info@energjia.al

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në inaugurimin e Fabrikës së re të ujit të pijshëm në Shkabaj të Prishtinës, nga funksionalizimi i të cilës do të furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë banorët e Komunës së Prishtinës, Obiliqit dhe Fushë Kosovës, ndërkaq do të përfitojnë edhe komunat e Podujevës, Graçanicës, Drenasit, Lipjanit dhe Shtimes.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa u shpreh i kënaqur që po merr pjesë në promovimin e një prej investimeve më të mëdha në Kosovë që ka të bëjë me ujin, në këtë rast të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

“Është kënaqësi që ne po zgjidhim problemet më të rënda të qytetarëve, problemin e ujit, problemin e energjisë, atë të ngrohjes, që nuk e kanë rënduar vetëm Prishtinën si komunën më të madhe të Kosovës dhe kryeqendrën e Kosovës, por kanë ngarkuar edhe komunat e tjera”, tha kryeministri.

Ai theksoi se me këtë nuk po zgjidhet vetëm problemi i furnizimit të rregullt me ujë të Prishtinës, por edhe të gjashtë komunave që janë të ndërlidhura me këtë ujësjellës rajonal, të cilat do të kenë ujë më shumë, për arsye të furnizimit më të madh.

“Jam i kënaqur, sepse edhe mua më ka rënë hise para pesë viteve kur e kemi përgatitur dokumentacionin për këtë investim që të nënshkruajmë, që të përcaktojmë strukturën e financimit. Më vjen mirë që Komuna e Prishtinës i ka përmbushur të gjitha obligimet e veta në shumë prej pesë milionë eurove, programi IPA i Bashkimit Evropian, po ashtu Banka Zhvillimore Gjermane prej 20 milionëve dhe kështu, kemi arritur që të realizohen dhe të kryhet përafërsisht në afatin e paraparë. Sot, po shfrytëzoj rastin që t’ju uroj juve, qytetarëve të Kosovës, qytetarëve të Prishtinës dhe veçmas të falënderoj shtetin gjerman, Bankën Gjermane, Komisionin Evropian për një investim shumë të rëndësishëm, sepse nuk ka gjë më të mirë se sa qytetarëve t’iu sigurohet uji dhe nevojat elementare te tyre”, tha kryeministri Mustafa.

Udhëheqësi i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu e ka quajtur objekt me rëndësi të veçantë dhe nga më të mirët në regjionin e Ballkanit objektin e Fabrikës së Re në Shkabaj, duke i falënderuar të gjithë kontribuuesit që kanë bërë që ky projekt të arrijë në fazën finale.

Ai, po ashtu, bëri të ditur se projekti i cili u përurua sot është vazhdimësi e projektit të fazës Prishtina – faza e parë, e dytë dhe e tretë.

“Me lëshimin e punës me kapacitet të plotë të këtij impianti do të arrihet një furnizim i qëndrueshëm me ujë për banorët e Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit dhe indirekt do të përfitojnë Komuna e Podujevës dhe ajo e Graçanicës, por do të përfitojnë gjithashtu edhe komunat, të cilat ne i menaxhojmë, Drenasi, Lipjani dhe Shtimja. Para nesh janë edhe sfida tjera, si impiantet e trajtimit të ujërave të zeza, në mënyrë që të kemi një Kosovë shumë më të pastër”, tha Abdullahu.

Qeveria e Kosovës ka dhënë 5 milionë euro për ndërtimin e kësaj Fabrike.

Telegrafi,  19.03.2017

Menaxhmenti i “Trepçës” në veri, nëpërmjet një njoftimi, ka sqaruar se në listën e kreditorëve të jashtëm të “Trepçës” ndodhen edhe kompanitë “Mytilineos Holdig S.A” nga Greqia, dy kompani bullgare, “Tera 90” dhe “Sindo”, si dhe një kompani franceze “SCMM”, shkruan gazeta Zeri.

Menaxhmenti i “Trepçës” në veri, zyrtarë shtetërorë të Serbisë, si dhe përfaqësues të serbëve në institucionet e Kosovës, kanë vazhduar lobimin e tyre në përpjekje për ta zhvlerësuar Ligjin për “Trepçën”, e madje edhe të “krijojnë” kompani serbe dhe të huaja, të cilat kinse kanë investuar në “Trepçë” dhe të cilat tani ndodhen në listën e kreditorëve të “Trepçës”.

Sipas menaxhmentit të “Trepçës”, i cili ka dalë me një njoftim të ri, borxhet e regjistruara të “Trepçës” ndaj kompanive serbe, bankave dhe kompanive të tjera kapin shumën prej 350 milionë euro. Menaxhmenti i “Trepçës” në veri, nëpërmjet një njoftimi, ka sqaruar se në listën e kreditorëve të jashtëm të “Trepçës” ndodhen edhe kompanitë “Mytilineos Holdig S.A” nga Greqia, dy kompani bullgare, “Tera 90” dhe “Sindo”, si dhe një kompani franceze “SCMM”. Sipas këtij njoftimi, kreditorët më të mëdhenj të “Trepçës” nga Serbia janë “Elektroprivreda Serbije”, “Jugobanka A.D. Beograd” në likuidim, “Jugobanka A.D. “ Mitrovicë e veriut, “Banka Popullore e Serbisë”, “Hekurudhat e Serbisë”, “Beo Banka” në likuidim Beogad, “Industria e Naftës së Serbisë” dhe “DDOR Novi Sad”.

Gazeta Zëri,  09.11.2016

Rritja e çmimit të karburantit është trajtuar në studion e “Ekopolitikë” me gazetaren Aurora Sulçe.

Flamur Makishti, përfaqësues i Unionit të Shoqërive të Karburanteve dha disa arsye se përse është rritur çmimi i karburantit në vendin tonë, duke renditur si faktor kryesorë taksat e larta.

Dritan Spahiu, Drejtor për Hidrokarburet në Ministrinë e Industrisë dhe Energjisë tha se vetëm në rajonin Tiranë-Durrës ka aq pika karburanti sa ka e gjithë Maqedonia. Edhe pse këtë nuk e konsideroi si normale, Spahiu tha se kjo ndihkmon pozitivisht pasi rrit konkurrencën.                

Flamur Makishti: Kohët e fundit ka pasur një rritje të tregut për shkak të rritjes së bursës ndërkombëtare. Sot aktualisht është 509 dollarë për ton dhe rritjes së dollarit që sot është 125.19 kursi ditor, krahasaur me muajin e parë që ishte 410 toni. Një nga arsyet e tjera të rritjes së çmimit të karburanteve është taksa e lartë këtu në Shqipëri. Akciza është 37 lekë për litër, taksa e qarkullimit është 27 lekë për litër, TVSH është 20%, markimi është 0.737 lekë për litër, skanimi është 18 euro për një bot. Janë shpenzimet operative që e shtojnë edhe 1 lekë për litër. Veç këtyre rritjeve që janë më të larta në rajon janë edhe shpenzimet e tjera portuale që shkojnë 7 dollarë për ton. Këtu futen analizat e ISHTI, tarifat e skanimit që janë 5 dollarë për ton, SGS që është 2500 euro për një anije, këtu futen tarifat e shkarkimit etij.

Sa ndikojnë taksat?

Flamur Makishti: Në rritjen e çmimit ka ndikuar kohët e fundit edhe taksat vendore, duke future edhe taksën e reklamave që në Tiranë është 450 mijë lekë ose 45 mijë lekë për 1m2. Këtu ndikojnë edhe tarifa të tjera të IQT dhe shumë e shumë taksa të tjera.

Nëse do ta merrnim me % sa ndikon niveli i taksave tek çmimi fundor sa %?

Flamur Makishti: Afërsisht 60% janë vetëm taksat.

Dritan Spahiu: Në shitjet me pakicë kemi një situate e cila nuk është normale. Pra po të shikojmë gjerësisht në Europë nuk mund të konceptohet që një rrugë mund të ketë 30,40 apo 50 pika karburanti. Pra vetëm në Durrës ka aq pika karburanti, ose ka më shumë pika karburanti sa ka në të gjithë Malin e Zi. Ose në Rajonin Tiranë-Durrës ka aq pika karburanti sa ka e gjithë Maqedonia. Pra numri është shumë i madhe.

Si ndikon kjo tek tregu?

Dritan Spahiu: Në fakt kjo duhet të ndikojë pozitivisht sepse ka konkurrencë në treg.

Ndodh kjo?

Dritan Spahiu: Duhet ti referohem hetimeve të Autoritetit të Konkurrencës që është i vetmi organ që  kopetencën të drejtën dhe detyrimin për të verifikuar bashkëveprime mes operatorëve për të fiksuar çmimet. Nuk është e thjeshtë të vërtetosh dakordësinë e operatorëve ose jo për të fiksuar çmimet.

Ka fiksim të çmimeve të karbranteve në treg?

Flamuri Makishti: Janë kompanitë serioze që kanë çmim fiks. Kompani të tjera ose individë të tjerë lëvizin me çmime. Unë dua të them që ne jemi më të shtrenjtët në rajon. Mjafton që vetëm taksën e qarkullimit ta heqim është 27 lekë/litri. Pra nëse çmimi mesatar është 162 lekë/litër do heqim 27 lekë do do barazohemi me Gjermaninë. Nëse do ketë heqje të taksës së qarkullimit ne  do barazohemi me rajonin.

Sejdarasi: Në buxhetin e shtetit vetëm ne nëse do të pastronim jo vetëm thjesht taksën e qarkullimit, por të gjitha taksat pa përjashtim ne dilnim vendi i parë në rajon për çmimin e  ulët të karburanteve ja kalonim edhe Maqedonisë në atë kohë kur është bërë edhe analiza. Por efekti që vinte në buxhetin e shtetit për shkak të këtij ndryshimi ishte 18.5 mld lekë, gjë që ishte e pamundur që të mbulohej me një të ardhur tjetër.

Ora News,  07.11.2016

Mbi gjysmë milion euro janë investuar në Komunën e Fushë Kosovës nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike-KEDS. Këto mjete janë investuar në tri projekte madhore dhe në dy projekte të mirëmbajtjes.

“Është investuar tek pjesa prapa hekurudhës, në fshatin Vragoli, si dhe në pjesën lindore të qytetit të Fushë Kosovës. Në të tri lokacionet është ndërtuar komplet rrjeti i ri, i standardeve me të larta dhe me shtylla te betonit, sikurse janë vendosur edhe disa trafo te reja”, thotë zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Një pjesë e konsiderueshme e bizneseve më të mëdha gjenden në teritorin e komunës së Fushë Kosovës, më saktësisht në zonën e saj industriale.

Por përveç këtyre bizneseve përfitues të këtyre investimeve, sipas Buzhalës, janë edhe një numër i madh i banorëve të Fushë Kosovës dhe fshatrave përreth.

“Përfitues direkt janë 700 konsumatorë, apo rreth 3500 banore të këtij qyteti, që paraqet një përqindje të konsiderueshme të popullatës kur dihet numri i përgjithshëm i banoreve të kësaj ane”, thotë ai.
Gjithashtu përmes mirëmbajtës janë përfunduar edhe dy projekte tjera që bën qe numri i konsumatorëve përfitues direkt te shkoje ne rreth 1000 apo mbi 5000 banorë.

Sipas zëdhënësit, KEDS-i do të vazhdojë me investime në përmirësim të rrjetit, derisa ai të jetë në standardet më të larta teknike.

Në Komunën e Fushë Kosovës janë të kënaqur me investimet e bërë nga KEDS-i. Ali Topalli zëdhënës për Informim në këtë komunë, tha se falë investimeve të KEDS-it sistemi energjetik është stabilizuar.

“Në komunën e Fushë Kosovës nuk kemi probleme në aspektin energjetik. Nuk kemi vërejtje as nga Bizneset as nga qytetaret për KEDS-in, sepse furnizimi është i mire përveç kur ka defekte apo ndonjë avari”, tha Topalli.
Sipas tij rezultatet nga investimet në rrjet janë evidente.

“Është bërë ndërrimi i shtyllave elektrike, mirëmbajtja e rrjetit, vendosja e trafos në Fushë Kosovë dhe në disa fshatra të komunës së Fushë Kosovës etj ”, tha ai.

Topalli tha se angazhimet e KEDS-it po vazhdojnë edhe në këtë periudhë kohore, ndërsa është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin që komuna ka pasur me këtë kompani.

Plani Zhvillimor i KEDS, i bërë publik para pak javësh, deri në vitin 2025 parasheh vendosjen e 3500 trafo stacioneve të reja, mbi 200 kilometra rrjet të ri përmes investimeve që do të shkojnë deri në 300 milion euro. Plani po ashtu parasheh eliminimin e të gjitha lokaliteteve me rënie të tensionit, zgjerimin dhe përforcimin e rrjetit në bazë të kërkesave të popullatës si dhe uljen e humbjeve tekniko komerciale.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  19.07.2016

Kriza politike ka vonuar edhe dhënien e koncesioneve për shfrytëzimin e lëndëve të para minerale. Asociacioni i minierave të Maqedonisë shprehen se edhe më parë ka pasur problem me koncesionet, por tani është më i theksuar. Nëse bllokimi vazhdon edhe në periudhën e ardhshme, do të shkaktojë probleme serioze në miniera.

“Ne kemi informacione se dhënia e koncesioneve do të bëhet pas zgjedhjeve, dhe për fat të keq nuk dihet kur do kemi zgjedhje. Tani, muajt, për të mos thënë një vit për këtë çështje janë shumë”, tha Nikollajço Nikolov, Shoqata e Minierave.
Industria e minierave tashmë shënon rezultate negative. Prodhimtaria në tre muajt e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është ulur për 1.2 për qind. Kjo është për shkak të mosfunksionimit të dy minierave Toranicës dhe Zletovës. Nga Asociacioni thanë se ndikim shtesë ka konkurrenca jolojale, kreditë e shtrenjta dhe kriza politike.

“Në qoftë se realizohen skenarët e paralajmëruara për embargo të ndryshme në eksportin e prodhimeve nga Maqedonia, sektori i minierave, në veçanti minierat për metale që janë njëqind për qind eksport, sigurisht se do të kemi probleme. Ne dëshirojmë sa më shpejt të zgjidhet situata politike që të mos ndodhin skenare tjera të padëshirueshme”, tha Nikolov.
Nga Shoqata e minierave theksojnë se problemet në këtë industri janë sistemore, dhe kërkojnë të hartohet strategji afatgjate e zhvillimit, që do të specifikojë cilat janë prioritetet dhe çfarë duhet të prodhohet.

Alsat M,  19.05.2016

Kosova do të ketë telashe me rrymën. Telashe do të ketë me prodhimin e energjisë elektrike, për shkak të domosdoshmërisë së mbylljes së Termocentralit “Kosova A” dhe mungesës së investimeve në kapacitetet e reja gjeneruese.

Konsumatorët do të kenë telashe me çmimet e larta të energjisë, pasi kostoja e çdo investimi që bëhet në sektorin e energjisë duhet të reflektohet në tarifa. Sfidë do të jetë fillimin i leximit të njësorëve në veriun e Kosovës, që për 14 vite nuk kanë paguar asnjë centë për rrymën që e kanë shpenzuar, shkruan Koha Ditore.

Kosova do të ketë vështirësi në ndërtimin e marrëdhënieve energjetike me Serbinë. Sfidë për KEK-un do të jetë mbajtja në këmbë e termocentraleve të vjetruara, që së fundmi kanë thyer rekordet e prodhimit.

Ndërkohë ende nuk ka një studim të pranuar nga të gjithë që tregon se cili është opsioni më i mirë për këtë sektor, pra nëse duhet të koncentrohemi në energjinë e prodhuar nga djegia e linjtit apo orientimi të jetë energjia e pastër.

Telegrafi,  13.04.2016

Familjet që kanë probleme me kontratat e energjisë elektrike, me matësit apo probleme të tjera që lidhen me OSHEE do të kenë mundësinë ti korrigjojnë pa pagesë deri në qershor të këtij viti. Pas këtij muaji të gjitha veprimet do të jenë me pagesë, e cila shkon deri në 14 mijë lekë. Burimet zyrtare kanë bërë të ditur se janë rreth 100 mijë familje që kanë probleme dhe që duhet të aplikojnë. Pak ditë më parë këshilli mbikëqyrës i OSHEE vendosi të shtyjë afatin e aplikimit për këto familje. Problemet me kontratën e energjisë elektrike nisin nga ngatërrimet e emrave, në përdorimin e kontratës me emrin e pronarëve të mëparshme të banesës, me sahate me probleme, apo dhe me ngatërrimin e linjave, ku fatura e një familjeje i shkon një familje tjetër. Më parë procesi ishte parashikuar të zgjaste deri në muajin dhjetor, por për shkak të kërkesave ky afat është shtyrë dhe me gjashtë muaj.

Për të kërkuar rregullimin e gabimeve, OSHEE ka miratuar formularët tip që duhet të plotësojnë të interesuarit. Formularët janë ndarë në tipe për familjarë dhe për konsumatorët jo familjarë.

Burimet kanë saktësuar se pas muajit qershor do të jenë punonjësit e OSHEE që do të kërkojnë rregullimin e problematikave dhe këtë herë kundrejt pagesës. Kështu, pas konstatimit të problematikave, punonjësit e OSHEE do të kontaktojnë me konsumatorët për t’u kërkuar rishikimin dhe përditësimin e të dhënave, por kjo kundrejt kostos prej 14 mijë lekë. “Qëllimi i procesit të përditësimit të të dhënave synon saktësimin e të dhënave të klientëve, në mënyrë që të vendoset një marrëdhënie kontraktore e rregullt në shërbim të palëve klientit dhe furnizuesit. Me përditësimin/ plotësimin e këtyre të dhënave, synohet që të bëhet evidentimi i saktë i të dhënave të klientit si dhe të objektit që furnizohet me energji elektrike dhe shmangia e rasteve të paqarta dhe konfuze, për shkak të pasaktësisë së këtyre të dhënave”, thuhet në deklaratën e OSHEE. Më tej shtohet se ky përditësim është dhe detyrim ligjor.

Plotësimi i të dhënave të kërkuara sipas këtij formulari, përfaqëson një detyrim kontraktor referuar kushteve të Kontratave Standarde të Furnizimit me Energji Elektrike, për klientët familjare e jo familjare, të miratuara nga Enti Rregullator i Energjisë Elektrike, sipas Vendimeve Nr. 108 dhe 109, datë 21.10.2011 të ERE-së”, thuhet në deklaratë teksa shtohet se “në rast të refuzimit të plotësimit të këtij formulari, Shoqëria “OSHEE” Sh.A, nuk mban përgjegjësi për mospërmbushjen e detyrimeve kontraktore, që mund të shkaktohen si rezultat i pasaktësisë së të dhënave.

Pak ditë më parë OSHEE vendosi gjithashtu të shtyjë afatet për të aplikuar në faljen e kamatëvonesave. Në ndryshimet e vendosura prej Këshillit Mbikëqyrës dhe kryefamiljarët pensionistë do tu falet kamatëvonesa nëse respektojnë kontratën e lidhur me OSHEE dhe në përfundim do të paguajnë 20 lekë. Gjithashtu dhe familjet që kanë kamatëvonesa pa paguar deri në 31 dhjetor 2015 mund të kërkojnë të nënshkruajnë kontratë për shlyerjen e detyrimeve kundrejt lehtësirave.

Shqiptarja.com 15.02.2016

Banorët e fshatit Grabovc i ulët në Obiliq, që nga viti 2007 përballen me zhurmën e krijuar nga afërsia e KEK-ut, me pluhur, me mungesë të ujit si dhe me plasaritjen e mureve të shtëpive.

Maliq Berisha, banor i këtij fshati, njëherësh edhe përfaqësues i banorëve ka thënë se shqetësimet e tyre po ndodhin shkaku i KEK-ut.

Berisha ka treguar se KEK-un e kanë paditur në gjyq dhe se tre vjet lënda është aty.

Të njëjtin hall e ka edhe banori tjetër Emrush Berisha.

Drejtori i Shërbimeve të Korporatës, Edmond Nulleshi ka treguar se fshati Grabovc është jashtë zonës së zhvillimit të aktiviteteve xehtare të mihjes së KEK-ut.

Telegrafi,  09.11.2015

I gjithë territori i Qarkut të Kukësit është përfshirë gjatë 24 orëve të fundit nga temperatura të ulëta dhe reshje shiu me intensitet të lartë.

Në zonat e thella malore si Bushtrica, Kalisi, Grykë-Caja, Zapodi, Topojani e Shishtaveci kanë patur reshje dëbore, duke vështirësuar jetesën e banorëve.

Temepraturat kanë rënë ndjeshëm, ndërsa dëbora ka krijuar një shtresë rreth 10 cm në zonat malore. Në disa zona ka patur edhe ndërprerje të herëpashershme të energjisë elektrike, përfshirë edhe qytetin, ndërkohë që rrëshqitje masive dherash e gurësh ka pasur në shumë akse rrugore si Kukës-Bushtricë, Kukës-Shishtavec, Kukës-Krumë, Krumë-Qafë Prush e Bajram Curri-Valbonë.

Në zonat fushore ka shumë fermerë të cilët ende nuk kanë mbledhur të mbjellat e tyre, duke iu shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Top Channel, 23.10.2015

Pensionistët që nuk kanë mundur të futen në skemën për pagesën prej 648 lekësh, të kompensimit të energjisë elektrike, duhet të dorëzojnë dokumentet e nevojshme pranë zyrave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Edhe pse afati i fundit i vendosur nga institucioni, ishte 25 qershori, për të gjithë ata që nuk kanë marrë pagesën e lëshuar për efekt të heqjes së fashës së konsumit deri në 300 kilovatë në muaj, është vendosur që kërkesat, rinovimet dhe rideklarimet të paraqiten pranë sporteleve të ISSH-së. Kompensimi i energjisë elektrike kategoritë që përfitojnë 648 lekë në muaj jepet nëse individët apo familjet plotësojnë kushtet.

Paratë, sipas udhëzimit të miratuar këtë vit, shpërndahen në vendet ku ata marrin pensionet apo ndihmën ekonomike. Nga verifikimet që bëhen në zyrat e ISSH-së, rezulton se jo të gjithë mund ta marrin kompensimin, pasi kanë probleme në librezë ose duhet të plotësojnë dokumentacionin pa gabime. “Shekulli” boton listën e emrave të 410 pensionistëve të Tiranës, të cilët duhet të paraqiten pranë sporteleve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për të bërë verifikimet, në mënyrë që të përfitojnë kompensimin e energjisë elektrike, bazuar në udhëzimin dhe afatet e vendosura. Në total, rezultojnë të jenë gjithsej 203.928 familje.

Pensionistët

Për pensionistët, procedura është më e thjeshtë. Të gjithë ata që marrin aktualisht kompensim për energjinë, do të marrin direkt edhe 648 lekët për rritjen e çmimit në 2015. Por për të hyrë në skemë, ata duhet të plotësojnë deklaratën e re ku të vërtetojnë se nuk kanë asnjë anëtar të familjes të punësuar dhe nuk kanë të ardhura të tjera. Kompensimi merret vetëm nga një prej pensionistëve në familje. Për ata që nuk e plotësuan deklaratën e re, deri në qershor, përfitimi fillon vetëm për muajin kur bëhet deklarimi. Pra, pensionistët kanë 1 muaj kohë që të plotësojnë dokumentet. Ata që i plotësojnë deri në fund të qershorit, marrin përfitimin edhe për muajt e mëparshëm, ndërsa ata që i plotësojnë pas kësaj date, vetëm për muajin që kanë dorëzuar dokumentet. Paratë e përfitimit ndahen në zyrat e postës, ku merret edhe pensioni.

Procedura

Kompensimi i diferencës së çmimit të energjisë elektrike për shkak të heqjes së fashës së konsumit deri në 300 kvh ka filluar nga data 1 shkurt 2015 dhe i përgjigjet energjisë elektrike të shpenzuar nga data 01 janar 2015, me qëllim që gjenerimi dhe pagesa e kompensimeve në favor të përfituesve të kryhet pa krijuar shqetësime, fillimisht nga ISSH. Si dokumente që përcaktojnë të drejtën e përfitimit janë të vlefshme ato dokumente, të cilat shërbejnë për dhënien e kompensimit sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 565, datë 09.08.2006 “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike”.

Pensionistët me probleme

Gazeta Shekulli, 03.09.2015