Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia kërkon investime të mëdha! Intervistë me zotin Martin Kashek te “Çez Group”, ekspert ligjor dhe tregjesh në fushën e energjetikës për Bullgarinë, Turqinë dhe Shqipërinë

Në një intervistë të dhënë për gazetën “Metropol” Martin Kashek, ekspert në fushën e energjetikës, analizon situatën në Shqipëri dhe rrugët e përmirësimit si të marrëdhënieve me konsumatorin, ashtu dhe ndërmjet firmave.
– Zoti Kashek, a është tregu energjetik shqiptar i ndryshëm nga tregu bullgar apo turk?
– Për mendimin tim, tregu shqiptar i energjisë nuk është shumë i ndryshëm nga tregjet turke apo bullgare. Në tregun shqiptar unë shoh disa faktorë të ngjashëm me tregun bullgar të energjisë të para 5 vjetësh, për shembull: kompanitë janë akoma të pandara sipas linjave të biznesit, tregu nuk është i liberalizuar, legjislacioni energjetik duhet përditësuar, çmimet fundore për secilin komponent duhen ndarë, po përgatitet një ligj i ri për burimet e energjisë së rinovueshme dhe po përcaktohen flukset e parave (cash flow-të) për këto burime.
Unë shoh vetëm një ndryshim thelbësor: vendi juaj, Shqipëria, ka një bilanc negativ të energjisë, pra konsumon më shumë sesa prodhon. Dhe kjo sigurisht që nuk është gjë e mirë. Por ama kjo nuk do të thotë se diçka nuk shkon me Shqipërinë, sepse situata mund të ndryshojë. Çështja është sa shpejt do të ndodhin këto ndryshime në sektorin e energjisë.
– Nga eksperienca juaj, mund të krahasoni legjislacionin energjetik në Bullgari dhe Turqi me atë shqiptar?
– Legjislacioni energjetik themelor është i krahasueshëm. Nuk është e rëndësishme sa perfekt është legjislacioni, por sa zbatohet ky ligj. Dhe nëse jo, pse?
– Sipas jush, çfarë i nevojitet në këtë kohë reformës energjetike shqiptare?
– Besoj se nevojitet një vizion i qartë se ku do ta ketë Shqipëria sektorin e saj të energjisë pas një viti, pas tre vjetësh, pas 10 vjetësh. Një ide e qartë se sa do të kushtojë realizimi i këtij vizioni dhe të kuptohet se dikush duhet të paguajë që kjo të realizohet. Unë e kam parë Strategjinë Kombëtare për Energjinë, por nuk gjeta një vlerësim që të tregojë se realizimi i strategjisë nuk mund të jetë falas.
Siç e thashë dhe më sipër, Shqipëria ka një bilanc negativ energjie dhe një rrjet shpërndarjeje të amortizuar, ku investimet kanë qenë të pakta. Si do ta plotësojmë kërkesën në rritje për energji? Gjatë cilës periudhë? Ku do t’i ndërtojmë burimet e reja? Është rrjeti i shpërndarjes gati për transmetimin e energjisë? Në të ardhmen a do të jetë gati në kohë? Çfarë duhet të përmirësojmë në menaxhimin e energjisë? Ku qëndrojnë pengesat, cilat janë pikat më kritike në rrjet etj. Të gjitha këto pyetje duhet të bëhen nga njerëzit e duhur.
Në mënyrë që të përfundohet me sukses reforma energjetike, ky vizion dhe zbatimi i tij janë të domosdoshëm. Shqipëria nuk mund të presë zhvillim pa një sektor energjetik të fortë. Më vjen keq ta them, por sot ky sektor nuk është i fortë.
– Po të ishit në një ent rregullator energjie, si do të ishit sjellë në Shqipëri?
– Kjo është një pyetje e mirë. Në fillim më lejo të bëj një pyetje si një njeri i thjeshtë: si është e mundur që në Shqipëri shpërdorimi i energjisë është kaq i madh? Si është e mundur që keni mure xhami dhe shtëpitë nuk janë të termoizoluara? A mund t’u përgjigjet këtyre pyetjeve dikush nga institucionet kryesore? Sipas meje, ka tri mundësi: së pari, shqiptarët janë shumë të pasur, kështu që fatura e energjisë nuk është problem për askënd (e lëmë mënjanë faktin që duhet t’i kursejmë burimet e energjisë për fëmijët tanë); së dyti, çmimi i energjisë është shumë i lirë; dhe së treti, unë po vjedh energji apo nuk paguaj për atë që konsumoj, e njëjta gjë. Secili mund t’u përgjigjet këtyre pyetjeve për veten e vet.
Si një ish-anëtar i rregullatorit të energjisë në Republikën Çeke, mund të them se sektori i energjisë nuk është në gjendje të mirë, atëherë si mund ta shërojmë? Si një rregullator teorik i tregut shqiptar, unë do të ngrija pyetjen: si mund t’i përmirësojmë kushtet e sektorit energjetik? Së pari, ai që vjedh energjinë apo nuk e paguan, nuk do ta ketë atë, duke përfshirë këtu edhe institucionet shtetërore. Çfarë shembulli po i jep shteti konsumatorit privat? Së dyti, investime, investime, investime. I gjithë sektori i energjisë ka nevojë që gjatë 10 vjetve të ardhshëm të bëhen investime të mëdha. Politikat pro investimeve shtrojnë rrugën për një të ardhme të suksesshme.
Së treti, dhe më e rëndësishmja, elektriciteti kushton para dhe çmimi i tanishëm i energjisë nuk përkon me kostot reale, të gjithë e dinë këtë. Çmimi duhet të rritet, gjithmonë kështu do të jetë. Nuk ka mundësi tjetër, nëse doni që ky vend të zhvillohet. Duhet të hapni sytë. Çmimi i energjisë asnjëherë nuk ka për të qenë kaq i lirë sa është sot. Kjo situatë është e papërballueshme. Ai që e kupton këtë, ka bërë hapin e parë. Tani është koha për të, të fillojë të mendojë se si të kursejë energji elektrike dhe të zvogëlojë faturën e vet.
– Në ç’faza duhet të kalojë procesi i liberalizimit të tregut në vende si Shqipëria? A është me leverdi sot për Shqipërinë që ta liberalizojë tërësisht tregun e energjisë?
– Për mendimin tim, jo në situatën e tanishme. Liberalizimi i tregut do të ishte vetëshkatërrues. Edhe për konsumatorët e mëdhenj liberalizimi i tregut nuk do të ishte i dobishëm.
Është matematikë e thjeshtë: sot çmimi mesatar i energjisë për konsumatorin fundor është përafërsisht 10 000 lekë/MWH, gati 70 euro/MWH. Ky çmim përfshin shërbimet në rrjet dhe energjinë elektrike. Nga ky çmim 50% shkojnë për shërbimet në rrjet dhe 50% për energjinë elektrike. Kjo do të thotë se në tarifat ekzistuese 35 euro/MWH shkojnë për elektricitetin. Situata është ndryshe në vende të ndryshme, por mund të përdorim këtë raport, që do të thotë se çmimi për energjinë elektrike i përfshirë në tarifën aktuale është përafërsisht 35 euro/MWH.
Çmimet e energjisë në tregun e lirë janë 55 euro/MWH, pa tavane çmimi, që do të thotë 20 euro/MWH më shumë sesa paguan tani klienti fundor. Po të shohim strukturën e tarifës në Shqipëri, do të kuptojmë se elektriciteti po përdoret për politikat sociale.
Liberalizimi i tregut nuk do të thotë që disa kosto do të pushojnë së ekzistuari. Kostot do të vazhdojnë të jenë të njëjtat, atëherë kush do të paguajë? Konsumatori fundor. Kompanitë e energjisë (duke përfshirë KESH-in, CEZ-Shpërndarjen dhe OST-në) nuk janë në gjendje ta mbulojnë diferencën në çmim. Pra, është e qartë se liberalizimi i tregut tani pa dyshim do ta rriste çmimin e energjisë për të gjithë konsumatorët fundorë.
Si ta zgjidhim këtë problem? T’i mbajmë të gjithë konsumatorët fundorë bashkë derisa çmimi i rregulluar të afrohet me çmimin real. Pas kësaj hap tregun e prodhimit të energjisë dhe lejo që konsumatorët fundorë të bëhen të kualifikuar, si dhe lejo furnizuesit të konkurrojnë me njëri-tjetrin. Po, çmimi do të rritet, por, siç e thashë edhe më lart, nuk ka rrugë tjetër.
Për mendimin tim, liberalizimi i tregut tani do të sillte rrënimin e sektorit të energjisë. Në Republikën Çeke u deshën 5 vjet për liberalizimin e tregut të energjisë, edhe pse ne filluam nga një pozicion më i mirë. Nëse mendon se do të sjellë uljen e çmimeve, po them se do ndodhë krejt e kundërta.
– Cila është pika e fortë e kompanisë që ju përfaqësoni, “Cez Group” në furnizimin me energji në Ballkan (Bullgari, Shqipëri, Turqi, etj.)?
– “CEZ Group” është një kompani me financa të shëndetshme dhe të forta, e cila sjell eksperiencën dhe njohuritë e saj dhe është e gatshme të investojë në rrjet. Sasia e investimeve varet nga secili shtet dhe kushtet që krijon ai shtet për një bashkëpunim pozitiv në të ardhmen. Puna nuk mbaroi me aktin e privatizimit. Asnjë kompani energjetike nuk mund ta ndryshojë situatën e vetme pa bashkëpunimin e shtetit. Nëse ky i fundit nuk ka një vizion për zhvillimet e ardhshme të sektorit të energjisë, sigurisht që edhe CEZ-i, si çdo investitor tjetër në botë, kërkon që t’i fitojë paratë e investuara.
– Si e shikoni të ardhmen e tregut energjetik për Shqipërinë dhe për rajonin Ballkanik?
– Dua të them se shoh një të ardhme pozitive, por për një vizion pozitiv nevojitet të ndërmerren disa hapa, që janë të vështirë dhe aspak popullorë. Shqipëria, dhe i gjithë Ballkani, duhet të zgjedhin midis dy rrugëve: atë të rritjes së shpejtë apo të ndenjurit në vend-numëro. Gjithçka varet nga ne. Varet nga ne se cilat standarde jetese zgjedhim dhe cilin treg energjetik do të mbajmë. Asnjë kompani nuk do ta bëjë këtë për ne.

Gazeta Metropol, 03.11.2011