Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KESH drejt falimentit, humbja mujore 22.2 milionë USD, gropa e zezë 150 milionë USD në vit

Qytetarët shqiptarë humbin mbi 22.2 milionë dollarë në muaj nga Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare, e cila edhe pse nuk e pranon, po përjeton një periudhë krize për shkak të mungesës së energjisë nga njëra anë dhe detyrimit ligjor ndaj CEZ-it nga ana tjetër. Mungesa e reshjeve gjatë këtij viti, por dhe çmimi disa herë më i lartë i importit të energjisë krahasuar me çmimin me të cilin KESH furnizon CEZ-in, ka sjellë një situatë të vështirë financiare për kompaninë shtetërore, e cila i dhuron tashmë çdo ditë arkës së CEZ-it rreth 741.240  dollarë në ditë,
përjashtuar fitimet që nxjerr vetë CEZ me shitjen e energjisë konsumatorit dhe bizneseve. KESH prodhon aktualisht vetëm 6 milionë kilovat/orë energji në ditë. Por, sipas kontratës së privatizimit të OSSH nga çekët, KESH duhet të furnizojë CEZ-in, me 70% të energjisë që nevojitet për të plotësuar nevojat e popullatës me energji. Ndërsa CEZ-it i mbetet të sigurojë 30% të energjisë, të cilën edhe kjo kompani po e importon nga jashtë. Në këto kushte, mësohet se KESH po importon aktualisht 10.8 milionë kilovat/orë në ditë. Duke qenë se 1 kilovat/orë, KESH e blen jashtë me 8.4 lekë (60 dollarë megavati x 140 = 8.4 lekë), i bie që për 10.8 milionë kilovat/orë që importohet në ditë, KESH shpenzon 90.720 mijë lekë ose 900 mijë dollarë. (10.800.000 milionë kilovat x 8.4 lekë= 90.720 mijë lekë). Por nga këto para, KESH merr nga CEZ vetëm 155.000 dollarë. Llogaritë janë të thjeshta, 10.800.000 x 1.48 lekë që ia shet CEZ-it = 15.984000 lekë, ose rreth 155.000 dollarë. Nëse nga 900 mijë dollarë që KESH paguan çdo ditë për CEZ-in, zbresim 155.000 dollarë të cilat CEZ ia paguan KESH-it, rezulton se KESH humbet në import rreth 741.240 dollarë në ditë. E shumëzuar për 30 ditë që ka muaji, humbja llogaritet në  22.237.200 dollarë në muaj.
Vjet me fitime, sivjet me humbje kolosale
Situata e rëndë aktuale në KESH duket paradoksale nëse kujtojmë shifrat e një viti më parë.  KESH ka mundur që për vitin 2010 të sigurojë në total 27 miliardë lekë të ardhura me një fitim prej 17.2 miliardë lekësh. Një pjesë e mirë e këtyre parave kanë shkuar madje dhe për shlyerjen e kredive dhe overdrafteve të kompanisë, të marra në vitet e shkuara. Ndërsa këtë vit, KESH pranon se jo vetëm është me humbje, por ka nisur të marrë dhe overdrafte. Kjo gjendje katastrofike duket se e ka vënë në pozitë të vështirë dhe qeverinë, e cila pritet të përballet me një krizë të vërtetë, nëse  edhe gjatë këtyre muajve që vijnë, nuk do të ketë shira. Duke qenë se gjatë muajve të ftohtë që vijnë, shtohet dhe konsumi i energjisë nga popullata por dhe bizneset, i bie që të shtohet dhe importi, çka rrjedhimisht sjell më shumë shpenzime nga KESH, më shumë para të taksapaguesve shqiptarë që shkojnë kot. Nëse vijohet me këtë situatë, parashikohet që këtë gjatë këtyre muajve në vazhdim, KESH të shpenzojë rreth ose rreth 35-40 milionë dollarë në muaj, ose rreth 150 milionë dollarë në vit.
Faji i KESH
Nëse drejtuesit e KESH, gjatë vitit të shkuar do të kishin treguar më shumë përgjegjësi ndaj taksapaguesve shqiptarë, ndoshta situata këtë vit nuk do të kishte qenë kaq e rëndë me financat e kësaj kompanie shtetërore. Në fund të vitit të shkuar, ERE ia uli KESH-it çmimin e shitjes së energjisë për CEZ-in. E në vend që KESH ta kundërshtonte këtë vendim, pasi rëndonte direkt në financat e saj apo më saktë të qytetarëve shqiptarë, drejtuesit e kësaj kompanie në fakt heshtën, duke e pranuar vendimin sikur të kishte qenë një vendim pozitiv për të. Në fakt, gjatë diskutimit të çmimit të energjisë gjatë dhjetorit të 2010, ish zv/ministri i saj kohe Ilir Meta ndodhej në Çeki për një vizitë 2-3 ditore, e cila u pasua me pazarin e famshëm, që nuk rritej çmimi i energjisë për CEZ për të shmangur një revoltim të popullit në prang zgjedhjesh, por i ulej çmimi i energjisë me të cilin KESH ia shiste CEZ-it. Pra qytetarët ishin sërish të vetmit të humbur në këtë rast, por në një mënyrë më të kamufluar.

Gazeta Sot, 16.11.2011