Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Investitorët ndjejnë peshën e krizës politike

Patrick Pascal, President i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) deklaron se situata e krijuar nga prekur shërbimet dhe industrinë ushqimore
Kriza politike që ka përfshirë Shqipërinë tashmë prej dy vjetësh dhe që është ashpërsuar gjatë 2011-ës, si pasojë edhe e zgjedhjeve vendore të 8 majit, ka filluar të rëndojë në ekonominë e vendit. Këtë radhë apeli bëhet nga investitorët e huaj, të cilët janë të pranishëm në vendin tonë. Patrick Pascal, President i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) vlerëson situatën e qetë politike si shumë të rëndësishme për zhvillimin e aktivitetit privat dhe thithjen e investimeve të huaja. “Sipas të dhënave që na dërgojnë anëtarët, në nivelin ekonomik, konstatohet tashmë një ngadalësim i prekshëm që nga fundi i vitit të shkuar dhe situata aktuale politike, nuk do të ndihmojë në rilançimin e ekonomisë, pasi familjet bëjnë kursime për të qenë të mbrojtura nga ndonjë krizë duke mos konsumuar dhe duke amplifikuar në këtë mënyrë këtë tendencë të tkurrjes ekonomike”,- deklaron Pascal. Industria ushqimore dhe shërbimet janë sektorët që aktualisht po ndjejnë më tepër peshën e krizës ekonomike. Ndërkohë që sektor problematik mbetet edhe ndërtimi, për shkak edhe të specifikave të tjera.
“Ndërmarrjet e sektorit të ushqimit, si dhe ato të shërbimeve, konstatojnë një ulje të fitimeve të tyre dhe si rrjedhim, vonojnë investimet nga ana e tyre. Nuk mund të presim pra që vetëm sektori privat të mund ta rivendosi dhe ndreqë situatën, aq më tepër po të marrim parasysh faktin se lumi i parave të dërguar nga emigrantët ka tendencë të thahet për shkak të situatës së vështirë lidhur me vendet e punës në vendet emigruese. Sektori i ndërtimeve është më i prekuri dhe kjo nuk lidhet vetëm me situatën politike, por me faktin se rezervuarit të madh të ndërtesave, i duhet kohë për të thithur të gjitha kërkesat që vijnë gjithnjë në ulje në krahasim me ofertat e shumta, me përjashtim të sektorit të ndërtimeve luksoze të turizmit dhe të atyre në qendër të Tiranës. Për sa i përket ndërmarrjeve të mëdha industriale (miniera, naftë, energji, fabrika çimentosh) që janë instaluar në Shqipëri, për momentin, investimet e parashikuara në 2010 në përgjithësi nuk kanë ndalur, pa harruar faktin se situata lidhur me rimbursimet e TVSH dhe zbatimi i rregulloreve të reja kanë filluar të rëndojnë mbi buxhetet e këtyre kompanive.
Të gjithë këta faktorë së bashku, studiohen dhe ndikojnë te investitorët potencialë që duan të vijnë në Shqipëri dhe nëse situata politike mbetet e paqartë, duke pasur incidente të tilla si ato që ndodhën në janar, është e qartë që ata preferojnë të shtyjnë afatin e ardhjes apo madje deri të ç’angazhohen nga Shqipëria, në një kohë që, në vitet e kaluara ata e mbështetën Shqipërinë, duke u angazhuar në të gjithë sektorët deri në atë masë sa imazhi negativ që i ishte ngjitur Shqipërisë, filloi të zvogëlohej gjithnjë e më shumë në botën e biznesit dhe që të gjithë mendonin se një dragua ballkanik po lindte në portat e Evropës. Ne jemi spektatorët neutralë të situatës dhe komuniteti i biznesit nuk dëshiron gjë tjetër veçse një klime politike të qetë në mënyrë që ndërmarrjet të mund të zhvillohen normalisht, duke favorizuar punësimin dhe eksportin dhe duke i dhënë një shtyrje zhvillimit afatgjatë të vendit”,- deklaron Patrick Pascal, President i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri.
Ai i bën apel politikës për qetësi, pasi kjo do t’i shërbejë biznesit dhe ekonomisë shqiptare. “Do duhet një kohë shumë e gjatë për të rindërtuar imazhin dhe për të rifituar besimin e grupeve të mëdhenj investues, të cilët janë motorët e rritjes ekonomike. Nëse e humbni besimin, ciladoqoftë partia në pushtet, të gjithë qytetarët dhe ndërmarrjet e këtij vendi, do ta vuajnë këtë gjë në të ardhmen dhe nëse pasionet që keni ndërmjet jush i keni shumë të forta, duhet të pranoni që të huajt t’ju arbitrojnë. Ju e dini më mirë se çdo kush tjetër se Shqipëria ka vuajtur gjatë 50 vjetëve, pasi një parti e vetme kujtonte se vetëm ajo ishte me të vërtetën, dijeni se askush nuk e zotëron të vërtetën dhe se duhet të evitoni dhe të mos ushqeni inatet ndërmjet qytetarëve. Meqenëse ju jeni përgjegjës, jeni të detyruar të bëni një marrëveshje ndërmjet jush edhe pse jo të volitshme, domethënë se që të gjithë duhet të bëni lëshime dhe pse sigurisht të gjithë mbështetësit tuaj do t’ju kritikojnë për këtë gjë, mos harroni përgjegjësitë tuaja, asnjë shqiptar me mend nuk dëshiron një krizë ekstreme”,- deklaron Pascal.
827 milionë euro investime të huaja në vit
Shqipëria është shndërruar vitet e fundit në një vend tërheqës për investimet e huaja, duke u bërë kështu konkurrues edhe me fqinjët e tij. Të dhënat zyrtare për sa i përket fluksit të investimeve të huaja për këtë vit ende nuk janë publikuar dhe statistikat e fundit janë ato të vitit që lamë pas. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, viti 2010 ka qenë i mbarë për këtë tregues. Gjithsej janë thithur 840 milionë euro investime të huaja ose 20 për qind më shumë se në vitin 2009, ku pjesa më e madhe e tyre kanë shkuar në përmirësimin e infrastrukturës dhe në sektorin e energjetikës. Energjetika, turizmi, infrastruktura janë edhe sektorët më atraktivë për investitorët e huaj. Kjo për shkak edhe potencialeve të mëdha të këtyre degëve të ekonomisë, ende të pashfrytëzuara.
Shqipëria në garë me rajonin për investimet e huaja
Investimet e huaja direkte janë një burim shumë i rëndësishëm i flukseve të kapitalit dhe zhvillimit të një ekonomie. Investimet e huaja direkte, përfshijnë investimet e individëve dhe institucioneve të huaja në ekonominë vendase, për blerjen e të paktën 10 për qind të kapitalit të një ndërmarrje. Portali Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi vlerën e investimeve të huaja direkte (IHD) në Shqipëri dhe rajon, bazuar në të dhënat e Bankës Botërore.
Me qëllim bërjen të krahasueshëm të këtij treguesi, për shkak të madhësive të ndryshme të ekonomive, investimet e huaja direkte (IHD) janë vënë në raport me Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) për secilin vend. Të dhënat e përdorura për llogaritjen e raportit bazohen në të dhënat IHD dhe PBB të matura në dollarë amerikanë (USD) deri në fund të vitit 2009.
Sikurse mund të shikohet edhe nga grafiku, në fund të vitit 2009, pesha e investimeve të huaja direkte (IHD) ndaj Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) në Shqipëri ka qenë më e larta në rajon (8.1 për qind), e ndjekur nga Kroacia (4.6 për qind), Serbia (4.5 për qind), Maqedonia (2.7 për qind) dhe Bosnja dhe Hercegovina (1.4 për qind). Vihet re se rritja e IHD gjatë tre viteve të fundit në Shqipëri, është shoqëruar me uljen e IHD për vendet e tjera të rajonit. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, në vendet e rajonit vlerën maksimale të investimeve të huaja ndaj PBB e ka arritur Serbia në vitin 2006 (17 për qind) dhe po ky vend ka arritur edhe vlerën minimale të IHD ndaj PBB në vitin 2000 (0.85 për qind). “Investimet e huaja direkte, janë një tregues i rëndësishëm i besimit të investitorëve të huaj në një vend dhe ato ulen në kushtet e krizave ekonomike dhe politike, dhe rriten në kushtet e përmirësimit të ambientit ekonomik dhe politik”,- vlerësojnë ekspertët e portalit Open Data Albania.

Gazeta Metropol, 11.06.2011