Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qeveria s’ka alternativa për “Kosovën e Re”

Projekti për ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova e Re” vazhdon të zvarritet edhe më tej, pasi që së fundi Banka Botërore po heziton në financimin e këtij projekti, pasi që sipas tyre ky projekt po bie ndesh me politikat globale. Ditë më parë Departamenti amerikan i Thesarit i ka kërkuar Bankës Botërore në Uashington që të çojë përpara projektin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, por Qeveria e Kosovës nuk ka ende alternativa të tjera për mbështetje financiare të këtij projekti.
Zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik thonë se projekti për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” ka mbështetjen e fuqishme të institucioneve financiare ndërkombëtare, e cila mund të shprehet edhe me dhënien e ndonjë garancion për këtë projekt.
Por, ata nuk kanë dhënë sqarime rreth hezitimit të Bankës Botërore që ta mbështes këtë projekt. “Ajo çka nuk duhet harruar është se Kosova ka nevojë për kapacitete gjeneruese të reja, e që nënkupton se ka treg të mjaftueshëm ku mund të plasohet energjia e prodhuar edhe nga projekti ‘Kosova e Re”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga zyra për media e kësaj ministrie.
Por, në anën tjetër Krenar Gashi, drejtor ekzekutiv në institutin “Kipred” e kishte vlerësuar se ky projekt bie ndesh me politikat globale të energjisë, ngase është përcaktuar që të ketë lëndë djegëse linjitin. Gashi ka thënë për medie të tjera se ky projekt bie ndesh me politikat globale dhe ky është projekt i ndyrë.
“Këtu Thesari ka ndërhyrë për ta çuar përpara një projekt që bazohet në energji të ndyrë, apo në thëngjill, që bie ndesh me parimet strategjike të politikave globale të energjisë”, ka thënë ai. Sipas tij, zyrtarët amerikanë në Uashington, kanë përdorur argumente të dobëta për të çuar këtë projekt përpara.
“Në letër thuhet se projekti në fjalë përkrahet nga shumë donatorë dhe ngërthen në vete edhe elemente të efiçiencës së energjisë dhe burimeve të ripërtërishme. Megjithatë, kjo nuk është e vërtetë. E gjithë politika energjetike e Kosovës bazohet në një strategji të eksploatimit dhe djegies së thëngjillit, pa përfshirë kurrfarë komponentësh vitalë të energjisë së ripërtërishme”, ka thënë Gashi.

Gazeta Zeri, 03.08.2011