler në Samitin Botëror për Zhvillim të Qëndrueshëm. Synonte përmirësimin e transparencës dhe dhënies llogari në vendet e pasura me minerale, naftë dhe gaz. Megjithëse këto vende kanë potenciale dhe resurse të mëdha, studime të shumta dëshmojnë se këto shtete karakterizohen nga një rritje e vogël ekonomike nga një shkallë e lartë korrupsioni, si dhe konflikte sociale, krahasuar me vende që nuk i kanë këto burime. Kriteri, standardi bazë i EITI-t është publikimi i rregullt i pagesave që kompanitë minerare, të naftës dhe të gazit ose e gjithë industria nxjerrëse i bën shtetit, si dhe publikimi, transparenca e të gjitha të ardhurave që qeveria merr nga këto kompani. Vullnet dhe dëshirë për t’u anëtarësuar në EITI kanë shprehur kohët e fundit vende si SHBA, Australia etj. Presidenti amerikan Obama është shprehur më 20 shtator në Nju Jork: ”po vijojmë drejtimin tonë në përpjekjet globale kundër korrupsionit duke ndërtuar një legjislacion që u kërkon kompanive të naftës, gazit dhe atyre minerare që të deklarojnë pagesat e tyre që bëjnë në shtet. Mund t’ju deklaroj se SHBA-ja do t’i bashkohen nismës globale EITI, në të cilën këto industri, qeveritë dhe shoqëria civile punojnë së bashku për më shumë transparencë”. Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në EITI që nga maji i vitit 2009. Kjo, nëpërmjet një letre zyrtare të Kryeministrit Berisha drejtuar kryetarit të Bordit Drejtues të EITI-t. Që në vitin 2008, qeveria ngriti Grupin Ndërinstitucional të Punës për të ndjekur procedurat e anëtarësimit. Vlen të theksohet se në këtë grup shumicën e kanë përfaqësuesit nga kompanitë nxjerrëse dhe nga shoqëria civile. Po me vendim qeverie krijohet dy vjet më vonë Sekretariati shqiptar i EITI-t, që ndjek procedurat për anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plota në këtë nismë. Sekretariati ka publikuar Raportin tonë të Parë të Rakordimit të Pagesave për vitin 2009 dhe po përgatit procedurat për zgjedhjen e kompanisë së huaj të pavarur që do të bëjë Rakordimin 2010. Standardi EITI nënkupton pak a shumë kontroll të biznesit në industrinë nxjerrëse, që ky të kontribuojë më shumë në zhvillimin e vendit. Në qoftë se ka mosmarrëveshje, mosrakordime në lidhje me pagesat dhe detyrimet, EITI realizon auditimin sipas standardeve të tij dhe nëpërmjet administratorëve të tij të pavarur, të cilët i zgjidhin këto mosmarrëveshje. Standardi EITI kushtëzon me forcë që në këtë proces të jetë e angazhuar edhe shoqëria civile, së bashku me kompanitë dhe qeverinë (në shoqërinë civile futen të gjitha grupet e ndryshme të interesit, mediat, shoqatat ambientaliste etj.). Në këtë mënyrë ky proces bëhet më transparent dhe qytetari informohet qartë se ku shkojnë dhe si përdoren të ardhurat nga industria nxjerrëse e vendit të tij. Sidomos për zonat e margjinalizuara ku nxirren pasuritë tona nëntokësore  është e domosdoshme që komuniteti atje të jetë i informuar si duhet dhe ta ndjejë veten pjesë përbërëse të procesit. Një përqasje e tillë e bën vendin dhe shoqërinë tonë të besueshme, serioze, të angazhuar për investitorët e ndryshëm të industrisë nxjerrëse. Kemi ende shumë shanse për të dhënë koncesione në industrinë tonë nxjerrëse dhe standardi EITI e bën vendin tonë më tërheqës për investuesit e huaj strategjikë. Nëse kapëm shifrën mbi 1 miliardë euro investime të drejtpërdrejta të huaja tek ne vitin e kaluar (sipas raportit të UNCTAD-it), standardi EITI do të na ndihmojë ta rrisim këtë shifër në dy-tri vitet që vijojnë. Ai realisht i bën nder dhe i rri mirë vendit tonë.

Gazeta Standard, 08.12.2011