Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

METE: Qeveria gjermane ofron 1 milion euro për përafrimin e legjislacionit shqiptar me Direktivat e BE

Një projekt 1 milion euro i financuar nga qeveria gjermane dhe i zbatuar nga Deutsche Gesellschaftfuer Techniche Zusammenarbeit (GIZ) gmbH do të mbështesë Ministrinë e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me Acquis e BE-së për dy vitet në vazhdim. Projekti do të sjellë përvojën e ekspertëve europianë, rajonalë dhe lokalë për të asistuar Grupet Ndëristitucionale të Punës nën koordinimin e METE-s në përmbushjen e detyrave të tyre në procesin e integrimit.
Projekti “Mbështetje për zbatimin e Legjislacionit Shqiptar të përafruar me atë Europian” u lançua dje në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Zv.Ministri i METE, z. Enno Bozdo, Zv.Ambasadori i Gjermanisë, z. Erik Tintrup, Drejtori i GIZ për Shqipërinë, z. Martin Marschke, Drejtoresha e Projektit, znj. Blerina Raca, përfaqësues të tjerë nga METE, GIZ dhe nga ministri të tjera të qeverisë shqiptare. Ky projekt synon të mbështesë procesin e përafrimit të legjislacionit ekonomik shqiptar me acquis e BE-së, si dhe në fuqizimin e strukturave të nevojshme për zbatimin e tyre.
Duke qenë se detyrat që lidhen me përafrimin e legjislacionit dhe zbatimin e ligjit janë komplekse dhe kanë nevojë për mekanizma të veçanta drejtuese, asistenca e ofruar do të fokusohet kryesisht në këshillimin dhe mbështetjen e METE-s dhe sidomos të anëtarëve të grupeve ndërministrore të punës që angazhohen ne përafrimin e legjislacionit ekonomik me atë të BE-së.
Projekti kontriboun në përgjithësi në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian e që gëzon përparësi absolute në reformën dhe sistemin ligjor ekonomik shqiptar. Në veçanti, projekti do trajtojë përafrimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe zbatimin e koordinuar të acquis të BE-së në sektorin ekonomik dhe të Tregut të Përbashkët (kapitulli 1, 3, 6, 7, 15, 20, 28 dhe 30 i acquis së BE-së).
Në fjalën e tij gjatë lançimit të projektit, Zv.Ministri z. Bozdo falënderoi qeverinë gjermane dhe GIZ për ndihmën që ajo po i jep qeverisë shqiptare në përmbushjen e detyrimeve në procesin e integrimit evropiane. Z. Bozdo u shpreh se, dhënia apo jo e statusit të vendit kandidat të BE-së nuk e pengon qeverinë shqiptare që të fillojë që tani punën në përgatitjen e saj për hapjen e negociatave”.
Fjala e plotë e Zv.Ministrit të METE-s, z. Enno Bozdo:
I nderuar z. Tintrup, Zëvendësambasador i Republikës Federale të Gjermanisë,
I nderuar z. Marschke, Drejtor i GIZ për Shqipërinë
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja e Zotërinj,
Është një kënaqësi e veçantë për mua të përshëndes këtë takim që shënon hapjen e një projekti të rëndësishëm të financuar nga Qeveria Gjermane, në mbështetje të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), në përgjegjësitë e saj për përafrimin e legjislacionin dhe forcimin e institucioneve, për të gjitha fushat apo kapitujt që rregullojnë “Tregun e Brendshëm Evropian”.
METE, në këtë proces, është përgjegjëse për tetë kapituj, të cilët trajtojnë tema shumë të rëndësishme si “lëvizja e lirë e mallrave”; “e drejta e vendosjes dhe liria e ofrimit të shërbimeve”, “legjislacioni tregtar”, “pronësia intelektuale”, “energjia”, “politikat industriale”, “mbrojtja e konsumatorit” si dhe “politikat tregtare”.
Pas një pune të vështirë dhe voluminoze, është koha të jemi krenarë për nivelin shumë të mirë teknik të përgjigjeve të përgatitura nga METE dhe Institucionet e tjera gjatë plotësimit të pyetësorit. Përgjigjet tona u vlerësuan dhe Shqipëria mori notë të lartë për përgatitjen dhe menaxhimin e këtij ushtrimi shumë kompleks, ndoshta më kompleksi me të cilin administrata publike ishte përballuar ndonjëherë. Por, siç edhe e kemi thënë që në atë kohë, përgatitja e përgjigjeve për pyetësorin është pjesa më “thjeshtë” e të gjithë trajektores së integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Nën këtë perspektivë, është mëse e sigurt që hapja e negociatave do të përbëjë një sfidë edhe më të vështirë për administratën publike, sfidë ku kapacitetet e saj do të vlerësohen jo thjesht në dhënien e përgjigjeve, por edhe në aftësinë e ndërmarrjes dhe vënies në zbatim të reformave të domosdoshme që shoqërojnë procesin e integrimit.
Zonja e zotërinj,
Raporti i fundit i Progresit i përgatitur nga Komisioni Evropian, është një dokument i shkëlqyer pune për të gjitha ministritë dhe agjencitë tona, e sigurisht edhe për METE-n në të gjitha përgjegjësitë që ajo mbart në procesin kompleks të integrimit. Është padiskutim një kënaqësi e veçantë për drejtuesit e METE, ndërsa shohim se për të tetë kapitujt tanë është vënë re një progres i konsoliduar. Kjo është një e dhënë veçanërisht e rëndësishme sepse tregon që qeveria shqiptare dhe administrata e saj vijuan me këmbëngulje rrugën e tyre të reformave, pavarësisht ngjarjeve komplekse dhe proceseve aspak të thjeshta, në të cilat kaloi vendi këtë vit. Raporti i Progesit i Komisionit Evropian, si një vlerësues teknik dhe i paanshëm i progresit të Shqipërisë, është mjaft pozitiv dhe do të kishte qenë më se i mjaftueshëm që në kushte normale, vendi të merrte statusin e dëshiruar të “Vendit Kandidat” të Bashkimit Evropian.
Për fat të keq kjo nuk ka ndodhur edhe këtë vit, dhe sigurisht jo për faj apo përgjegjësi të administratës publike apo ekzekutivit shqiptar.
Por sot ne fillojmë këtë projekt të ri, i cili do të mundësojë mbështetje për METE-n në këtë proces. Nën këtë këndvështrim, fakti në se Shqipëria ka marrë apo jo statusin e vendit kandidat nuk përbën asnjë ndryshim. Edhe në se Raporti i Progresit do të ishte i ndryshëm, përsëri ne do të ndërmernim po të njëjtët hapa, të cilët po i fillojmë që sot, me një punë sistematike në përgatitjen e planeve për përditësimin e legjislacionit, në përgatitjen e reformave për ngritjen dhe forcimin e institucioneve, në krijimin dhe mbështetjen e grupeve të ekspertëve, të cilët do të negociojnë çdo kapitull me ekspertët evropianë; në ngritjen e sistemeve tona të brendshme të vlerësimit dhe monitorimit nga ku mund të menaxhojmë me efikasitet këto procese të cilat, në cilindo prej skenarëve, do të kërkojnë të paktën disa vjet.
Pra sot jemi këtu jo thjesht për të iniciuar një projekt të rëndësishëm, por mbi të gjitha, për të treguar se METE tashmë ka filluar punën dhe nuk do të humbë kohë në përgatitjet e saj për hapjen e negociatave, për përditësimin e legjislacionit dhe ndërmarrjen e të gjitha reformave të tjera të nevojshme. Edhe kjo pavarësisht në se e gëzojmë apo jo statusin, pavarësisht në se atë mund ta marrim në dhjetor, mars apo tetorin e vitit 2012.
Po e mbyll fjalën time me një falënderim të veçantë për qeverinë gjermane dhe GIZ, për ndihmesën e tyre shumë të vlerësuar që i japin METE-s dhe qeverisë shqiptare. Më duhet gjithashtu të kujtoj se qeveria gjermane dhe GIZ janë bashkëudhëtarë të disa reformave të rëndësishme ekonomike, duke ofruar në vazhdimësi këtë ndihmesë. Në të njëjtën kohë, jam i sigurt se ky projekt do të rezultojë i suksesshëm, sepse përkushtimi i stafit të METE si dhe të ministrive e agjencive të tjera që punojne me ne, do të jetë maksimal.

energjia.al, 21.10.2011