info@energjia.al

Kompania për Ditribuimin e Energjisë Elektrike KEDS brenda vitit eksporton miliona euro energji elektrike jashtë vendit.

Vitin e kaluar ka eksportuar energji në vlerë prej 25 milionë eurove, kurse vetëm në tremujorin e tretë të këtij viti ka eksportuar 5.4 milionë euro.

Ndërkohë këtë sasi të rrymës KEDS po e eksporton në Serbi e Kinë.

Këtë për Gazetën Fjala e kanë konfirmuar nga Doganat e Kosovës.

“Po Dogana ka të dhëna dhe vendet ku ne kemi eksportuar janë Serbia, Danimarka dhe Kina”, ka thënë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës.

Ndryshe KEDS, bazuar në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm në tremujorin e tretë të këtij viti, ka eksportuar rrymë jashtë vendit në vlerë prej 5.4 milionë eurove.

“Në tremujorin e tretë të vitit 2017, Kosova ka importuar 66.7 GËh energji elektrike. Në këtë tremujorë (TM 3 2017) Kosova ka eksportuar 194.4 GËh energji elektrike”, thuhet në raportin e ASK-së “Bilanci i energjisë”.

Këtë sasi të energjisë KEDS po e eskprton në kohën kur vendi rrezikohet nga një kolaps I mundshëm energjetik, për shkak të mungesës së prodhimit të energjisë elektrike nga KEK-u.

Gazeta Zëri,  22.11.2017

Çarshia e Gjakovës, që njihet një ndër më të mëdhatë në Evropën Juglindore, me një arkitekturë të  ndërtimit të stilit tradicional, ka qenë cak i një investimi kapital të KEDSit me një kosto jashtëzakonisht të lartë, që kap shifrën prej mbi 320 mijë euro.

Punët e kryera këtu i janë përshtaur edhe arkitekturës së ndërtimit të këtij kompleksi kulturoro-historik. Projekti ka marrë fund në tetor të këtij viti.

Në këtë projekt, që ka qenë edhe kërkësë e vet komunës së Gjakovës, janë vendosur ormanet e tensionit të ulët që kanë zëvendësuar shtyllat e drurit rreth 50 vjet të vjetra, që kanë qenë në gjendje shumë të keqe dhe të kalbura. I gjithë rrjeti elektrik ajror është zevendësuar me atë nëntokësor.

Të gjithë ata zejtarë e tregtarë të cilët zhvillojnë veprimtaritë e tyre në Çarshi, janë mjaft të kënaqur me me ndryshimet në rrjetin energjetik që ua ka bërë KEDS-i.

Për Gëzin Golën, zdrukthtar me profesion, heqja e shtyllave të vjetra, jo vetëm që ka larguar rrerzikun, por edhe ka zbukuruar Çarshinë.

“E kanë kënaq, kanë hequr të gjithë telat dhe shtyllat e vjetra dhe kanë largu edhe rrezikun dhe na kanë zbukuru Çarshinë”, ka thënë Gola.

Ormanat e ri të tensionit të ulët që janë vendosur në Çarshi, janë punar enkas në fabrikë vetëm për këtë projekt, duke iu përshtatur mjedisit dhe arkitekturës së vjetër të vet Çarshisë të qytetit të Gjakovës.

Gjatë punimeve në këtë projekt janë hapur 6,494 m gjatësi kanal kabllovik, janë shtrrirë 1968 m kabllo nëntokësore të tensionit të mesëm, dhe 22,710 m kabllo nëntokësore të të tensionit të ulët, gjithashtu janë hapur edhe 53 puseta si dhe  49 ormana të tensionit të ulët.

Edhe pronari i kafiterisë “Amichi” në Çarshi, Jahja Kërleshi, më nuk do të ketë pengesë në punë nga shtylla që kish mu para lokalit të tij.

“ Ky investim nga KEDS-i ka qenë më se i domosdoshëm. Një shtyllë e vjetër para lokalit më pengonte në punë. Telat e vjetra dukeshin si merimanga dhe paraqisnin rrezik të madh. Me investimin e KEDS-it është hequr edhe rreziku dhe punën e kemi më të lehtë,” ka thënë Kërleshi.

Edhe zyrtarët komunalë të Gjakovës kanë fjalë të mira për punët e zhvilluara këtu nga KEDS-i.

“Ky investim, më i qëlluari I KEDS-it, i ka shtuar hijen qytetit dhe në të njëjtën kohë ka larguar rrezikun përgjithmonë”, kështu thotë Bekim Kurshumlia, me profesion stomatolog.

Bekimi është ndeshur me dy shtylla të ngjitura njëra me tjetrën para ordinancës së tij dhe rrejti i vjetër i vinte nga fqinji përmbi kulmin e tij, dhe kjo i paraqiste atij problem mjaft serioz. Me largimin e shtyllave  dhe instalimin kabllor nëntokësor u zgjodh edhe problemi për Bekimin.

“U lirua hapësira, u largua edhe rreziku, dhe nga ana estetike është shumë më mirë”, përfundon Kurshumlia.

Me investime në Gjakovë është ndarë shumë e kënaqur edhe kryetarja në shkuarje e Komunës, Mimoza Kusari- Lila. Ajo gjatë dy vjetëve të fundit i ka ndarë dy mirënjohje KEDS-it për ivestime në komunë.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  21.11.2017

Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike KEDS ka zbatuar projektin investiv të rradhës në bllokun “Dardania” në Pejë.

Bëhet fjalë për një investim mëse të nevojshëm. nga i cili pëfitues janë 1 mijë e 200 ekonomi familjare e biznesore.

Investimi ka bërë që një pjesë e madhe e Pejës të eliminojë problemet energjetike në furnizim kualitativ dhe stabil për çka është ndërtuar e instaluar rrjet elektrik komplet i ri.

“Është vënë një trafo me fuqi 630 kVA, janë vënë poashtu 50 shtylla të betonit të reja për tension të ulët, mbi 2 mijë metra kabllo kualitative si dhe tensionit të lartë i është bërë shtrirja nëntokësore”, thotë zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala

Sipas tij ky investim ndikon në furnizimin me energji kualitative dhe stabile dhe se investimi është bërë sipas standardeve më të fundit ndërkombëtare.

“KEDS punon në tërë Kosovën me këto standarde”, thotë Buzhala.

Në mesin e 1 mijë e 200 ekonomive përfituese nga ky projekt është edhe familja Grapci.

Eron Grapci thotë se investimi ka qenë mëse i nevojshëm dhe shumë i qëlluar për këtë pjesë të Pejës.

“Rrjeti ka qenë total i vjetëruar me shumë probleme ndër vite. Tash investimi po shihet edhe me sy, por edhe ka ndikim pozitiv sa i përket tensionit stabil”, shprehet Grapci.

KEDS këto ditë në Pejë ka shtrirë projektet edhe në disa zona me rëndësi për këtë komunë dhe trevat përreth.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  07.11.2017

Nga vitit 2012 e deri më tani konsumatorët në pjesë të tjera të vendit kanë paguar nga mbi 8 milionë euro për humbjet komerciale në veri të vendit.

Sipas statistikave, vetëm në veri, humbjet komerciale shkojnë deri në 4.5 për qind, ndërkaq shuma totale e kësaj pagese shkon në mbi 40 milionë euro, që nga viti 2012.

Por, përveç veriut, me humbjet komerciale konsumatorët janë edhe më keq. Në total sipas ZRRE-së, humbjet komerciale të energjisë elektrike shkojnë në 16.65 për qind.

Nëse bëhet një llogaritje e thjeshtë matematikore, del se humbjet në pjesën tjetër të vendit, pa veriun janë 12 për qind, e nga viti 2012 për këto humbje komerciale konsumatorët janë ngarkuar me 24 milionë euro në vit.

Pra në total, vetëm për humbje komerciale, konsumatorët janë ngarkuar me energji të pa shpenzuar për një periudhë rreth 10 vjeçare me 240 milionë euro.

Ndërkaq, nëse i llogarisim bashkë, si humbjet komerciale edhe ato të paguara për rrymën e shpenzuar në veri, i bie që konsumatorët e rregullt të kenë paguar 280 milionë euro fatura të energjisë, të pa shpenzuar nga ata.

Humbjet komerciale janë treguar problem shqetësues edhe për Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Këto humbje, sipas një draft-raporti të këtij institucioni për vitin 2016, të cilin e ka siguruar Telegrafi, shkojnë në 16.65 për qind në tërë vendin.

“Shqetësuese mbeten humbjet komerciale, që janë mjaft të larta, të cilat përbëjnë 16.65% të konsumit total në shpërndarje. Nga kjo, energjia e pa faturuar në pjesën veriore të Kosovës (252 GWh) përbën rreth 5.24% të kërkesës së shpërndarjes, pjesë kjo ku dominon minoriteti serb, ndërsa krahasuar ndaj humbjeve komerciale në shpërndarje përbënë 31.5%”, thekson Draft raporti i ZRRE-së për vitin 2016.

E, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se është e padrejtë që qytetarët të ngarkohen me diçka që nuk e kanë shpenzuar.

Sipas tij, çdo ngarkesë që i është bërë qytetarëve me fatura të energjisë elektrike duhet kompensuar.

“Do të duhej që ky kompensim për pagesën e bërë tu kthehej qytetarëve. Kam tentuar që të kursej qytetarët dhe këtë e kam marr (si obligim) si avokat i popullit për të bërë padi, në kompensimin e dëmit që është shpenzuar. Kjo barrë që i është bërë qytetarit t’i kompensohet në faturat e ardhshme”, ka thënë Jashari.

Deri në shqyrtimin përfundimtar, sipas tij, vendimi gjyqësor për pezullim do të duhej të gjente zbatim të menjëhershëm nga ZRRE-ja.

“Vendimi i pezullimit nga Gjykata do duhej të merrte zbatim të menjëhershëm sepse ka marr formën e prerë, kuptohet në ankimim dhe procedurë të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

Se konsumatorët ngarkohen në mënyrë të paligjshme e pranojnë edhe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në profilin tij në Facebook, ka thënë se nuk pajtohet që konsumatorët të ngarkohen paligjshëm me faturimin e energjisë eklektike nga mos pagesa në veri.

Por mos pagesa sipas tij, nuk duhet tu faturohet konsumatorëve të cilët paguajnë faturat.

“Mos pagesa e energjisë i shkakton humbje operatorëve të energjisë, mirëpo kjo nuk e arsyeton assesi faturimin e kësaj humbje qytetarëve tjerë”, tha ai.

Sipas tij, shpenzimet dhe ngarkesat e tilla do të hiqen nga tarifimi për vitin 2018.

“ZRRE nuk ka bord funksional që nga muaji maj dhe tashmë jemi në proces të përzgjedhjes së dy anëtarëve të rinj në këtë institucion, që edhe e mundëson marrjen e vendimeve të ndryshme. Rekrutimi i dy anëtarëve shtesë do të realizohet brenda muajit dhjetor të këtij viti”, ka premtuar ministri i MZHE-së, Valdrin Lluka.

Sipas tij, çështja e veriut të vendit, është politike për të cilën duhet gjetur një zgjidhje e shpejtë dhe e ligjshme.

Ndërkaq, zëdhënësja e ZRRE-së, Adelina Murtezaj – Bajrami nuk ka sqaruar për humbjet komerciale në veri por edhe në pjesë të tjera të vendit.

Sipas saj, vendimet e ZRRE-së janë të bllokuara nga mos plotësimi i bordit.

“Humbjet e energjisë elektrike janë një nga komponentët përbërës të të Hyrave të Lejuara Maksimale të ndërmarrjeve të cilat i nënshtrohen rregullimit të çmimeve. Nga të Hyrat e Lejuara Maksimale kalkulohet tarifa e energjisë. Çdo vlerësim i të Hyrave të Lejuara Maksimale i nënshtrohet proceseve të rregulluara me ligjet e energjisë dhe rregullat e tjera për përcaktimin e çmimeve. Vendimet, sipas këtyre ligjeve dhe rregullave, merren nga Bordi i ZRRE, i cili aktualisht ka vetëm dy anëtar dhe nuk mund të marr asnjë vendim për shkak të mungesës së kuorumit”, ka qenë përgjigja e Murtezaj – Bajramit.

Ajo thotë se sipas Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, seancat e Bordit mund të mbahen nëse ekziston kuorumi, pavarësisht nëse ka një apo dy pozita të lira në Bord.

Kurse në KEDS kanë thënë se do ta aplikojnë çdo politikë e cila vendoset nga ZRRE-ja.

“KEDS, kur mori përsipër operimet e distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike vazhdoi aplikimin e politikave të themeluara nga ZRRE-ja si trupë politikbërëse në sektorin e energjisë. Ne do të vazhdojmë të aplikojmë çdo politikë të vendosur nga ZRRE siç edhe e kemi në përgjegjësi”, ka thënë për Telegrafin zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Gazeta Zëri,  07.11.2017

Kosova përgjatë viteve është duke u ballafaquar me furnizim jo stabil me energji energjike. Ndërprerjet e kohëpaskohshme të energjisë elektrike, përmes njoftimeve zyrtare, i paralajmëron Distribucioni i Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS).

Aty tregohet për kohën dhe regjionet se kur do të ndërpritet energjia elektrike. Si arsye kryesore e mungesës se këtij produkti në Kosovë vazhdimisht theksohet vjetërsia e termocentraleve në Kosovës, të cilat datojnë që nga vitet e 60-ta.

Derisa, që nga viti 2013 shpërndarja e energjisë elektrike realizohet nga konsorciumi turko –amerikan ‘Çalik – Limak” i cili e ka blerë këtë distribucion.

Arben Gjukaj, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se termocentralet janë të vjetruara dhe se kapaciteti i tyre është i pamjaftueshëm për të mbuluar qind për qind kërkesat për energji elektrike. “Termocentralet Kosova A dhe Kosova B, ku në total kanë një kapacitet të disponushëm për prodhim afër 900 megavatë dhe nevojat vjetore të konsumit Korporata Energjetike i mbulon për afër 89 për qind”, thotë Gjukaj.

Për një furnizim stabil me energji elektrik, drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj thotë duhet të bëhet ndërtimi i kapaciteteve të reja, siç është termocentrali i ri. “Zgjidhja përfundimtare edhe e planit operacional të KEK-ut është ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese si dhe rivatilizimi i Kosovës B i cili do të zgjidhte problemin në terme afatgjate”, thotë Gjukaj.

Pasiguri me furnizim me energji elektrike vazhdon të jetë një nga kufizimet kyçe edhe për zhvillimin e ekonomisë në Kosovë.

Në hulumtimet e bëra nga përfaqësues të bizneseve në Kosovë ishte theksuar se Kosova duhet të investojë në sistemin energjetik, pasi që bizneset po përballen me problem të energjisë.

Visar Azemi, nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë për Energji, për Radion Evropa e Lirë, thonë se në sektorin energjetik në Kosovë është bërë menaxhimi jo i mirë dhe se politikat e hartuara janë bërë në mënyrë të gabuar.

“Problemi i furnizimit me energji elektrike ka filluar qysh nga përfundimi i luftës deri disa vite më parë kur Kosova ka vendos të privatizojë rrjetin e distribucionit dhe shpërndarjes me qëllim që të kemi një përmirësim me energji elektrike, por prapë një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe kemi pasur raste të shumta ku problemet janë shtuar në disa pjesë dhe kjo si pasojë e keq menaxhimit të dikasterit të energjisë elektrike në Kosovë”, thotë Azemi.

Përgjatë 10 viteve të fundit, shton ai, autoritetet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë konkrete për të përmirësuar gjendjen e energjisë elektrike. “Ne si KOSID i kemi bërë thirrje Qeverisë që po humbin kohë dhe mjete financiare, ku për shumë probleme janë investuar mbi 1 miliard euro në sektorin energjetik dhe gjendja prapë është e mjerueshme dhe nuk është bërë asnjë hap për të parë mundësinë që të largohemi nga gjenerimi i energjisë elektrike me thëngjill. Kemi kërkuar që ky 98 për qind me thëngjill të zvogëlohet duke shtuar kapacitete të reja të prodhimit nga burimet e ripërtritëshme”, thotë Azemi.

Përgatitjet për ndërtimin e një termocentrali të ri të quajtur Kosova e re kanë filluar më shumë se një dekadë, por se ende nuk kanë filluar.

Telegrafi,  03.11.2017

Në kuadër të përgjegjësisë shoqërore të Korporatës, KEDS ka filluar projektin e “Efiçiencës së Energjisë Elektrike” me nxënës të shkollave fillore.
Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës janë përzgjedhur në fazën pilot 4 shkolla.

Nën ligjërimin e studentëve të KEDS Akademisë, lidhur me masat efiçientë që duhet t’i zbatojnë në shtëpitë e tyre, janë pajisur me njohuri të gjithë nxënësit e klasave të katërta të shkollave fillore “Shkëndija” në Hajvali, “Andon Zako- Çajupi” në Bardhosh, “Hilmi Rakovica” në Kodër të Trimave. Pilot projekti përfundon me nxënësit e shkollës fillore “Nazim Gafurri” po në qytetin e Prishtinës.

Nxënësve u është mësuar nga studentët e trajnuar të KEDS Akademisë përdorimi sa më efiçient i të gjitha pajisjeve shtëpiake që funksionojnë me energji elektrike.

Menaxherja e departamentit të komunikimeve në KEDS-së, Naxhije Arifaj ka deklaruar se ky projekt është në vazhdën e shumë projekteve që ka ndërmarrë KEDS-i në fushën e përgjegjësisë shoqërore.

“KEDS ka filluar me projektin për efiçiencën apo kursimin e energjisë elektrike në shkolla, ky projekt është në vazhdën e shumë projekteve të tjera që KEDS është duke i realizuar në fushën e përgjegjësisë shoqërore. Sot është dita e tretë e projektit dhe projekti po shkon mjaftë mirë. Këtë po e vërejmë tek nxënësit të cilët janë shumë të interesuar …Efekti që dëshirojmë të arrijmë me këtë projekt është që t’i mësojmë fëmijët që të kursejnë energjinë elektrike, të vetëdijesohen, pra në kursim, por që këto këshilla t’i bartin edhe tek familjarët e tyre, tek shokët dhe shoqet dhe miqtë e tjerë”, tha ajo.

Arifaj po ashtu tregoi se me qëllim që ligjërata të bëhet më atraktive për nxënësit, ata kanë përfshirë edhe animacione si Elmeni, të cilat do iu ndihmojnë nxënësve që t’iu mbesin në kujtesë më shumë këshillat që KEDS i ka ndarë me ata.

Ndërkaq, mësimdhënësja e shkollës fillore “Hilmi Rakovica”, Pranvera Muqiqi këtë projekt të KEDS-it e ka konsideruar të qëlluar dhe të domosdoshëm për vetëdijesimin e nxënësve për kursimet energjetike.

“Ndryshimet gjithmonë ose tek ne është mirë me filluar që nga rinia, që nga të rinjtë dhe nga ato moshat, të vegjlit që ne i kemi në hapat e arsimimit mos të them vetëdijesimit sepse duhet me u vetëdijesuar edhe ne të rriturit…Mendojë që është shumë e domosdoshme dhe shumë e qëlluar, besoj dhe shpresoj shumë se ka me pas efekt”, tha ajo.

Ligjëruesja e këtij projekti e cila njëherit është edhe studente e KEDS Akademi, Marjeta Dobra tha se qëllimi i këtyre ligjëratave është vetëdijesimi i nxënësve të klasave të katërta lidhur me kujdesin ndaj energjisë elektrike.

Ajo shtoi se kanë synim që përmes fëmijëve të transmetohet mesazhi për efiçiencën e energjisë edhe tek familjarët. “Ne kemi të caktuara katër studente nga KEDS Akademia për t’i ligjëruar nxënësve të klasave të katërta në lidhur me kursimin e energjisë elektrike, t’i vetëdijesojmë ata se si të kujdesin energjinë dhe ta transmetojnë këtë mesazh tek familjarët e tyre. Po ashtu ne po u japim nxënësve disa njohur të përgjithshme në lidhje me energjinë elektrike, se si ajo prodhohet dhe se si na furnizon në shtëpitë tona, po ashtu po i vetëdijesojmë me ndotjen e ambientit në lidhje me ngrohjen globale dhe duke rezultuar kështu me përparësitë e kursimit të energjisë elektrike”, tha ajo.

Ligjëratat kanë qenë interaktive dhe është kërkuar në vazhdimësi edhe aktivizimi i nxënësve, përderisa maskota e përgatitur nga KEDS ka bërë që trajnimi të jetë edhe shumë atraktiv dhe i akceptueshëm për nxënës.

Nxënësja e klasës së katërt, Brisilda Beka, e cila tha se fal Elmenti ajo ka mësuar për ruajtjen e rrymës. “Prej Elmenti kam mësuar se drita nuk duhet t’i lëmë ndezur, makinën e rrobave duhet ta mbushim plotë dhe pastaj ta lëshojmë, derën e frigoriferit nuk duhet ta lëmë hapur vetëm sa na nevojitet dhe gjërat e nxehta në frigorifer nuk duhet t’i lëmë“, tha ajo.

KEDS të njëjtën kohë ka përgatitur edhe borshurën përkatëse që i është shpërndarë të gjithë nxënësve që kanë qenë pjesë e trajnimit.

Telegrafi,  23.10.2017

Pas një muaji e gjysmë punë intensive nga punëtorët e KEDS-it, ka marrë formën përfundimtare projekti i rikonstruimit të rrjetit në Trafosatcionit Shajne 2 në komunën e Dragashit.

Gjatë kësaj pune është bërë ndërrimi komplet i rrjetit të vjetër me atë të ri dhe janë zëvendësuar përçuesit e paizoluar me rrjet të ri kabllor ajror.

Janë vendosur shtylla të betonit në vend të atyre të drurit që kanë qenë të dëmtuara dhe kanë paraqitur rrezik.

Me këtë është shtuar shkalla e sigurisë, si dhe janë zvogëluar humbjet teknike të tensionit të mesëm.

Janë gjithsej 106 familje të kësaj ane që do të përfitojnë dhe do të kenë tension stabil.

Ky projekt ka 3 dalje të tensionit të ulët.  Sipas koordinatorit të Mirëmbajtjes, z.Qemal Mehmeti , punëtorët e KEDS-it kanë punuar pandërprerë.

“Me këtë projekt është bërë edhe balancimi i daljeve të tensionit të mesëm, si edhe aty ku ka qenë e nevojshme është bërë edhe dislokimi shtyllave nga oborret e shtëpive. Mendoj se me këtë projekt, benefitet si për konsumatorët ashtu edhe për kompaninë janë të konsiderueshme”, ka thënë Mehmeti.

Materiali i implementuar punëtorët e KEDS-it ka qenë mjaft  voluminoz. Janë vendosur dhjetëra shtylla betoni, janë shtrirë mijëra metra kabllo,  si dhe një sasi e madhe betoni dhe gypave nga ai.

Ky nuk është i vetmi projekt i KEDS-it në këtë rajon. Në realizim e sipër janë punimet në rrjet  në fshatin Blaç të kësaj ane.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  18.10.2017

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi.

Përmes këtij dokumenti, përcaktohen kushtet dhe mënyra e bashkëpunimit lidhur me furnizim me energji elektrike për nevoja të KQZ-së, gjatë procesit të Zgjedhjeve Lokale të 22 tetorit 2017.

Në emër të KQZ-së, Memorandumin e nënshkroi kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka kurse në emër të KEDS-it firmosi Drejtori i Përgjithshëm, George Karagutoff.

Pas nënshkrimit, kryetarja Daka tha se ky memorandum u nënshkrua që më 22 tetor të ketë energji elektrike në çdo Qendër Votimi dhe në objekte tjera të nevojshme për KQZ-në.

Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i KEDS SH. A, George Karagutoff u shpreh se përmes ekipeve do të monitorojnë gjendjen në Ditën e Zgjedhjeve për të pasur furnizim të rregullt me energji elektrike.

Sipas këtij memorandumi, KQZ-ja do t’i sigurojë KEDS-it listën e specifikuar të të gjitha objekteve, përfshirë adresat e sakta të Qendrave të Votimit me qëllim të furnizimit pandërprerë me energji elektrike.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  16.102017

Erea Blakaj, nxënëse e klasës së VIII, të martën e kishte një ditë shkollore ndryshe nga mësimet e zakonshme. Ajo, bashkë me 60 nxënësit tjerë të Shkollës Fillore “Xhemajl Mustafa” të Prishtinës vizituan KEDS-in.
“Mësova shumë gjëra sot. Nuk e dija që ka kabllo të rrymës bistekë që mbështillen dhe nuk janë të rrezikshme edhe po u prekan me dorë”, thotë ajo, teksa vrojtonte vendosjen e rrjetit të tensionit të ulët në fshatin Dyz të Podujevës.
Aty KEDS po ndërton rrjetin e ri për 90 familje duke përfshirë edhe një trafo shtesë, përderisa nxënësit kanë parë në praktikë si ndërtohet rrjeti energjetik, cilat janë nivelet e tensionit, për çka shërbejnë dhe si transformohen ato në nivele më të ulëta, deri te konsumatori shtëpiak.
“E shoh ndryshe KEDS-in. Po më pëlqen shumë si funksionon në realitet distribuimi dhe furnizimi i energjisë elektrike. Kjo ma shton dëshirën që të bëhem inxhiniere”, shton Erea, e cila pos emrit të veçantë, ka edhe pasionin për të mësuar sa më tepër.
Kureshtja e nxënësve ka qenë e madhe, sidomos për faktorët e sigurisë. Atyre u është shpjeguar nga menaxheri i Departamentit të Mirëmbajtjes, Ramadan Arifi dhe stafi i tij, se si vendosen mbrojtësit në rrjet, të cilët mbrojnë rrjetin nga faktorët ekstern dhe njerëzit nga kontakti me shkarkimet elektrike.
“Këtu po ndërtojmë rrjetin e ri të tensionit 0.4 kV. Nga këto shtylla që po i vendosim dhe nga këta përçues, të cilët po i shihni tek i vendosin punëtorët e KEDS-it, furnizohen me energji elektrike direkt konsumatorët. Ky është niveli fundor i tensionit dhe lidhet direkt me shtëpitë përreth”, u tha Arifi nxënësve.
Nxënësit kanë mësuar edhe si funksionojnë KEDS-i dhe KESCO në përgjithësi, sikurse kanë bërë vizitë të veçantë në Qendrën e Kalibrimit. Aty, Menaxheri për AMR dhe Kalibrim, Shukri Aliu, u ka shpjeguar se si funksionojnë njehsorët e energjisë elektrike, që nga prodhimi i tyre, kalibrimi e deri te vendosja e tyre në shtëpitë e konsumatorëve.

energjia.al  11.10.2017

Në listën e prioriteteve për investime nga KEDS përfshihet edhe zona e Skenderajt. Në fshatin Makermal të këtij qyteti sapo ka përfunduar projekti për përmirësimin e rrjetit energjetik nga KEDS-i.

Janë 130 familje që po gëzojnë këto përfitime nga ky investim.

Për realizimin e këtij projekti, KEDS këtu ka vendosur 154 shtylla të tensionit të ulët, 27 shtylla të tensionit të mesëm dhe gjithashtu janë shpërndarë 11.9 km rrejt të tensionit të ulët dhe 11,5 km rrjet të tensionit të mesëm.

Nuredin Xhinovci 76 –vjeçar nga ky fshat, shprehet i entuziazmuar për ndryshimet në përmirësimet energjetike në fshat dhe largimin e rrezikut që e kanë pasur brenda oborrit të shtëpisë.

“Rrezikun e kena pasur tepër të madh, trafon e kena pas në oborr që nga vitin 1971, është dashur me deviju murin për me ia bë vendin trafos.  Veç 20 cm afër shpisë i kena pas telat e tensionit të naltë. Gjithë jena tut mos po na ndodhë naj e keqe. Me ardhjen e KEDS-it na u ka largu edhe frika, na kanë largu  trafon prej oborrit. Na kanë vnu një trafo tjetër të re në rrugën jashtë. Na kanë shpëtu se jena kon në rrezik. Tash jemi shumë të kënaqur me KEDS-in dhe rrymën e kemi shumë stabile. Pa dritë s’ka jetë”,  shprehet i kënaqur, Xhinovci.

Në Makermal projekti ka përfshirë dy lagje. Në lagjen Guxhuli janë ndërruar të gjitha shtyllat e vjetra dhe janë vendosur krejtësisht të reja dhe me kabllo të izoluar, ku është evituar rreziku përgjithmonë. Kurse në lagjen Xhinovci është vendosur një trafo e re si dhe janë ndërruar të gjitha shtyllat që kanë qenë me përçues të zhveshur dhe të rrezikshëm për banorët e asaj lagje, dhe tani janë vendosur shtylla te reja me kabllo te izoluar (bistekë), ku është përmirësuar dukshëm tensioni.

KEDS po vazhdon projektin e investimeve nëpër të gjithë territorin e Kosovës në kuadër të Planit Zhvillimor, duke pasur prioritet  lokacionet me rënie të tensionit.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  10.10.2017