Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Studimi, TEC-i duhet të punojë me gaz

Në një studim të posaçëm, Enti Rregullator i Energjisë vëren se, prodhimi i energjisë me gaz në TEC-in e Vlorës është më ekonomik se prodhimi i energjisë me naftë D2, ashtu siç ka funksionuar deri më tani. Sipas përllogaritjeve të ERE, kostoja e prodhimit të 1 kwh energjie elektrike me naftë diezel rezulton në 0.183 dollar. Në kushtet aktuale, ky termocentral mund të konsumojë rreth 136 283 tonë naftë diezel në vit dhe i rifuqizuar me tre blloqe, rreth 408 850 tonë, sqaron studimi i ERE. Ndërsa kostoja e prodhimit të 1 kwh energji elektrike rezulton nga në 0.118 dollar. Në kushtet aktuale, ky termocentral mund të konsumojë rreth 117083 tonë gaz të lëngshëm në vit dhe i rifuqizuar me tre blloqe, rreth 351250 tonë në vit. Nga krahasimi i kostos së prodhimit të energjisë elektrike me gaz natyror, me tubacion apo me gaz të lëngshëm, rezulton se prodhimi me gaz të lëngshëm është rreth 7 % më i shtrenjtë se me gaz natyror. Sipas ERE, kjo vjen si rezultat i kostos më të lartë të gazit të lëngshëm, sepse përveç kostos së transportit, i cili bëhet me mjete speciale, këto kosto e rëndojnë edhe pajisjet e lëngëzimit të gazit në vendin prodhues, si edhe ato të rigazifikimit në vendin e përdorimit të tij. Sipas ERE, efekt pozitiv, përdorimi i gazit natyror në vende të naftës diezel në termocentralin e Vlorës, jep edhe në mbrojtjen e mjedisit, duke lëshuar rreth 80 % më pak diokside të karbonit dhe uljen e taksës së karbonit në rreth 1.8 milionë euro në vit, për kapacitetin ekzistues dhe rreth 5.3 milionë euro për kapacitet të trefishuar. “Meqenëse kostoja e energjisë elektrike të prodhuar në TEC – in e Vlorës në naftë diezel apo gazoil del shumë e lartë, rreth 0.183 dollarë për kwh, atëherë del e domosdoshme furnizimi i këtij termocentrali me gaz” sqaron ERE, në rekomandimin për lëndën e parë që mund të përdoret për prodhimin e energjisë në TEC-in e Vlorës. Sipas ERE, në kushtet aktuale të vendit tonë, ku nuk ka akoma një projekt konkret për furnizim me gaz natyror, rekomandohet që në TEC e ri të Vlorës të përdoret gazi natyror i lëngët, për të cilin del e nevojshme ndërtimi i një terminali të tij, jo larg termocentralit. Termocentrali i Vlorës, me cikël të kombinuar të prodhimit të energjisë elektrike, aktualisht është i ndërtuar prej një blloku rreth 97 MW dhe përbëhet nga turbina me gaz 67 MË, turbina me avull 30 MW dhe gjeneratori i avullit të tejnxehur. Ky termocentral është projektuar dhe ndërtuar në mënyrë të tillë, që në të ardhmen të këtë mundësi të zgjerohet duke iu shtuar edhe dy blloqe të tjera të së njëjtës fuqi, duke arritur kështu në një fuqi totale të instaluar rreth 291 MW. Në projekt është parashikuar që ky TEC të punojë me dy lloj lëndësh djegëse të alternueshme.

Gazeta Mapo, 30.05.2011