Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Taksa e qarkullimit dhe cilësia, ndikimi në çmimet e naftës

Fundi i sezonit turistik po “kërcënon” konsumatorin shqiptar me parashikime mjaft të zymta mbi çmimin e karburanteve dhe nuk është diçka e paimagjinueshme që benzina dhe diezeli nëpër stacionet e karburanteve të kuotohet shpejt pranë 200 lekë/litër, për shkak të “zgjidhjes” më të fundit fiskale: taksës së qarkullimit. Qeveria po e aplikon taksën e re me justifikimin e rregullimit të tregut dhe pakësimin e ndotjes, por që sigurisht i “rregullon” asaj së pari financat, kurse për reduktimin e ndotjes mbetet për t’u parë. Një shoqërie të huaj iu dha ish-monopoli shtetëror i kontrollit teknik të automjeteve e kjo u trumbetua si një zgjidhje produktive; se sa e tillë rezultoi qytetarët e shohin përditë në “barakat 4-rrotëshe” (siç i emërton makinat e vjetra një shkrim mjaft entuziast për koston “dobiprurëse” të taksës së qeverisë në raport me ndotjen) që paguajnë nën dorë e vazhdojnë të lëvizin.
Shumëkush mund ta dijë se një makinë mjaft e re nga vitet katandiset e vjetër nga karburanti e lubrifikanti që përdor, nga mungesa e rrugëve, ndriçimit e sinjalizimeve në to, nga persona pa e me patenta false që i marrin jetën njeriut dhe jo më makinës, nga turli servise të autorizuara apo të paautorizuara me ustallarë “nallbanë”, nga pjesë këmbimi që hyjnë me dhe pa doganë, nga burime false dhe që u shiten qytetarëve me vlerën e floririt etj.
Nga një vrojtim gjatë javës së fundit të gushtit, çmimet e karburanteve me pakicë në më shumë se gjysmën e stacioneve përgjatë rrugës Durrës-Tiranë, sidomos në hyrje-daljet përkatëse, u rritën 2-3 lekë/litër, thuajse menjëherë pas hyrjes së taksës në fuqi, pavarësisht rezervave që normalisht shoqëritë mbajnë në depozitat e stacioneve. 2-3 kompanitë që dominojnë të vetme tregun e shumicës për sa u përket karburanteve të importuara, por që tanimë gradualisht po dominojnë dhe atë të pakicës, megjithatë reaguan “me delikatesë” në stacionet e tyre; ato nuk e rritën çmimin menjëherë.
Në mënyrë të menjëhershme reaguan doganat shqiptare, në ditët e para të shtatorit. Pa njoftim paraprak ato aplikuan TVSH mbi taksën e karbonit (1.5 dhe 3 l/litër) duke rënduar koston e rritur tashmë të produktit edhe me 0.3-0.6 lekë/litër! Për një çmim mesatar të diezelit 10 ppm për periudhën turistike prej 167 lekë/litër, rritja është 6.6 lekë/litër ose 4%; benzina 95 Oct 10 ppm për çmimin mesatar 170 lekë/litër, rritja është 6.3 lekë ose 3.7%!
Të përgatitura prej kohësh për hyrjen në fuqi të taksës dhe ndoshta pse jo, të bashkërenduara me organet vendimmarrëse për kohën e aplikimit të saj, grosistët importues mbajtën për gati gjithë periudhën e “bumit turistik” nivele çmimesh 5-16 lekë/litër më të larta se pjesa tjetër e tregut të pakicës: p.sh. në segmentin e tejngopur me stacione karburanti Durrës-Tiranë para 24 gushtit vetëm 3-4 shoqëri kanë pasur çmimet eurodiezel 166-168 deri 175 l/ltr e benzinë 95 Oct 168-170 deri 176 l/ltr. Deri para 24 gushtit, në segmentin rrugor Durrës-Tiranë prej rreth 34 km gjatësi me mbi 40 e ca stacione aktive karburantesh në të dyja anët, mund të furnizoheshe p.sh. me eurodiezel 166 l/ltr në hyrje nga Durrësi, me 175 lekë/litër në mes dhe me 159 pikërisht pak para Zogut të Zi! Një diferencë e tillë çmimi pakice për të vetmin standard të lejueshëm të lëndës djegëse për automjete qoftë të importuar, qoftë vendas diesel 10 ppm, lë qartazi shteg për të pretenduar faktin se ose abuzohet me cilësinë e tij, ose me çmimin, pastaj me deklarimin e ndoshta me sasitë, me nivelin e shërbimit ndaj konsumatorëve etj., deri te “hiletë” e shumta të zanatit e korruptimin e mbikëqyrësve. Organet kontrolluese, tatimore e doganore, ato të konkurrencës e mbrojtjes së qytetarit, nuk kanë treguar interes për t’i hyrë në thellësi fenomenit të ndryshimeve drastike në çmimet e pakicës, pavarësisht nga fiskalizimi i aktivitetit, i cili me këtë rast vlen të theksohet se është proces teknik e jo çelës magjik për autoritetet apo për bizneset e naftës që mbylli së fundmi çdo lloj abuzimi. Ndryshe, përse produkti i njëjtë vendas shitet në treg me shumicë (përkatësisht dhe me pakicë) në diferencë të theksuar me atë nga importi, përse në mjaft pika të periferisë, kamionë, furgonë etj., mund të blejnë nafta të dobëta e pa kasë dhe me çmime edhe me të ulëta se shumica zyrtare, apo të të afrohen furnizime me çmime më të ulëta se ato të tabelës nga pistoleta “të veçanta”, përse në disa pika nuk pasqyrohen dukshëm për konsumatorin lloji i produktit e çmimi në tabelë etj.?
Abuzimi me cilësinë sot trumbetohet i tejkaluar, kurse batërdia me D2 dhe naftën virxhin i pak kohëve me parë, konsiderohet tashmë subjekt thjesht për konsum mediatik; vendosja e kasave në dalje të çdo litër produkti nëpërmjet një procedure të kontestuar dhe nga vetë bizneset, përmendet si fundi absolut i abuzimit me sasitë! Në terren gjërat lëvizin ndryshe, janë sofistikuar metodat, rrugët e “gjenia” e disa tregtarëve për përfitime në kurriz të cilësisë, por kryesore mbeten mungesa e profesionalizmit e përkushtimi i mbikëqyrësve pa harruar kapacitet korruptive të disave që manipulojnë me aparatet, kasat, që matin volumet, që vënë pullat e markojnë produktin.
Një vendim më i fundit i qeverisë për dhënien një shoqërie të huaj aktivitetin e markimit (shënjimit) të naftave në Shqipëri, përmendej nga “energjia.al” si një iniciativë e qeverisë për rritjen e cilësisë së kontrollit të naftave që hyjnë në Shqipëri. Pas datës 24 gusht, një pjesë e madhe e këtyre çmimeve kanë ngelur të tilla ose janë rritur siç përmendëm nga pak. Ndërsa një prej tyre i ngriti shpejt fiks 5 lekë/litër, duke na konfirmuar se rezerva në depozita mund të ketë dhe të mos ketë, por qeveria e agjencitë e saj do të konfirmojnë si gjithmonë përrallën e vjetër mbi rezervën ligjore të sigurisë.

Gazeta Shqip, 07.09.2011