Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shqipëria ka sasinë më të ulët të CO2 të emetuar në Europë

Ndryshimet klimatike, rreziku i specieve në zhdukje, përhapja e sëmundjeve kancerogjene kanë një emërues të përbashkët: Ndotja. Një prej ndotësve kryesorë është edhe dioksidi i karbonit, shkaktar edhe i efektit serë dhe vrimës së ozonit. Cilat shtete kontribuojnë më shumë në ndotjen e shtëpisë së përbashkët?

Portali më i madh i të dhënave, Our World in Data, ka dalë në përfundimin se çlirimi në atmosferë i dioksidit të karbonit është i lidhur ngushtë me rritjen ekonomike të një shteti. Niveli i dioksidit të karbonit është poshtë nivelit mesatar botëror dhe njëkohësisht më ulët se sa vendet e rajonit. Sipas përfundimeve të Our World in Data, kjo lidhet ngushtë edhe me zhvillimin ekonomik dhe industrial të një vendi.

Bazuar në një studim të Global Carbon Project dhe të dhënat mbi popullsinë nga UN, në Shqipëri çlirohet mesatarisht në një vit 2.04 tonë CO2 për frymë. Pas Shqipërisë renditet Mali i Zi dhe Maqedonia, me përkatësisht 3.71 tonë dhe 3.76 tonë për banorë, ku edhe në këto vende është më e ulët se mesatarja botërore.

Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina përllogaritet se emetojnë më shumë CO2 për banorë se sa mesatarja botërore. Niveli i emetimit në Serbi është 5.52 tonë/ banorë, ndërsa në Bosnjë 6.57 tonë/ banorë, duke shënuar edhe nivelin më të lartë Ballkanin Perëndimor.

Në hartën më poshtë janë ilustruar shtetet sipas sasisë së dioksidit të karbonit të emetuar, ku me të kuqe janë shënjuar shtetet mbi mesataren botërore, ndërsa me blu, nën mesataren botërore. Pjesa më e madhe e shteteve të shënjuar me të kuqe janë Amerika e Veriut, Euroazia dhe Oqeania. Në Europë, Suedia dhe Zvicra, ndonëse janë vende me industri të zhvilluar emetojnë më pak se mesatarja botërore.

Prej studimit kanë dalë këto gjetje interesante:

Vendet në grupin me të ardhura të larta çlirojnë më shumë se sa pjesa e popullatës së tyre

Të gjitha vendet, që bëjnë pjesë në grupin me të ardhura të ulëta, emetojnë më pak se pjesa e tyre e popullsisë;

SHBA emeton tre herë më shumë se pjesa e saj e popullsisë;

Kina lëshon ndjeshëm më shumë se sa pjesa e saj e popullsisë (29 për qind e emetimeve kundrejt 19 për qind të popullsisë);

India lëshon ndjeshëm më pak se pjesa e saj (7 për qind e emetimeve kundrejt 18 për qind të popullsisë)

Monitor,  30.05.2019