Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rusët, interes për investime te karburantet dhe turizmi

Zhvillohet forumi “Dita e biznesit shqiptar në Moskë”
Edhe pse konsiderohet një treg i vogël në raport me rusët, bizneset e këtij shteti jo pak herë kanë shfaqur interes për t’i shtrirë asetet edhe në vendin tonë.
Takimet e shumta të zhvilluara pak ditë më parë në Moskë mes dy delegacioneve të dhomave të tregtisë konfirmuan interesin e sipërmarrjes ruse për të investuar në Shqipëri. Në mënyrë simbolike ky forum u quajt “Dita e biznesit shqiptar në Moskë” dhe ku morën pjesë krerët e dhomave të tregtisë si dhe zyrtarë të tjerë. Pala ruse e vlerësoi mjaft zhvillimin e këtij forumi, prej të cilit kërkoi nxitjen e një bashkëpunim sa më të frytshëm në interes të dy palëve. Ajo veçoi si përparësi në këtë bashkëpunim, energjetiken, fushën e karburanteve, turizmin etj.
“Për investitorin rus, në një shikim të parë, Shqipëria është një vend dhe treg i vogël. Por nuk duhet të harrojmë se ajo është e vendosur në zemër të tregut më të madh të botës dhe disponon të gjitha marrëveshjet ligjore për eksport në mbarë Europën dhe më gjerë”, – iu drejtua biznesit rus kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka.
Referuar statistikave zyrtare, Shqipëria importon nga Rusia kryesisht drithëra. Sipas INSTAT-it, deri në muajin gusht importet nga Rusia shënuan një vlerë prej 6.2 miliardë lekë, ose rreth 2 miliardë më pak se një vit më parë, kurse eksportet regjistruan një nivel prej 13 milionë lekë. Pra, siç shihet, shkëmbimi tregtar mes dy vendeve është në nivele tepër modeste, ku më e fituar del Rusia.

Gazeta Shqip, 24.09.2011