Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kontrabanda (e naftës), gjyq edhe për pastrim parash

Akuza: Biznesmenët pastruan paratë e fituara nga aktiviteti i ndaluar
Prokuroria ka faktuar se fitimet nga tregtimi i naftës virgin dhe të ardhurat nga rimbursimi i TVSH-së që i bënte shteti firmave “Euroil” dhe “Fisheku”, janë investuar në disa kompani të tjera, duke sjellë në këtë mënyrë edhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Grupi hetimor po bën bilancet e fundit para se të dërgojë çështjen në gjykatë, ku njëra nga akuzat që do të rëndojë ndaj 16 të pandehurve është edhe pastrimi i parave. “Ka dyshime se një pjesë e mirë e këtyre të ardhurave janë investuar në disa kompani të tjera që zotërojnë të pandehurit. Krahas akuzës së mashtrimit me pasoja të rënda, falsifikimit të dokumenteve, një tjetër vepër penale që do t’u atribuohet biznesmenëve që janë marrë me këtë aktivitet kriminal është edhe pastrimi i parave, duke zbardhur në këtë mënyrë edhe dëmin që i është shkaktuar shtetit shqiptar, i cili llogaritet miliona euro. Akuza thotë se ka llogaritur të gjithë dëmin me një kontabilist të kontraktuar nga akuza qendrore dhe këto prova do t’i serviren gjykatës. “Dosja është në përfundim e sipër. Brenda javës së parë të muajit shtator, fashikujt do të dërgohen në gjykatë. Megjithatë, përpara kësaj mase po punojmë për komunikimin e akuzave dhe të akteve të dosjes ndaj të gjithë të pandehurve”, thanë burimet nga Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, e cila saktëson se shumica e të pandehurve do të gjykohen në liri. Disa nga transportuesit e naftës virgin janë liruar kohë më parë nga gjykata, pasi vepra penale që kanë konsumuar nuk ka shumë rrezikshmëri të lartë shoqërore. Dy biznesmenët që drejtojnë firmat private “Euroil” dhe “Fisheku” do të gjykohen me masën e sigurisë arrest me burg, megjithëse Hajri Elezaj ende nuk është riarrestuar nga policia, pas vendimit të Gjykatës së Apelit për rikthim të tij në burg.
Prokuroria thotë se ka zbardhur të gjithë skemën e mashtrimit për naftën virgin, ku firmat private bënin të dhëna të rreme sikur ky nënprodukt prodhohej dhe eksportohej jashtë vendit dhe arrinin të merrnin rimbursimin e TVSH-së nga shteti shqiptar. Krerët e firmave arrinin të përfitonin miliona euro vetëm me dokumente dhe pa kryer asnjë procedurë tjetër. Prokuroria thotë se shoqëria “Euroil” sh.a ka pasur detyrimin të eksportonte jashtë vendit nënproduktin e naftës virgin, por nga shkresat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, të datës 28 dhjetor 2010, në lidhje me ngarkesat e anijeve “Rita S” dhe “Calitea”, rezulton se nafta virgin nuk është eksportuar, por dokumentacioni i shoqërisë “Euroil” përmban të dhëna të rreme. Një sasi e madhe e naftës virgin, jo vetëm që është deklaruar në mënyrë fiktive si e eksportuar jashtë vendit, por kjo sasi nuk ka qenë e blerë nga shoqëria “Euroil”. Akuza saktëson se sasia e naftës e blerë në Ballsh është shumë më e vogël nga ajo e dy deklaratave doganore për praktikat e datave 10 dhe 28 shkurt 2009, të cilat pasqyrojnë sasinë 17 mijë tonë, ndërkohë që nga aktet e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, sasia që figuronte gjendje në depot e “Euroil”, e deklaruar prej kësaj të fundit në tatime, është vetëm 3681,2 tonë. “Krijimi i dy praktikave doganore, që pasqyronin të dhëna të rreme, të sipërpërmendura nga shoqëria “Euroil”, i ka shërbyer këtij subjekti të përfitonte rimbursimin e paligjshëm të TVSH-së”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës.
Ndërkohë, akuza ka siguruar të tjera prova për kontrabandën e naftës virgin. Shoferët e autoboteve që transportonin naftën kanë pohuar para hetuesve të çështjes se kanë marrë urdhra që këtë produkt ta dërgonin në Durrës dhe Lushnjë, pavarësisht se në dokumente shkruhej se virgin dërgohej në Vlorë. Pas “ndihmës” që i dhanë grupit hetimor, gjashtë transportuesit do të gjykohen vetëm me akuzën e moskallëzimit të krimit.

Gazeta Shqip, 28.08.2011