Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qeveria shpërblen zyrtarin e LSI me 5 HEC-e

Ministri i METE-s “propozon” kreun e LSI-së së Vlorës, qeveria i jep koncesion me bonus
Qeveria shpërblen përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim me dhënien e pesë hidrocentraleve me koncesion. Bëhet fjalë pikërisht për dhënien me koncesione të hidrocentraleve “Iballë 1, 2, 3” dhe “Sapaç 1, 2”. “Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore për dhënien me koncesion të formës BOT (Ndërtim, Operim dhe Transferim) të hidrocentraleve “Iballë 1, 2, 3” dhe “Sapaç 1, 2”, është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Miratimin e bonusit prej 2% të pikëve për rezultatin, teknik dhe financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse (propozim i pakërkuar) për dhënien me koncesion të këtyre hidrocentraleve, që i jepet shoqërisë “Energy Finance Menagement Shqipëria”, shpk”, thuhet në vendimin e qeverisë. Sipas këtij vendimi të marrë në mbledhjen e datës 12 tetor, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në procedurën konkurruese përzgjedhëse për dhënien me koncesion të hidrocentraleve “Iballë 1, 2, 3” dhe “Sapaç 1, 2” të pranojë oferta për të gjithë pjesën e lirë të skemës, ku përfshihet ndërtimi i këtyre hidrocentraleve. Sipas të dhënave zyrtare të QKR, në bazë të një investigimi rezulton se Selami ka pjesën më të madhe të këtyre aksioneve. Selami njihet si një nga njerëzit që ka investuar në fushën e futbollit, ku ka qenë një nga presidentët e klubit Flamurtari të Vlorës. Mbi bazën e këtij vendimi rezulton se përfaqësues i firmës “Energy Finance Menagement Shqipëria” është edhe Shkëlqim Selami, me 32,5 për qind të aksioneve. Ai është kreu i LSI-së për qytetin e Vlorës, njëherësh edhe anëtar në këshillin bashkiak, si përfaqësues i kësaj partie. Selami zotëron dhe shumicën e aksioneve në firmën “Energy Finance Menagement Shqipëria”. Pjesa tjetër e aksioneve përbëhet nga dy ortakë të tjerë, të cilët zotërojnë kuota të barabarta aksionesh në 22.5 për qind. Ajo figuron ende me statusin aktiv. Objekti i kësaj firme, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, është “Ndërtimi dhe financimi i objekteve civile dhe industriale, veprave energjetike, ndërtimi i hidrocentraleve e termocentraleve të të gjitha llojeve, ndërtimi rrugëve, hekurudhave, porteve aeroporteve, kanalizimeve etj. Punime rikonstruksioni të objekteve civile e industriale”. Gjithashtu firma ka si objekt edhe “Hartimin e studimeve, projekteve dhe zbatimi i tyre për qëllime financimi dhe rehabilitimin e mjedisit në zonat e ndotura. Vlerësimi tekniko-ekonomik i veprave ndërtimore, projektim e zbatim i veprave industriale, hapje dhe shfrytëzim minierash, ndërtim impiantesh fraksionimi. Prodhimi e përpunimi i materialeve që përdoren në ndërtim. Shitblerje e energjisë së prodhuar nëpërmjet ujit apo burimeve të tjera të rinovueshme. Import, eksport dhe tregti me shumicë e pakicë i materialeve të ndërtimit brenda dhe jashtë vendit për llogari të shoqërisë apo të tretëve. Import, eksport, tregti të produkteve ushqimore, industriale etj. Transport kombëtare e ndërkombëtar etj.” janë objektet e tjera të firmës. Sipas të dhënave zyrtare të QKR-së, kjo firmë është themeluar më 03/02/2010. Vendimi më i fundit i qeverisë rezulton se është marrë në konflikt interesi, pasi ministri i Ekonomisë që ka propozuar Nasip Naço është përfaqësues i LSI-së në kabinetin “Berisha”. LSI që nga 2009-a është në koalicionin qeverisës me Partinë Demokratike. Që nga qeverisja e djathtë janë dhënë kontrata të konsiderueshme në formë koncesioni për ndërtimin e HEC-eve. Kryeministri Berisha kohët e fundit pati deklaruar se do të ketë rritje të investimeve në fushën e energjisë, duke premtuar kështu edhe ndërtimin e 443 HEC-eve në vend me vlerë 200 milionë lekë. Opozita prej kohësh ka qenë kritike për mënyrën e dhënies së koncesioneve nga ana e qeverisë, ku ka akuzuar se dhënia e tyre është kryer mbi bazën e konfliktit të interesit. Sipas opozitës në këtë proces kanë përfituar njerëz të tarafit të ministrave. Shumë prej vendimeve të marra nga qeveria për ndërtimin e HEC-eve po hasin në vështirësi, pasi pjesa më e madhe e tyre nuk i ka përfunduar projektet ende. Lidhur me këtë çështje, Kryeministri Berisha i kërcënoi këto firma duke deklaruar se do të heqë lejet e firmës koncesionare, në rast të moszbatimit të kontratave të përfituara. Edhe në mbledhjen e dy javëve më parë, qeveria mori vendim për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të 7 hidrocentraleve dhe miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet shoqërisë. Kryeministri Berisha, duke prezantuar vendimet, e konsideroi këtë një zhvillim pozitiv, në përpjekjen për të shndërruar në vlera për qytetarët shqiptarë pasuritë dhe asetet e vendit, siç është edhe pasuria hidrike. “Po ta cilësonim mbledhjen e sotme të qeverisë, do ta quanim mbledhja e energjisë. Rendi i ditës ka vendime për 7 hidrocentrale të reja që janë përgatitur nga Ministria e Ekonomisë e AKBN dhe jepen bonuset për t’u nxjerrë në tender. Edhe ky është një nga zhvillimet më pozitive të këtyre viteve. Shumë i rëndësishëm është fakti se vazhdon të jetë i lartë interesi për ndërtimin e tyre. I rëndësishëm është gjithashtu fakti se studime intensive po bëhen në të gjitha ujërat e vendit, që përfaqëson një Norvegji të vogël në Ballkan. Vitin e kaluar Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon me rritje të investimeve dhe të mos harrojmë se investimet e vjetshme nuk kanë pasur lidhje me privatizimet, të cilat hynë edhe ato tek investimet e huaja. Të gjitha investimet prej 1 miliard e 97 milionë, përveç 30 milionëve të një licence, kanë qenë të gjitha investime”, tha Berisha në mbledhjen e 7 tetorit. Më tej ai theksoi se “edhe shumë më të mëdha kanë qenë investimet direkt të qytetarëve shqiptarë. Ndaj përpjekja jonë për t’i shndërruar në vlera e të mira për qytetarët shqiptarë, për t’i shndërruar në energji elektrike, të ujërave që derdhen pa vlerë në det, vetëm sa hollojnë kripën e detit, është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ne duhet të bëjmë gjithçka që asetet e pasuritë tona t’i shndërrojnë në vlera për qytetarët”.

Gazeta Shqip, 16.10.2011