info@energjia.al

Ka një projektligj për ndryshimet klimatike që po diskutohet prej pak kohësh me grupe të ndryshme interesi.

Por ky draft në një nen specifik të tij parashtron edhe detyrat që kanë ministritë e linjës. Sipas fushës që mbulon secila, Ministria e Mjedisit ka përcaktuar edhe opsionet e mundshme për t’u zbatuar, dhe këto opsione nisin nga energjia, tek kreditë për banesa të gjelbra tek dhënia e incentivave për blerjen e makinave elektrike.

Kështu janë shtatë fusha që janë përcaktuar në draft si të nevojshme për t’u përditësuar në dokumente dhe politika të ministrive të linjës.

Së pari në fushën e prodhimit të energjisë: energjitë e rinovueshme, shpërndarja, menaxhimi i shpërndarjes, ruajtja e energjisë, produktet/ teknologjitë që mbështetin sistemet energjitike inteligjente, qendrat e të dhënave për përdorimin e energjive të rinovueshme.

Së dyti në fushën e eficencës së energjisë: ndërtesat tregtare të gjelbërta, kreditë për banesa të gjelbërta, teknologjitë dhe produktet me përdorim eficent të energjisë, përmirësimet e teknologjisë.

Së treti në fushën e transportit: transporti publik, infrastruktura për automjete elektrike, skema të qiradhënies së bicikletave, automjete me shkarkime të pakta.

Më pas vijnë me radhë katër fusha të tjera si ujërat, menaxhimi i mbetjeve, përdorimi i tokës dhe përshtatja infrastrukturore.

Scan Tv,  17.03.2017

Kërkuesit e Penn State University kanë krijuar një bateri që shfrytëzon ndotjen në mjedis për të prodhuar energji.
Bateritë alternative janë e ardhmja. Ose më mirë e tashmja. Janë të shumtë studiuesit që përdorin metoda të ndryshme për të karikuar pajisjet tona elektronike. Në Penn State University, në Shtetet e Bashkuara, një grup kërkuesish ka krijuar një bateri që prodhon energji nga dioksidi i karbonit.

Shkencëtarët e Universitetit të Pensilvanisë kanë krijuar një tip baterie që rikarikohet, ku elektrolitet të cilët përmbajnë një ose më shumë substanca elektroaktive, rrjedhin përmes një qelize elektrokimike që shndërron energjinë kimike direkt në energji elektrike. Teknika që përdoret për të prodhuar energjinë quhet gurgullimë. Lëngjet kanë përqendrim të ndryshëm të dioksidit të karbonit dhe nivele të ndryshme pH, – dhe pikërisht kjo mungesë ekuilibri gjeneron energji elektrike.

Është hera e parë që një grup kërkuesish krijon një bateri që ushqehet me co2, por fuqia e saj është 200 herë më e madhe se bateritë e mëparshme. Ndër të tjera, bateri të ngjashme të prodhuara më parë kishin nevojë për temperatura të larta dhe për më shumë kohë për të prodhuar energji – bateria ekologjike funksionon në temperatura ambienti me materiale me kosto të ulët.

E ardhmja e baterisë

Grupi amerikan i kërkimit ka pranuar se projekti i tyre nuk është gati për t’u përdorur në një shkallë të gjerë dhe në pajisjet aktuale. Por ideja e tyre është për ta përfshirë këtë tip baterie sa më shpejt të jetë e mundur në fabrikat që përdorin lëndë djegëse. Në praktikë, bateria do të shfrytëzonte ndotjen që shkakton fabrika për të prodhuar energji elektrike dhe për të ulur nivelin e dioksidit të karbonit në ajër.

Revista Monitor,  17.02.2017

Vitin e kaluar, afron 38.2 miliard ton dioksid karboni u hodhën në ajër nga djegia e lëndëve djegëse fosile si qymyri e nafta.

Por shkencëtarët kanë ardhur me një ide të re për të konvertuar gazin në një produkt të dobishëm si etanol.

Hulumtuesit e zbuluan këtë ide aksidentalisht, por nëse procesi mund të bëhet në rrugë industrial, do të ndihmojë në zvogëlimin e efekteve të ngrohjes globale.

Shkencëtarët në Departamentin e Laboratorit Kombëtar zhvilluan një proces elektrokimik duke përdorur pjesë të vogla karboni dhe bakri për të kthyer dioksidin e karbonit në një gaz serë, etanol.

Adam Rondinone, autori kryesor i studimit tha: “Ne e zbuluam disi rastësisht se si të kthejmë CO2 në material të përdorshëm”.

Ora News,  20.10.2016

Greqia, Kroacia, Bullgaria dhe Rumania janë në grupin e vendeve të Bashkimit Europian që nuk kanë nevojë të reduktojnë emisionet e gazit në sektorin e transportit, mbetjeve, ndërtimit dhe bujqësisë, të paktën deri në vitin 2030. Analiza është realizuar nga Agjencia e Lajmeve për Ndryshimet Klimatike.

Artikulli i saj thekson se ka vende që do të jenë të detyruara që të shkurtojnë më tej këto emetime, për shkak të largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian në qershor të këtij viti.

Greqia, deri në vitin 2030, duhet të reduktojë emetimet e gazit për shkak të efektit serë me 14%. Kjo do të krijojë mundësinë e krijimit të ishujve me energji të pastër. Kroacia, anëtari më i ri i BE-së, duhet të rrisë reduktimin e emetimeve deri në 8% dhe ka ende shumë punë për të arritur këtë objektiv.

Bullgaria, edhe pse ka sistemin më të keq të eficiencës së energjisë, duhet t’i ulë emetimet e gazit në 7%, Rumania në 3% dhe Hungaria në 12% deri në vitin 2030.

Revista Monitor,  25.08.2016

Shqipëria prodhon mesatarisht 351.36kg dioksid karboni në vit për shkak udhëtimeve në vendin e punës apo tëqendrat arsimore. Kjo sasi e lartë dioksidi në mënytë që të neutralizohet, sipas kërkimeve të Numbeo.com kërkon që për çdo pasagjerë të jenë të mbjela 4.1 pemë.

Shqipëria për gjashtë mujorin e parë të viti 2016 llogariti një indeks trafiku në 137.09, duke u lënë pas nga vendet e rajonit vetëm Italinë me indeks 144.

Kroacia, Bosnje – Hercegovina dhe Serbia paraqiten me një indeks të trafikut në shkallë më të ulët se vendi ynë, përkatësisht me 101.8, 80.9 dhe 94.

Sa i takon emetimit tëdioksidit të karbonit, Shqipëria e ka indeksin në vlerë 1,464. Bosnje – Hercegovina paraqitet si vendi me indeksin më të mirëpër sa i përket emetimit të CO2, për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në studim janë marrë 160 vende. Qyteti Timisoara në Rumani rezulton të jetë vendi me performancën më të mirë sa i përket trafikut të gjeneruar nga makinat dhe nivelit të ulët të emetimit të dioksidit të karbonit (CO2).

Revista Monitor,  20.07.2016

Planet e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, për të rregulluar emetimet e dioksidit të karbonit nga termocentralet amerikane, janë bllokuar nga Gjykata e Lartë e SHBA-së.

Gjykata ka vendosur që Plani i Energjisë së Pastër nuk mund të shkojë përpara derisa nuk përfundojnë të gjitha sfidat ligjore.

Plani ka për qëllim të zvogëlojë emetimet e karbonit për 32 përqind deri në vitin 2030.

Ai është paraqitur nga presidenti Obama në muajin gusht dhe parasheh objektiva të reduktimit të karbonit për secilin shtet.

Por, një grup prej 27 shteteve dhe biznesve të ndryshme kanë sfiduar planin nëpër gjykata, duke thënë se ai paraqet shkelje të të drejtave të shteteve.

Gjykata Supreme ka pezulluar planin me 5 vota për dhe 4 kundër.

Mbetemi të bindur se do të fitojmë, ka thënë Shtëpia e Bardhë në një reagim pas vendimit të gjykatës.

Plani në fjalë është mjeti kryesor për Shtetet e Bashkuara për të përmbushur objektivin e reduktimit të emetimeve, të premtuar në një konferencë të Kombeve të Bashkuara për klimën, dhjetorin e kaluar në Paris.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  10.02.2016

Në një letër drejtuar aksionerëve në maj, Royal Dutch Shell (kompani e cila po kërkon për naftë në Shqipëri) hodhi poshtë mundësinë që rezervat e saj të provuara të gazit e naftës do të mbeten të pashfrytëzuara për shkak të legjislacioneve klimatike (për pakësimin e emetimeve të karbonit). Sipas Shell burimet fosile do të luajnë rol kyç në miksin e energjisë globale në vitin 2050 e përtej (50-60% e totalit).

Shoqata mjedisore e shkencëtarë kanë paralajmëruar për një flluckë karboni, e cila do të lërë asetet e burimeve fosile të pashfrytëzuara. Prandaj kompanitë e naftës si Shell mund të jenë të mbivlerësuara në tregjet financiare, duke vënë në rrezik triliona dollarë të investitorëve. Parlamenti anglez e ka marrë seriozisht këtë rrezik duke përgatitur dhe një raport në komisionin parlamentar të mjedisit. Grupe investitorësh kanë kërkuar sqarime zyrtare nga kompanitë e naftës mbi rrezikun e flluckës së karbonit.

JJ Traynor, drejtor në Shell, deklaroi se fokusimi tek fllucka e karbonit po largon vëmendjen nga realiteti i rritjes së popullsisë, ekonomisë e konsumit të energjisë.

Sipas Shell sekuestrimi i karbonit do të jetë kyç në luftimin e ndryshimeve klimatike. Por mjedisorët thonë se kjo teknologji nuk është e provuar, nuk ka asnjë aplikim komercial të saj aktualisht.

Exxon Mobil, kompania publike më e madhe e naftës, deklaroi në Mars se asnjë nga rezervat e saj nuk do të mbetet e pashfrytëzuar nëse qeveritë veprojnë për pakësimin e emetimeve të karbonit.

Në SHBA aktualisht ka një fushatë të shoqatave mjedisore për çinvestimin në kompanitë e naftës. Shoqatat po u kërkojnë investitorëve të shesin aksionet e tyre në kompanitë e naftës dhe ti investojnë në biznese të tjera. Universitete, grupe fetare etj. i janë bashkuar thirrjes e kanë shitur aksionet. 100 profesorë të Harvardit i kanë kërkuar universitetit të shesë 33 miliard dollarët që ka investuar në naftë e gaz.

Deklarata e Shell erdhi si përgjigje e kërkesës së investitorëve për të sqaruar qëndrimin e saj rreth flluckës së karbonit.

Ekolëvizja, 09.07.2014