info@energjia.al

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) ka pranuar parimin e njohjes reciproke të licencave duke i siguruar futjen në treg pa vështirësi kompanisë Statkraft e cila po ndërton hidrocentralet mbi lumin Devoll.

Sipas Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë bazuar në mirëkuptimin e arritur me ZRRE-në, pjesëmarrësi i tregut me bazë në Gjermani, Statkraft, mund të bëhet pjesëmarrës i tregut të energjisë elektrike me shumicë në Kosovë pa kërkuar licencë.

Zëvendës Drejtori, Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Dirk Buschle tha: “ZRRE mori një vendim të drejtë dhe të përgjegjshëm në bazë të legjislacionit të Kosovës dhe të Komunitetit të Energjisë. Ky precedent duhet të hapë derën e pjesëmarrësve të tjerë të tregut nga Shtetet Anëtare të BE dhe Palët Kontraktuese të Komunitetit të Energjisë për t’u regjistruar në tregun e energjisë elektrike në Kosovë. Sekretariati po punon aktualisht në mënyrë që parimet e reciprocitetit të aplikohen në të gjitha vendet e tjera Rajonit.

Pas përfundimit me sukses dhe vënien në punë të HEC-it të Banjës nga kompania Statkraft në lumin Devoll, hidrocentrali tjetër që është në proces të punimeve, Moglica do të ketë kapacitet më shumë se sa dyfishi i hidrocentralit të Banjës.

Hidrocentrali i Moglicës është hidrocentrali i dytë që po ndërtohet nga Devoll Hydropower Sh.A. dhe ndodhet në Komunën e Moglicës në Qarkun e Korçës. HEC-i do të ketë një kapacitet të instaluar prej 172 MË dhe një prodhim mesatar vjetor prej 475 GËh. Teksa HEC i Banjës ka një kapacitet vetëm 70 MË, sipas burimeve zyrtare të kompanisë.

Në përputhje me Marrëveshjen e Koncesionit, e nënshkruar dhe miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2009, Devoll Hydropower do të zhvillojë, ndërtojë dhe operojë edhe 3 hidrocentrale në kaskadën përgjatë lumit Devoll, në juglindje të Shqipërisë. Kompania nuk ka kontratë me OSHEE për shitjen e energjisë, ajo ka zgjedhur të shesë energjinë që do të prodhohet nga kaskada e Devollit në tregun e lirë.

Kapaciteti i përgjithshëm i instaluar i këtij projekti do të jetë përafërsisht 280 MW, kur të gjitha HEC-et të përfundojnë më 2019.

Devoll Hydropower, pasi të përfundojë tërësisht investimin, do të rrisë prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri me 17% . Investimet  e Statkraft në HEC-et e lumit Devoll i kalojnë të 500 milionë eurot.

Revista Monitor,  26.05.2017

Gjashtë muaj afat kishte qeveria e Isa Mustafës, që të themelonte Bordin Mbikëqyrës dhe Bordin Menaxhues të Kombinatit Trepça, që nënkuptonte edhe fillimin e zbatimit të Ligjit për të, por kjo nuk u arrit që prej miratimit të kornizës ligjore.

Tani, i gjithë procesi, sipas përfaqësuesve të kombinatit Trepça, mbetet i ngrirë deri pas zgjedhjeve të 11 qershorit dhe krijimit të Qeverisë së re.

Drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se mos përfundimi i këtij procesi ka pasur efekte negative për Trepçën, pasi që nukështë arritur të fillohet me politikat zhvillimore të kësaj ndërmarrje.

“Me rënien e Qeverisë së Kosovës do të ketë prolongim të zgjedhjes së Bordit Mbikëqyrës dhe Bordit menaxhues deri në formimin e qeverisë së re. Kjo ka ndikuar shumë në zhvillimin e Trepçës pasi që nuk mund të shënohet epoka e re zhvillimore pa u regjistruar ndërmarrja e re që më pas kjo ndërmarrje të hyjë në politikat zhvillimore”, thekson Tmava.

Bordi Mbikëqyrës i Trepçës i cili sipas Ligjit është dashur të themelohet brenda gjashtë muajve nga miratimi i ligjit në Kuvendin e Kosovës, do të duhej të përbëhej nga nëntë anëtarë, të cilët nuk mund të jenë anëtarë të forumeve politike. Ata thuhet se duhej të ishin ekspertë në fusha të caktuara, që nevojiten për mbikëqyrjen e kombinatit.

Ky bord më pas do të duhet të zgjedh edhe anëtarët e Bordit Menaxhues të Trepçës.

Kuvendi i Kosovës miratoi në tetor të vitit të kaluar Ligjin për Trepçën me të cilin, siç thanë deputetët, gjiganti ekonomik rimëkëmbet dhe rikthehet në treg.

Ligji e përcaktoi Qeverinë e Kosovës si pronare të 80 për qind të aksioneve të kombinatit, me synimin, siç thotë, të rikthimit të kontrollit në gjithë gjigantin.

Në kohën kur ishte miratuar Ligji për Trepçën udhëheqësit e institucioneve të Kosovës ishin shprehur të gatshëm që të përfundohet sa më shpejt çdo procedurë e nevojshme që të fillohet me zbatimin e këtij Ligji.

Ata ishin shprehur optimistë se me miratimin e Ligjit për Trepçën, kësaj kompanie do t’i kthehet nami që ka pasur në të kaluarën.

Por, për përfaqësues të sindikatëssë Trepçës, institucionet kompetente neglizhuan gjithë procesin dhe i krijuan humbje të mëdha ndërmarrjes.

Shyqyri Sadiku, kryetar i sindikatës së Trepçës në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se Trepça ka mbetur pa menaxhment dhe pa mbikëqyrje. Sipas tij, Trepça ka mbetur në vakum institucional dhe pasojat do të jenë të mëdha.

“Gjendja e Trepçës krahasuar me vitet paraprake është shumë më keq edhe sa i përket organizmit, edhe sa i përket prodhimit. Krahasuar me vitin paraprak këtë vit kemi 5,700 tonë më pak prodhim të xehes. Ne kemi menduar që me kalimin e Ligjit për Trepçën do të kemi zhvillim ekonomik të Trepçës, do të formohet bordi, por kjo është një neglizhencë e qeverisë e cila nuk i ka zgjedhur bordet dhe pasojat e kësaj do t’i bartim të gjithë”, ka theksuar Sadiku.

Për gjendjen jo të mirë në kombinatin metalurgjik Trepça flet edhe Isuf Beqiri, minator në minierën e Stantërgut.

“Kurrë me keq kombinati Trepça nuk ka qenë se sa që është tani. Ligji nuk ka filluar ta zbatohet, kjo Qeveri nuk ka bërë asgjë për të bërë bordin dhe tani jemi në një gjendje jo të mirë, i ka humbur vleftën kombinatit i cili në të kaluarën e ka mbajtur tërë Ish Jugosllavin e tani nuk po arrin të na mbajë 1 mijë punëtorë”, shprehet Beqiri..

Trepça llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Në vitet e tetëdhjeta, aty punonin mbi 20 mijë punëtorë.

Ndërkaq, vitet e fundit, ajo e kaloi fazën e mbijetesës dhe nuk numëronte më shumë se 1,400 punëtorë.

Trepça, sot, brenda Kosovës, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.

Por, një pjesë e madhe e këtyre kapaciteteve janë të degraduara, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes ose mungesës së investimeve, e madje edhe keq-shfrytëzimit në të kaluarën.

Nisur nga i gjithë ky degradim i kombinatit që është bërë gjatë këtyre viteve të pasluftës, ekspertë të fushës, kishin vlerësuar se gjigantit i duhet kohë të rimëkëmbet, por, se kjo mund të arrihet me një punë të madhe dhe me njerëz profesionistë.

Telegrafi,  18.05.2017

Kosova ka pasuri të mëdha nëntokësore. Nga ari, argjendi, plumbi e zinku e deri te qymyri, si një prej pasurive më të mëdha.

Këto pasuri nëntokësore janë të shtrira në tërë territorin e Kosovës. Për këto pasuri ka hulumtime që janë bërë, mirëpo për shumë minerale ka nevojë për hulumtime moderne për të caktuar sasinë e rezervave nëntokësore dhe koston e eksploatimit të tyre.

Aktualisht, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (Ish- Ministria e Energjisë dhe e Minierave) në vitin 2009 ka miratuar listën e vendburimeve minerale. Janë shpallur 11 zona të interesit të pasura me minerale të çmueshme.

Ramiz Krasniqi, drejtor i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale tha se Kosova është e pasur me resurse minerare, ku resurset energjetike dhe ato të metaleve me ngjyrë, paraqesin potencial të rëndësishëm për zhvillimin e gjithmbarshëm.

“Mund të veçohen linjiti, mineralet e plumbit, zinkut, argjendit dhe arit, mineralet silikate të nikelit dhe kobaltit, të hekur – nikelit, boksitit, manganit, magnezitit dhe një numër i konsiderueshëm i mineraleve jometalore, industriale dhe materialeve gjeologjike ndërtimore”, tha Krasniqi për KALLXO.com.

Sipas Krasniqit, në Republikën e Kosovës ari paraqitet në paragjenezë me xehe të bakrit, plumbit dhe zinkut si dhe i pastër (i vetëlindur) në depozitime aluviale të lumenjve.

“Gjer tani ari dhe argjendi janë nxjerrë vetëm nga xehet e plumb-zinkut”, tha Krasniqi. Tha se ka nevojë të bëhen hulumtime të tjera.

“Hulumtime të pakta janë realizuar në territorin e gjerë të Artanës, Junikut, në lumin Tërnavë, Dragash, në afërsi të Prekovcit (Kriva Reka), Gllamë dhe në lindje të Koretishit”, tha ai.

Në Strategjinë e Energjisë janë paraqitur sasia e mineraleve energjetike që janë nën tokën e Kosovës. Në këtë strategji thuhet se resurset e vlerësuara të linjitit në gjithë Kosovën janë 12.5 miliardë tonë, ndërsa 8.6 miliardë tonë janë rezerva të shfrytëzueshme që nga aspekti ekonomik konsiderohen me leverdi për t’u shfrytëzuar. Basenet më të rëndësishme qymyrmbajtëse janë: Baseni i Kosovës, i Dukagjinit dhe i Drenicës.

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik thonë se zonat e interesit për resurse minerale janë zona pjesërisht të hulumtuara, por që duhen hulumtime plotësuese.

“Lidhur me zonat minerale me interes të veçantë është punuar në evidentimin dhe përpunimin e dokumentacionit relevant lidhur me hulumtimet gjeologjike të realizuara në këto zona dhe janë përmbledhur në një broshurë”, thuhet në përgjigjet e dhëna për KALLXO.com.

Përveç zinkut dhe plumbit, nëntoka e Kosovës është e pasur edhe me shumë minerale të tjera.

Në strategjinë minerare thuhet se nëntoka e Kosovës është e pasur edhe me nikel dhe kobalt.

Paraqitjet dhe vendburimet e hekur – nikelit në Kosovë shtrihen nga Ivaja afër Kaçanikut në jug dhe vazhdojnë gjer në Vërbovc (Gllogoc) në veri, të cilat paraqiten në formë të thjerrëzave, shtresave dhe nënshtresave.

Në kuadër të “Ferronikelit”, e cila është privatizuar, funksionojnë dy miniera me shfrytëzim sipërfaqësor, “Gllavica”.

Në Kosovë ka edhe vendburime të xeheve të kromit, kryesisht në Minierën e Kromit “Deva”, ndërsa së fundmi janë evidencuar edhe pasuri në rajonin e Brezovicës, Jazincës, në Rahovec, si dhe në Llapçevë. Ndërsa vendburimi më i rëndësishëm i mergelëve për çimento gjendet në Han të Elezit.

Nëntoka e Kosovës është e pasur edhe me uran, e në strategjinë minerare është lënë të nënkuptohet se në rajonin e Dukagjinit mund të ketë edhe naftë dhe gaz. Në rajonin e Klinës janë të koncentruara rezervat e boksiteve – llogaritet se rezervat janë rreth 2.7 milionë tonë, kurse rezervat e gurit gëlqeror përcjellës janë rreth 40 milionë tonë.

Shefi i KPMM-së, Ramiz Krasniqi, tha se ka interesim të investitorëve për të investuar në nëntokën e Kosovës. Ai ka thënë se është një numër i madh i ndërmarrjeve ndërkombëtare dhe vendore të cilat janë të licencuara nga KPMM-ja për hulumtim te mineraleve të ndryshme.

Telegrafi,  15.05.2017

Kompania “Eco Trade”, pronë e biznesmenit Mehdi Zhugolli, ka fituar edhe një tender prej 200 mijë eurosh në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Po ashtu për më pak se dy vjet kjo kompani ka fituar tenderë në vlerë prej mbi 6 milionë eurosh nga kompania më e madhe publike në vend.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila drejtohet nga Arben Gjukaj, e ka shpërblyer edhe më një tender të ri kompaninë private “Eco Trade”, pronë e Mehdi Zhugollit. Në njoftimin e publikuar në uebfaqe të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) thuhet se në tenderin “Furnizim me xhunta hidrodinamike”, ku kanë konkurruar katër kompani, kompania e biznesmenit Zhugolli është shpallur fituese.

Më tutje në njoftimin e publikuar në uebfaqe thuhet se nëse ndonjëri nga Operatorët Ekonomikë (OE) që ka qenë në garë nuk ka ankesë rreth procesit në të prokurimit, atëherë kontrata mes KEK-ut dhe Operatorit Ekonomik fitues pritet të nënshkruhet më 15 maj të këtij viti.

Zëri,  14.05.2017

Është zona e rrugës së Spitalit rajonal të Pejës, ku KEDS ka shtrirë investim në shërbim të ngritjes së cilësisë dhe kualitetit të furnizimit me energji për komunitetin.

Zona përfshinë dhjetëra lagje e blloqe nga objekti i ish-Arkivit të Qytetit e deri tek Spitali Rajonal. Përfitues janë mëse 1.200 konsumatorë.

“Rreth 30 shtylla për tension të ulët, 5 për tension të mesëm, që janë vënë në varsi të nevojës si dhe infrastrukturë përcjellëse e energjisë, tashmë janë vënë në këtë pjesë të Pejës nga Kompania jonë ”, deklaron zëdhënës i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Buzhala thotë se në këtë pjesë të Pejës, në mesin e përfituesve janë edhe shumë biznese.  “Kjo tregon seriozitetin e kompanisë tonë dhe tendencën që të jemi sa më afër konsumatorit. Fokusi yni është që konsumatori të ketë benefite kualitative, përfshirë këtu edhe ata të biznesit si dhe të ketë efekte sa më pozitive ”, shton Buzhala.

Në mesin e 1200 përfituesve nga ky investim i KEDS-it, është edhe Bashkim Nimani, pronar i biznesit familjar marketit ‘Banacol’. Nimani thotë se projekti është mirëpritur dhe çdo investim për këtë pjesë të frekuentuar të qytetit është i mirëseardhur.

“Kjo është rruga kryesore e qytetit. Problemet në të kaluarën kanë qenë të mëdha sa i përket energjisë elektrike. Investime si ky tani në këtë pjesë nuk ka pasur më parë. Ne presim tani energji kualitative dhe presim çdo investim i cili ndihmon bizneset tona ”, thotë Nimani.

Nimani shton  se KEDS ka punuar shpejt dhe pastër gjatë projektit. “Po, ekipet e tyre kanë qenë shumë të shpejtë dhe të pastër. Shtyllat janë vënë pa penguar trafikun dhe pa bërë dëme e pa lënë mbeturina anash ”, shton Nimani.

KEDS këto ditë është duke investuar edhe në pjesë të Pejës.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  05.05.2017

Në mbledhjen e VII të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Bordi ka vazhduar me aprovimin e pakos së legjislacionit sekondar e cila është duke u përshtatur me Ligjet e reja të Energjisë, të aprovuara vitin e kaluar nga Kuvendi i Kosovës me qëllim të harmonizimit me pakon e tretë të direktivave të BE-së për energji.

Bordi i ZRRE në këtë takim ka aprovuar po ashtu Rregullën e procedurës së autorizimit për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë dhe Rregullën për skemën mbështetëse të Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE).

Rregulla e procedurës së Autorizimit përcakton kriteret dhe procedurat për dhënien e Autorizimit për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, sistemeve të reja për bartjen dhe shpërndarjen e gazit, përfshirë linjat interkonektive si dhe linjat direkte elektrike dhe ato të gazsjellësit, në mënyrë që të krijohen kushte për shfrytëzim efiçient dhe me kosto-efektive të energjisë, duke marrë parasysh madhësinë e tyre të kufizuar dhe ndikimin e mundshëm mjedisor.

Përderisa Rregulla për Skemën Mbështetëse (SM) përcakton kriteret dhe procedurën për aplikim dhe pranim në SM me qëllim të përkrahjes së prodhimit të energjisë elektrike nga BRE.

Kjo rregull përcakton procedurën e aplikimit për pranim në SM në përputhje me kritere objektive, transparente dhe jodiskriminuese.

Kjo Rregull përkrah krijimin e një tregu konkurrues të energjisë duke nxitur investime dhe duke garantuar siguri dhe stabilitet të sektorit të energjisë në Republikën e Kosovës.

Në këtë takim janë miratuar gjithashtu Metodologjitë për përcaktimin e tarifave për Operim të Sistemit,  tarifat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe ato të Operatorit të Tregut. Bazuar në këto metodologji janë përcaktuar edhe tarifat për shfrytëzim të sistemit të Transmetimit, tarifat për operim të sistemit dhe ato për operim të Tregut.

Si pjesë e akomodimit të sektorit me legjislacionin e ri, i cili obligon liberalizimin e tregut të energjisë, ZRRE në përputhje me kërkesat e dala nga ligjet dhe në harmoni me Udhëzimin për liberalizimin e tregut, ka vendosur që operatorit të furnizimit me energji elektrike KESCO sh.a, ti vendos obligimin e shërbimit publik për furnizim të konsumatorëve fundorë që gëzojnë të drejtën e furnizimit universal.

Në këtë drejtim Bordi po ashtu ka aprovuar Rregullën për vendosjen e të hyrave dhe çmimeve për Furnizuesin me shërbim universal si dhe ka amandamentuar Licencën e operatorit për furnizim KESCO sh.a, duke i shtuar obligimin e shërbimit publik.

Sipas Ligjit për Energji Elektrike, të drejtën e furnizimit me shërbim universal e gëzojnë të gjithë konsumatorët familjar dhe ata jofamiljar që kanë qarkullim vjetor jo më shumë së dhjetë (10) milion euro, ose jo më shumë së pesëdhjetë (50) punonjës.

Vendim tjetër i Bordit të ZRRE ka qenë edhe shqyrtimi dhe aprovimi i formave të marrëveshjeve për shitblerje të energjisë në mes të operatorëve të sistemit të energjisë në vend.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  04.05.2017

Me kërkesën për ngritje e pagave dhe kushte më të mira të punës, edhe Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës, ka organizuar protestë për ditën e 1 Majit.

Kryetari i sindikatës së re të KEK-ut, Rafet Osmani, tha se qëllimi i kësaj proteste, është sensibilizimi i opinionit me gjendjen e krijuar në KEK dhe shkatërrimin që po i bëhet ekonomisë së Kosovës dhe perspektivës së saj.

“Kemi arsye të shumta dhe ndoshta edhe më shumë se të tjerët, që këtë ditë ta shënojmë me manifestime dhe protesta masovike, për paga më të larta dhe më të dinjitetshme. Përmirësim të kushteve të punës dhe standardit jetësor të punëtorëve, ngritjen e kapaciteteve të inspektoratit të punës dhe sigurisë, për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve nga marrëdhënia e punës dhe sigurisë në punë. Mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe mbrojtjen e ambientit të punës”, tha ai.

Ndërsa u bëri thirrje institucioneve, që t’i kenë parasysh kërkesat e tyre, në të kundërtën protestat nuk do të ndalen.

“Nga ky vend i bëjmë thirrje Qeverisë dhe Parlamentit të Republikës së Kosovës, që të këndellen dhe urgjentisht të veprojnë për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet. Në të kundërtën sindikata e re e KEK-ut nga 10 Maji do t’i mobilizoj të gjithë punëtorët e KEK-ut për të protestuar, për protesta të vazhdueshme para Qeverisë së Kosovës. Do të kërkojmë të na bashkohen dhe sindikatat tjera në Kosovë, shoqëria civile, organizatat studentore dhe qytetare. Përgjegjësinë për situatën e krijuar, do ta bartë vet bordi i drejtorëve të KEK-ut dhe menaxhmenti i KEK-ut për heshtje. Përkatësisht për mos bërjen publike me kohë të gjendjes dhe situatës kërcënuese me të cilën po ballafaqohet KEK-u”, tha ai.

Ndërsa kryetari i BSPK-së Haxhi Arifi tha se BSPK kanë qenë për dialog, për të ruajtur qetësinë sociale, por nuk e kanë menduar që punëtorët kosovar, do të vijnë në këtë gjendje. Andaj tha se BSPK së bashku me federatat, do t’ua prishin llogarinë institucioneve, të cilat nuk po i implementojnë ligjet.

“Kemi bërë shumë dialog. Ne kemi menduar shumë dialogun dhe ta ruajmë qetësinë sociale. Por nuk e kemi menduar që sot punëtoria kosovare, të jetë në këtë gjendje. Andaj ne e kemi filluar me sektorët, sot do të jetë KEK-u, nesër sektorët tjerë dhe bashkërisht një ditë jo shumë të largët, do të organizohen bashkërisht. Dhe do të iu tregojnë atyre që nuk i implementojnë ligjet, sepse ne e kemi vendos një shtet ligjor që ti respektojmë ligjet. Por edhe ata që janë nënshkrues të këtyre ligjeve dhe marrëveshjeve kolektive, le ta dinë që BSPK me federatat pranë BSPK-së, një të nesërme do të ua prish llogarinë“, tha ai.

Ndërkaq përfaqësuesin e KEDS-it Rashit Gashi, foli për pasigurinë në punë që nga privatizimi i KEDS-it dhe gjendjen e mjerueshme të punëtorëve të larguar nga puna. Ai tha se kjo gjendje e pashpresë po i përcjell ata tash e sa vite.

“Nuk mund të iu tregojmë dhe ndjenjën dhe vuajtjet tona, që vazhdojmë t’i kemi në katër vite prej kohës së privatizimit. Ne çdo ditë në mëngjes shkojmë në punë dhe rrimë me ndjenjën, që kjo është dita jonë e fundit në punë. Mbi 400 punëtorë kolegë tanë, sot nuk janë në mesin tonë. Ata nuk mund ta sigurojnë kafshatën e fëmijëve të tyre, përmes djersës së tyre. Ata madje nuk janë as në mëshirën e Qeverisë së Kosovës, sepse nuk janë kategori e punëtorëve social. Ata nuk kanë as moshën për pension. Dhe kjo gjendje e pashpresë na përcjellë dhe sot dhe tutje”, tha ai. /Telegrafi/

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, tha se sektori energjetik në Kosovë mbetet ende i brishtë për shkak të dy termocentraleve të amortizuara.

Sipas tij investimet e realizuara pritet të sjellin përmirësime për jetën e qytetarëve. “Viti 2017 duhet të jetë një vit kthese për sektorin e energjisë pasi Kosova duhet të vazhdojë të punojë për përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian. Kjo ka të bëj me zhvillimin ekonomik por edhe me përmirësimin e cilësinë e jetës. Miratimi i ligjeve të reja për energji elektrike si dhe strategjia për energji elektrike janë të arritura kaq të rëndësishme për krijimin e themeleve për të gjitha zhvillimet në sektorin energjetik”, tha ambasadori amerikan në Prishtinë.

Që prej përfundimit të luftës në Kosovë, vendi është përballur me mungesën e energjisë elektrike për shkak të, siç është vlerësuar, ‘termocentraleve të vjetruara dhe problemeve me rrjetin energjetik’.

Zyrtarisht thuhet se prej vitit 2003 deri më 2016, në termocentrale janë investuar mbi 400 milionë euro, por vlera e donacioneve të huaja nuk është bërë e njohur.

Qeveria e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë në Kosovë thanë se sektori energjetik mbetet prioritet dhe një “Strategji e Energjisë për vitin 2017 -2026”, synon që ta stabilizojë furnizimin me energji elektrike në vend, me kosto të përballueshme, me rritje të pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme, si dhe integrim në tregun regjional.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se miratimi i strategjisë ka qenë hap i domosdoshëm, pasi energjia paraqitet një ndër prioritetet kryesore për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social të Kosovës.

“Dhe ky është treguesi më i mirë që ne mund të arrijmë rezultate të cilat i synojmë, që Kosova është një vend dhe shtet stabil, një shtet ku mund të zhvillohen investime të volitshme, një shtet miqësore për investime. Dhe një shtet që mund të sigurojë të gjithë investitorët që të vijnë dhe të tregojnë vetëm këtu”, tha kryeministri Mustafa.

Në anën tjetër, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka thënë se reforma e sektorit të energjisë, që mundëson transformimin e tij dhe vënien e bazës së qëndrueshme për zhvillimin ekonomik, është e vizionuar në pesë objektiva, që sjellin investime prej 3 miliardë eurosh.

Ndërkaq, si lajm pozitiv për këtë sektor ministri Stavileci, e vlerësoi miratimin e pakos se tretë të ligjeve për energji vitin e kaluar në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, këto ligje, janë në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian dhe i hapin rrugë liberalizimit të tregut.

“I hapin rrugën që të liberalizohet tregu, të liberalizohen çmimet dhe krijon mundësi që ne të kemi një treg konkurrues të energjisë elektrike gjë që është synim jo vetëm i Kosovës por i gjitha shteteve të rajonit”.

Ndryshe, përkrahje autoriteteve vendore, sa i përket investimeve në sektorin energjetik, konkretisht në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, siç është projekti i Termocentralit “Kosova e Re”, i ka dhënë Banka Botërore dhe përfaqësues të zyrës se Bashkimit Evropian në Kosovë.

Autoritetet në Kosovë kanë nisur prej vitesh një projekt për ndërtimin e një termocentrali të ri me një kapacitet prej afro 500 megavatësh. Ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’ pritet të nisë vitin e ardhshëm, dhe ka pasur paralajmërime se ai do ta nxjerrë nga përdorimi Termocentralin ‘Kosova A’, i cili është ndërtuar në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar.

Telegrafi,  19.04.2017

Me vendim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kompetencat për inspektimin e cilësisë së karburanteve të naftës iu bartën Doganës së Kosovës, me qëllim të rritjes së kontrollit në pikat doganore për naftën e importuar në Kosovë.

Për të diskutuar mbi dispozitat e Udhëzimit Administrativ për Cilësinë e Karburanteve të Naftës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organozi një diskutim me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës së Kosovës dhe kompanitë e shpërndarjes së naftës.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Bahri Berisha tha se bashkëpunimi i Doganës me sektorin privat është i një rëndësie të veçantë sidomos në aspekt të zbatimit të mirëfilltë të ligjit, zbatim i cili poashtu do të mundësohet përmes laboratorëve të sofistikuar me të cilët është pajisur Dogana dhe bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare.

Berisha theksoi se të gjitha kompanitë e shpërndarjes së naftës fillimisht duhet të jenë të pajisura me deklaratën e konformitetit dhe të cilësisë, 3% e të cilave do t’u nënshtrohen kontrollimit të cilësisë brenda ditës.

Kompanitë e shpërndarjes së naftës u njoftuan nga zyrtarë të Doganës mbi procedurat përkatëse për kontrollimin e cilësisë së naftës së importuar në Kosovë, duke shprehur nevojën edhe për një trajnim të veçantë i cili do t’iu lehtësojë kryerjen e këtyre procedurave dhe si rezultat zbatimin e mirëfilltë të ligjit.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  13.04.2017

K151 familje të fshatit Ruvc të Lipjanit tashmë kanë rrjet të ri elektrik, që mundëson rryma të jetë më e fortë, shërbimet më kualitative dhe të bëjnë  biznes më lehtë.

Tensioni i ulët, shtyllat elektrike, rrjeti i vjetër, nuk do të jetë më problem për banorët e fshatit Ruvc i Vjetër të Lipjanit. Me punimet në rrjetin energjetik që ka bërë KEDS-i, problemi është zgjidhur për shumë dekada të ardhshme.

Gjithkund të bien në sy shtyllat e reja dhe përçues të fortë elektrik. Me këtë pamje të re energjetike, tash “Ruvci nuk është më i vjetër, por i ri”.

Asgjë nuk është si më parë, shprehen të gëzuar banorët.

“Ndryshimi është 100 për qind, rrjeti është i ri, rryma ma e fortë dhe biznesin e punojmë më lehtë. Më parë na është dashur që lopët t’i mjelim me dorë, tash po përdorim makinën dhe qumështin e dërgojmë me kohë të kompania e qumështit Bylmeti, është puna me të cilën ne jetojmë”, thotë Liridon Hajdini, banor i fshatit.

Gjatë realizimit të punimeve në projektin Ruvc i Vjetër është bërë implementimi i shtyllave të tensionit të ulët, 20 shtylla të tensionit të mesëm, 6363 m rrjet i tensionit të ulët, 800m rrjet i tensionit të mesëm, 1 trafoblindë me fuqi të transformatorit 630 kVA.

Me vendosjen e kabllove bistek është rritur edhe siguria e konsumatorëve për tensionin e ulët.

Numri i familjeve të cilët kanë përfituar nga realizimi i këtij projekti është 151.
Gjatë këtij projekti është bërë edhe demontimi i rrjetit të vjetër që kanë qenë më parë.

Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, sikur në tërë Kosovën edhe në këtë rast po aplikon MasterPlanin 10-vjeçar, që u jep përparësi zonave me rënie të mëdha të tensionit. Edhe ky investim është në kuadër të përmirësimit të shërbimeve kualitative të konsumatorëve dhe zvogëlimin e humbjeve.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  11.04.2017