Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Speciale: Problemet e linjes se Interkonjeksionit 400 KV Shqipëri-Kosovë

Bode anulon tenderin për kursime, kur di se përsëritja kushton dyfish
Interkonjeksioni: Ministri i Financave luan me pretekstin e mbrojtjes së buxhetit, por dëmi sakaq vijon rritjen
Argumentet e ministrit të Financave për të anuluar tenderin e ndërtimit të linjës së transmetimit 400 kV Tiranë-Prishtinë, se oferta e renditur e para nga KfW paraqet çmim të lartë, bie ndesh me vlerësimet e konsulentëve të huaj në procedurën e prokurimit. Në disa letra të njëpasnjëshme, ministri i Financave i bën të ditur KfW-së, bankës së shtetit gjerman, se nuk do të pranojë firmosjen e një tenderi me kosto të lartë.
“Interesimi i ministrit të Financave përligj detyrimin e tij publik për të siguruar minimizimin e shpenzimeve publike, duke ruajtur rëndësinë dominuese të çmimit më të ulët në tender dhe plotësimin parakualifikues të aftësisë teknike të operatorëve ekonomikë konkurrues”, është përgjigjja e Bodes, drejtuar bankës më 31 korrik. Sipas tij, diferenca mes firmës së renditur e para, “Dalekovod”, është gati 8.2 milionë euro më e lartë se e konkurrentes tjetër, “Energoinvest”, renditur e dyta, pavarësisht se të dyja e realizojnë teknikisht projektin. Ministri argumenton se funksioni i tij parësor është realizimi i projekteve me kosto më të ulët, për të mos dëmtuar interesat ekonomikë të vendit (letra e datës 19 janar 2012).
Pra, ministri synon të kursejë 8 milionë euro dhe sugjeron të lidhë kontratë me “Energoinvest”, e cila ofron një çmim të ulët, ose në rast të kundërt, pranon anulimin e tenderit dhe ribërjen nga e para. Përgjigjja e bankës KfW është “dakord”, e mbështetur edhe nga konsulenti i huaj “Intec”, por duhen marrë parasysh disa elemente, të cilat nuk duhen anashkaluar.
Në rast të ribërjes së tenderit nga e para, qeveria shqiptare duhet të marrë në konsideratë kostot shtesë, direkte dhe indirekte, të cilat shkojnë në më shumë se 15 milionë euro. Sipas vlerësimeve të konsulentit, të bëra publike palës shqiptare më 28 mars 2012 (në mbledhjen e zhvilluar në Frankfurt), të mbështetura edhe nga KfW-ja, nga mungesa e linjave dhe vonesat e vazhdueshme deri në ndërtimin e tyre, Financat shqiptare do të humbasin të paktën 8 milionë euro (nisur nga import-eksportet), plus 6 milionë euro kostot shtesë për zvarritjet. “Intec” thotë se kostot mund të jenë akoma e më të larta, pasi janë bërë me çmimet e viteve 2009-2010. Tjetër kosto nga ribërja e tenderit lidhet me riskun e garancive që do të kërkojnë kompanitë konkurrente, nisur nga rasti precedent i anulimit, duke aplikuar çmime ekstra, sikurse shikohet me shqetësim fakti i një mungese interesimi nga firmat ndërkombëtare (gjithnjë nisur nga problemet që shkaktoi tenderi i parë me vonesat).
E thënë ndryshe, nëse ministri kërkon të kursejë 8 milionë euro duke anuluar tenderin e parë, zhvilluar në 2010-n, ribërja, e cila kërkon edhe 14 muaj të tjerë procedura (në rast se vendos nga dita e sotme, 26 nëntor 2012), do t’i kushtojë dyfish, për të mos thënë më shumë, sipas vlerësimeve të ekspertëve ndërkombëtarë. Çmimi i hekurit ka tendencë rritje, dhe në raport me periudhën kur u zhvillua tenderi rreth dy vjet më parë, sot ai kushton 30 për qind më shumë, sqaron më tej “Intec”.
Por, sakaq, qeveria shqiptare po paguan. Në letrën e datës 4 janar 2012, të ministrit të Ekonomisë, por edhe nga raportet e KfW-së, vonesat e vazhdueshme na kushtojnë 2.5 milionë euro në vit, si fee për shumën e mosdisbursuar, nga dita e miratimit të kredisë. Banka ka vendosur shumën në dispozicion, por në rast se vonohet përdorimi i saj, shteti shqiptar paguan dhe nisur nga vonesat e shkaktuara nga qeveria jonë, taksapaguesit shqiptarë kanë paguar të paktën 5 milionë euro.
Mungesa e linjave të nevojshme për të transmetuar energji elektrike mes dy vendeve po u kushton miliona euro dhe varësia nga shtetet fqinje bëhet akoma e më e madhe. Dy vjet zvarritje i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 5 milionë euro penalitete, përgjegjësi direkte e kreut të Financave, i cili nuk pranoi të firmoste një tender, me pretekstin e kostos së lartë dhe tani gjendet në udhëkryq, pasi ritenderimi do t’i kushtojë akoma e më shtrenjtë. Në këto kushte, askush nga palët nuk pranon të tërhiqet dhe si gjithnjë janë shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës që do ta pësojnë.
Rruga e Kombit – Ndërtimi i linjave të transmetimit me Kosovën është po aq e rëndësishme sa ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, për të cilën u shpenzuan 1 miliard euro dhe ku, sipas KLSH-së, dëmi i qeverisë shqiptare nga faturat “aforfe” ishin 200 milionë euro.

METE: Po rrezikojmë sektorin dhe raportet me shtetin gjerman
Letra e Nasip Naços: Veprimet e OST-së, aspak profesionale
Ndoshta i ndihmuar edhe nga fakti i profesionit si jurist dhe ish-prokuror, Nasip Naço, ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), në kohën e plasjes së skandalit, ka mbajtur qëndrim të matur, madje “guxon” të kritikojë punën e OST-së, e cilësuar nga ai si “aspak profesionale”.
Ministër i Ekonomisë deri në fillim të muajit korrik 2012, duke përfaqësuar në qeverinë “Berisha” forcën politike, LSI-në, Naço mbështet procedurat e ndjekura nga banka gjermane KfW. Gazeta “Shqip” disponon letrën e ministrit, drejtuar më 20 shkurt shefit të departamentit të antikorrupsionit në Kryeministri, Ivi Kaso, për dijeni të Kryeministrit Sali Berisha, ministrit të Financave, Ridvan Bode, kreut të OST-së, Arben Ibroja, dhe kryetarit të këshillit mbikëqyrës në OST, Ilirjan Muho (i cili ishte edhe sekretar i përgjithshëm në METE). Nga letra kuptohet më qartë situata e krijuar dhe pozicioni ministrisë që mbulon sektorin energjetik në vend.
Letra e plotë
Në përgjigje të shkresës suaj, datë 14 shkurt 2012, “dërgim raport kontrolli” dhe në lidhje me vlerësimin e procedurës së “ndërtimit të linjës 400 kV Tiranë-Prishtinë”, sqarojmë si vijon:
Së pari, sikurse kemi theksuar edhe një herë në letrën tonë, të datës 4 janar 2012, realizimi i projektit është i një rëndësie të veçantë, i cili mundëson krijimin e kushteve optimale për furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve, shfrytëzim optimal të burimeve tona energjetike, si dhe integrimin e sistemit tonë energjetik me rrjetin europian të energjisë, sigurisht me një kosto reale për zbatimin me rigorozitet të këtij investimi kaq të rëndësishëm.
Së dyti, nga shqyrtimi me kujdes i letrës tuaj, konstatojmë se, në raport nuk është caktuar baza ligjore e pretenduar nga KVO-ja (Komisioni i Vlerësimit të Ofertave) gjatë procedurës së vlerësimit të ofertave. Referenca ligjore e kontrollit të ushtruar nga ana juaj është bazuar te legjislacioni shqiptar për prokurimet, ndërkohë që baza ligjore e përgatitjes së ofertave, si edhe e vlerësimit të tyre, është ajo e zhvillimit të prokurimit të mallrave dhe shërbimeve të KfW-së, e cila është edhe financuese e kredisë në fjalë (e sanksionuar edhe në marrëveshjen e kredisë të miratuar nga Parlamenti shqiptar). Gjithsesi, nëse për analogji do të merrej për bazë ligji shqiptar i prokurimeve, rivlerësimi i procedurës me kushte të reja të vendosura në mënyrë arbitrare vetëm nga njëra palë, në një hetim të mundshëm administrativ të KPP-së (Komisioni i Prokurimit Publik), në kushtet kur kriteri i vlerësimit të ofertës më të mirë, ishte ai i ofertës më të mirë teknike, vendimi i këtij të fundit do të ishte vazhdim i procedurave të mëtejshme të prokurimit, për negocimin e kontratës me ofertuesin e parë të kualifikuar, si dhe marrje masash për parandalimin e sjelljes së jashtëligjshme të autoritetit kontraktor (rasti konkret, OST-ja).
Së treti, referuar letrës së KfW-së, datë 10 shkurt, në përgjigje të letrës dërguar nga OST-ja, datë 8 shkurt 2012, banka gjermane KfW shprehet në mënyrë të qartë, se nuk mund të japë “no objection”, pra nuk mund të pranojë vendimin e marrë nga OST-ja, për shpalljen e fituesit “Energoinvest” për Lotin I, për ndërtimin e linjës, gjë e cila mund të vërë në rrezik financimin e këtij projekti të rëndësishëm. Bazuar në marrëveshjen e kredisë mes qeverisë shqiptare dhe bankës gjermane KfW, miratuar nga Parlamenti shqiptar, qeveria shqiptare, përmes OST-së paguan fee-në e kredisë së përfituar, prej mesatarisht 2.5 milionë euro në vit, mbi fondin e padisbursuar.
Së katërti, bazuar edhe në shqetësimin e KfW-së, procedura konkurruese zhvillohet në bazë të “rregullave të prokurimit të bankës gjermane KfW”, në të cilën ndërmjet të tjerave përcaktohet edhe mënyra e vlerësimit të saj. Në këto rregulla, përcaktohet se, ofertat financiare hapen pasi të jetë miratuar nga punëdhënësi Raporti i Vlerësimit Teknik, si dhe pas aprovimit përfundimtar nga KfW-ja të këtyre procedurave. Nga informacioni i dhënë prej OST-së, konstatohet se është dhënë miratimi i vlerësimit teknik, ku citohet (fq. 2), se dy subjektet konkurruese, janë konsideruar teknikisht të pranueshme, si dhe të afta të realizojnë projektin.
Së pesti, nisur nga informacioni i dhënë, por edhe nga marrëveshja e kredisë, procedura konkurruese zhvillohet e pandashme në raport me Operatorin e Transmetimit të Kosovës dhe në (Lotin I), subjektet kanë ofertuar për të gjithë linjën së bashku, kështu edhe vlerësimi, apo rishikimi i saj, nuk mund të jetë i veçantë, vetëm nga ana e OST-së.
Së gjashti, në kushtet kur KfW-ja, si një nga financuesit më të mëdhenj në fushën e infrastrukturës ujore dhe energjetike në vend, përmes letrës së saj datë 10 shkurt, rikonfirmon shqetësimin e saj, që rezultati i vlerësimit final nuk mund të injorojë procedurat e tenderimit të përcaktuara dhe të pranuara nga të gjitha palët, për sa i përket përcaktimit të ofertës më të favorshme, një veprim i ndërmarrë nga OST-ja, për të ftuar në negocime ofertuesin e vlerësuar dhe renditur me marrëveshje mes palëve (përfshi edhe vetë OST-në) në vendin e dytë, është aspak profesionale.
Së fundmi, ju rikujtoj se, për aq kohë sa financimi për realizimin e këtyre veprave sigurohet nga donatorë të huaj, është e natyrshme që edhe kushtet, ose rregullat për realizimin e projekteve, duke filluar nga dokumentet standarde, vlerësimi i ofertave dhe deri në përfundim të negocimit dhe implementimit të kontratës, do të jenë ato të vendit financues, të cilat janë hartuar në bashkëpunim me OST-në dhe konsulentin, si dhe pranuar nga OST-ja.
Mosarritja e një zgjidhjeje përfundimtare mes të gjitha palëve në lidhje me këtë situatë, mund të sjellë dëme të konsiderueshme, si në aspektin financiar (pra fee-në e kredisë së paguar për të dyja projektet nga qeveria shqiptare, mbi shumën e kredisë së padisbursuar, penalitete të larta financiare për mosimplementimin në kohë të projekteve, si dhe përfitimet e munguara, për mosvënien në punë të objekteve) ashtu edhe në atë politik, në marrëdhëniet me një nga donatorët më seriozë, siç është KfW-ja, përfaqësuese e qeverisë gjermane, duke vënë në rrezik realizimin e këtij projekti vital, për sektorin elektroenergjetik dhe për ekonominë shqiptare.
Zhvillimet
Pala gjermane pranon përsëritjen e tenderit, por kërkon garanci nga ministri i Financave
Banka KfW: Sipas kushteve tona, ose tërhiqemi
Banka gjermane është e gatshme të pranojë të jetë palë në ritenderimin e projektit për ndërtimin e linjave të transmetimit 400 kV Shqipëri-Kosovë, por, nga ana tjetër, kërkon nga pala shqiptare të firmosë paraprakisht kushtet, pra të jetë dakord që në fillim, për shmangien e përplasjeve, si me rastin konkret.
“Ministria e Financave duhet të firmosë që kostot shtesë nga ritenderimi të merren parasysh për t’u paguar nga pala shqiptare dhe OST-ja të pranojë që tenderi të realizohet sipas rregullores së prokurimit të KfW-së”, thotë banka gjermane. Ajo i kujton qeverisë sonë se zhvillimi i tenderit nga e para do të ketë kosto shtesë, për shkak të çmimeve në treg, të cilat kanë pësuar rritje në raport me dy vjet më parë kur u hartua projekti.
Por qeveria shqiptare, edhe pse pranon të anulojë tenderin për ta ribërë nga e para, nuk i pranon këto kushte, ose më saktë ministri i Financave. “Ministri i Financave, në rolin e huamarrësit, nuk mund të jetë palë në procesin e tenderimit. Ministri i Financave nuk mund të bëhet pjesë e një deklarate për të respektuar një proces tenderimi, por vetëm garanton zbatimin me rigorozitet ligjor të marrëveshjes së huas”, i drejtohet Bode, bankës gjermane.
Kredia e akorduar nga banka gjermane është rreth 45 milionë euro dhe synon ndërtimin e linjave të transmetimit, me qëllim dyfishimin e tyre, nga 220 në 400 kilovolt. Kjo do t’u sillte avantazhe dy vendeve, pasi Shqipëria prodhon energji elektrike nga sistemi hidrik (uji), kurse Kosova kryesisht nga qymyri dhe do të ishte rast i mirë për shkëmbime e operime të ndërsjella.
Të dyja vendet kanë shpenzuar mjaft para për të importuar energji elektrike nga Serbia, me shifra të konsiderueshme, pasi linjat mes dy vendeve nuk e kanë kapacitetin e duhur. Vonesa për ndërtimin është gati dy vjet dhe në rast se niset procedura nga e para do të duhet edhe 1 vit tjetër, plus dy vjet për ndërtimin.

Gazeta Shqip, 26.11.2012

Skandali i linjës, qeveria “dyshon” te gjermanët: Tenderi, jo transparent
Letra e ministrit – Kopje e letrës me firmën e ministrit të Financave, ku kritikon më datë 19 janar 2012, një muaj para se skandali të plaste në publik, se procedurat e ndjekura nga KfW-ja nuk janë transparente.
Letërkëmbimi
Kreu i Financave: Banka KfW shpalli fitues në mënyrë subjektive ofertën me vlerën e lartë, bazuar tek ana teknike.
Fituesi – Qeveria shqiptare kërkoi të shpallte fituese shoqërinë boshnjake “Energoinvest”, pasi ofroi çmim të ulët, por KfW-ja përzgjodhi kroaten “Dalekovod”, pasi ishte më e aftë teknikisht.
Skandali me linjën energjetike me Kosovën, e cila me afatet e kaluara duhet të kishte përfunduar, përmban një konflikt të hapur mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane, ku kjo e fundit është gati të ndërpresë çdo financim në rast nuk i jepet zgjidhje.
Tenderi për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë, është zhvilluar rreth tre vjet më parë dhe ende nuk ka një fitues për ndërtimin e veprës, ndërsa me zbardhjen e korrespodencës mes qeverisë shqiptare dhe bankës gjermane KfW, e cila përfaqëson edhe interesat e shtetit të saj, mëson se raportet mes tyre janë krisur gati një vit më parë, ndërsa aktualisht ndodhen të ngrira.
Gazeta “Shqip” disponon kopje të përgjigjes së ministrit të Financave, drejtuar KfW-së mbi vlerësimin e tenderit, me vlerë 75 milionë euro. Në letrën e datës 19 janar 2012, ministri, nisur nga shkresa shqetësuese e OST-së (datë 25 dhjetor 2011) mbi “mënyrën se si KfW ka shpallur fituesin”, i shkruan bankës se tenderi konsiderohet jo korrekt dhe aspak transparent.
Në dijeni edhe të Kryeministrit Sali Berisha, ministri i Financave arrin deri aty sa dyshon te subjektivizmi i KfW-së për shpalljen e fituesit, duke shtuar se me “kriterin teknik”, firma kroate është “përcaktuar” fituese që në raundin e parë, pa marrë në konsideratë ofertën financiare.
E thënë ndryshe, qeveria shqiptare jo vetëm që anuloi tenderin, duke e zvarritur prej dy vitesh nisjen e punimeve, por hedh hije të forta dyshimesh mbi procedurat e ndjekura nga banka e shtetit gjerman, se gjoja fituesi i shpallur është jo transparent.
“Duke parë argumentet e dhëna nga OST-ja, të cilat motivojnë paraqitjen e shqetësimit të tyre për sistemin e vlerësimit të ofertave (propozimi teknik dhe ekonomik), mendoj që vërejtjet e paraqitura janë legjitime dhe meritojnë vëmendje”, i shkruan ministri bankës.
“Më konkretisht, shqetësimi i paraqitur nga OST-ja lidhet me procedurën që ndiqet nga KfW-ja në procesin e tenderimit, dhe veçanërisht në procesin e vlerësimit të ofertave, duke i dhënë një peshë shumë të madhe vlerësimit teknik (70 për qind dhe 60 për qind), kundrejt vlerësimit teknik (30 me 40 për qind)”, vijon ministri.
Më tej në letër, shefi i Financave hedh dyshimet e forta për mënyrën se si u zgjodh fituesi, por natyrisht, duke treguar kujdes, në përpjekje për të shmangur çdo nënkuptim.
“Sipas OST-së, vlerësimi teknik i ofertave në formën e tij aktuale përmban subjektivizëm të pashmangshëm për disa zëra, duke ‘përcaktuar’ ftuesin që pas hapjes së propozimit teknik, pavarësisht vlerës së ofertës ekonomike, për shkak të peshës shumë të madhe që kriteri teknik ka krahasuar me atë ekonomik”, thotë ministri.
Sipas këtij kombinimi, vijon ai, procedura rezulton në përzgjedhjen si fitues të ofertuesit që paraqet koston më të lartë dhe këto kosto nuk mund të neglizhohen, sepse ato arrijnë 8.3 milionë euro për projektin e parë dhe 9 milionë euro për projektin e dytë, të cilat do të paguhen vetëm si rezultat i shpërndarjes së peshës së pikëve, në një kohë kur të dy ofertuesit i plotësojnë kriteret teknike të nevojshme për të konkurruar. “Kjo gjë ka shqetësuar OST-në, e cila ngurron të japë aprovimin për draft-vlerësimin final, pikërisht për shkak të kostove të larta”, thotë ministri.
Pra, sipas tij, të dyja kompanitë, si kroatja me ofertën më të lartë 8 milionë euro, “Dalekovod”, ashtu edhe boshnjakja “Energoinvest”, e cila ka ofruar çmim më të ulët, e realizojnë teknikisht projektin, ndaj nuk ka pse merret oferta më e lartë. Ministri i thotë bankës se detyra e tij është të menaxhojë sa më mirë paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe ka për qëllim të realizojë projekte me koston më të lirë.
Në letër ministri vë në dukje faktin se procedurat e KfW-së nuk janë konform rregullave shqiptare të prokurimit, të cilat janë më transparente se të bankës. Rreth dy javë më pas, KfW-ja i kthen përgjigje ministrit, ku i hedh poshtë pretendimet e paraqitura nga ai, duke i dhënë argumente të shumta, se pse duhet shpallur fitues kompania me vlerën më të lartë, por më shumë e sigurt në realizimin e një projekti të rëndësishëm mbi kapacitetin e linjave shqiptare të energjisë.
Haxhinasto: Duhet t’i japim zgjidhje të shpejtë projektit
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, duke folur dje për situatën në tërësi sa u takon disa proceseve që ka ministria, komentoi edhe bllokimin e projektit për ndërtimin e linjës me Kosovën. “Është një problem, i cili është ezauruar edhe në media. Besoj që tani është e domosdoshme për të përcaktuar hapat e tjerë që ky projekt shumë i rëndësishëm, shumë vital midis dy vendeve të përfundojë”, tha Haxhinasto për “Top Channel”. Një pjesë e procesit ndiqet edhe nga ministria, por kjo e fundit pak është marrë me çështjen në fjalë, duke ia lënë në dorë zgjidhjen Ministrisë së Financave dhe OST-së, institucion në varësi të saj.
Sa i takon “Albpetrolit”, ministri u shpreh optimist se negociatat do të mbyllen shpejt. “Po vlerësojmë strategjinë dhe hapat që do të ndërmerren për të konkluduar marrëdhënien problematike, besoj se brenda dy-tri javëve të ardhshme do të kemi një përcaktim të qartë të asaj që duhet bërë për ta zgjidhur këtë marrëveshje apo situatë problematike”, tha Haxhinasto. Ai foli edhe për CEZ-in, kompani e shpërndarjes së energjisë elektrike, të cilës qeveria kërkon t’i heqë licencën.
“Është një moment ku secila palë dëshiron të garantojë dokumentacionin respektiv për sa i takon një kontrate të tillë me rëndësi shumë të madhe për vendin. Jemi brenda të gjitha afateve ligjore dhe jam optimist që do të përfundojë me sukses”, tha ministri.

Gazeta Shqip, 25.11.2012

KfW: Bazohemi tek oferta teknike, kufiri i Kosovës, mbushur me mina
Projekti – Interkonjeksioni 400 kilovolt Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një linje të tensionit të lartë me gjatësi 238 km, ku 85.5 km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në atë shqiptare.
“Dalekovod” – Fillimisht fituesi i tenderit është shpallur kompania kroate “Dalekovod”, e cila kishte ofertuar me çmim prej 36 milionë eurosh, kur fondi limit në tender ishte rreth 42 milionë euro.
“Energoinvest” – Ofertuesi i dytë, kompania boshnjake “Energoinvest”, kishte ofertuar me 27 milionë euro, pra më të ulët se kroatët, por KfW-ja vlerësoi ofertën e parë, për shkak të anës teknike më të sigurt.
Përgjigjja e bankës: OST zgjodhi kroatët, por ndërroi mendje.
KfW i kujton qeverisë shqiptare se projekti me Malin e Zi u zvarrit për mungesë të realizimit teknik.
Debati mbi tenderin për ndërtimin e linjave të transmetimit të energjisë elektrike mes Shqipërisë dhe Kosovës, me synim dyfishimin e kapaciteteve, është në dukje i komplikuar, por në fakt është i thjeshtë për t’u kuptuar. Në garë janë dy kompani, kroatja “Dalekovod”, e cila ofron çmimin rreth 26 milionë euro, dhe boshnjakja “Energoinvest”, që ofron 26 milionë euro, për një fond limit rreth 42 milionë euro, mundësuar nga banka gjermane KfW.
Marrëveshja për ndërtimin e kësaj linje rreth 238 kilometra të gjatë është firmosur rreth katër vjet më parë, ku Shqipëria dhe banka KfW ranë dakord për kushtet e huamarrjes dhe më pas për zhvillimin e tenderit. Sipas KfW-së, e cila e provon me dokumentacion, qeveria ra dakord që për vlerësimin e tenderit, pra për shpalljen e firmës fituese, duhet të bazohet mbi anën teknike, duke vendosur kështu një raport 70 për qind të pikëve, kurse ana financiare (pra me çfarë kostosh pranon firma të ndërtojë), 30 për qind.
Sipas bankës gjermane, e cila ka eksperiencë në realizimin e projekteve në fushën energjetike, dhe nisur nga rastet e ngjashme, duke pasur parasysh ndërtimin e linjës së transmetimit Shqipëri-Mali i Zi, inauguruar në gusht të vitit 2011, vlerësimi i ofertave, duke u bazuar në anën teknike, luan rol të rëndësishëm në zbatimin e një vepre të sigurt, aq më tepër kur flitet për linja të tensionit të lartë dhe në terrene të vështira.
Banka gjermane KfW thotë se tenderi është zhvilluar në vitin 2010 dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST, pra pala shqiptare), më 22 gusht të vitit 2011 ka pranuar vlerësimin teknik të hartuar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në tender, kurse më 21 shtator ka pranuar vlerësimin financiar.
Sipas rezultatit të tenderit, “Dalekovod” kishte ofruar çmim të lartë, por garantonte më shumë siguri në realizimin e projektit, ndaj ishte renditur e para, kurse “Energoinvest”, edhe pse me çmim më të ulët, afro 8 milionë euro, u rendit e dyta, e thënë ndryshe skualifikohej. Pikërisht këtë raport vlerësimi, OST-ja e ka pranuar, madje konsulenti i tij i ka dërguar shkresë firmës kroate më 2 nëntor 2011 për firmosjen e kontratës. Nga kjo ditë nis kthesa e dyshimtë e palës shqiptare, e cila vononte t’i jepte finalizim kontratës, kurse KfW-ja nisi të kërkonte shpjegime.
Pas një heshtje gati dymujore, OST-ja i shkruan ministrit të Financave, më saktë më 25 dhjetor 2011, ku i kërkon mendim se si duhet të veprojë, pasi “po shpallte fitues një firmë me çmim më të lartë në kundërshtim me ligjin shqiptar të prokurimit dhe njëkohësisht shprehte shqetësimin se përzgjedhja nga ana e KfW-së ishte subjektive”. Përgjigjja e ministrit Bode vjen më 19 janar 2012, ku kundërshton vendimin e palëve për të shpallur fitues “Dalekovod”, për shkak se ka çmim më të lartë se konkurrentja tjetër, por KfW-ja insiston te rregullat e prokurimit dhe të vlerësimit që i është bërë bazuar tek ana teknike.
Më 7 shkurt, KfW-ja i shkruan ministrit të Financave, si përgjigje ndaj shkresës së datës 19 janar. “Është e vërtetë që ofertat kanë çmime me diferencë të lartë, por nisur nga praktikat dhe eksperiencat e mëparshme, vlera mbetet brenda normës së lejuar”. “Gjithashtu, vijon letra, vlerësimi është bazuar teknikisht, pra për të pasur një projekt më të sigurt për disa shkaqe që lidhen me terrenin e vështirë, por edhe për faktin se kufiri i Kosovës është i minuar (nga lufta me Serbinë) dhe kërkohet kujdes për realizimin e veprës”. KfW-ja i kujton palës shqiptare se edhe për projektin e linjave me Malin e Zi, qeveria shqiptare u nis të shpallte fitues kompaninë me vlerën më të ulët, por rrugës gjatë zbatimit, nga problemet e shumta teknike, kostot u rritën dhe vonesat shkaktuan ndërlikime të shumta”. Pavarësisht këtyre shpjegimeve dhe takimeve të shumta të zhvilluara në mars në Frankfurt të Gjermanisë, ku është selia qendrore e bankës, qeveria shqiptare insiston në të vetën, duke hedhur poshtë rregulloren e miratuar nga ajo vetë dhe duke shkaktuar vonesa për ndërtimin e linjave, efektet financiare të të cilave janë disa herë më të larta nga sa pretendon ministri që po kursen, me argumentin se kroatët ofruan 8 milionë euro më shumë.
Shifrat
Shqipëri-Kosovë, sa prodhojnë dhe varësia nga Serbia e Greqia. Humbje qindra milionë euro për dy vendet
Një studim i hartuar së fundmi mbi raportet dhe situatën mes dy vendeve, me temë “Shqipëri-Kosovë: ku mbeti ekonomia”, përgatitur nga Qendra për Hulumtime Strategjike e Sociale, Prishtinë dhe TBU Tiranë, i prezantuar dje për mediat, trajton në mënyrë të veçantë rastin e mungesës së linjës së interkonjeksionit dhe pasojat, me autor Ibrahim Rexhepi. Në studim del qartë se dy vendet po humbasin qindra milionë euro nga importet, për shkak të mungesës së kapacitetit të duhur të transmetimit, për rrjedhojë kanë varësi të madhe nga Serbia apo linjat me Greqinë.
Kosova ka kapacitete të instaluara për prodhimin e 1.525 MW energji elektrike, duke u bazuar në djegien e qymyrit, por mundësia prodhuese e tyre është më e vogël, diku rreth 1.200 MW. Nga burimet hidrike prodhohen rreth 43 MW/orë energji elektrike, në raport me 46 MW sa janë kapacitetet e instaluara.
Prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri bazohet në 7 hidrocentrale, me kapacitetet të instaluar 1.350 MW. Sipas bilancit energjetik të vitit 2011, prodhimi i energjisë elektrike ishte 4.128 GW/orë, i cili 98% vjen nga HEC-et. Mirëpo, mundësia prodhuese varet kryesisht nga situata hidrike në vend. Kështu, në vitin 2010, Shqipëria prodhoi 7.7 miliardë kilovat, ndërsa në vitin 2009, 5.2 miliardë.
Pa marrë parasysh potencialet, si edhe kapacitet e instaluara, të dyja vendet kanë varësi të madhe nga importi. Shqipëria, në vitin 2010, nuk kishte nevojë të importonte energji elektrike, por në 2011-n bleu 3.262 MW, ose afërisht 200 milionë euro. Sa i takon Kosovës, bilanci me humbje vlerësohet rreth 4 mijë MW.
Marrëdhëniet aktuale ndërmjet dy sistemeve kryesisht janë në rrafshin tregtar, i cili më shumë karakterizohet me shkëmbim të energjisë elektrike, se sa me eksport dhe import klasik. Duke filluar që nga viti 2001 e deri në fund të korrikut të vitit 2012, Kosova nga Shqipëria ka importuar 66.978 MW, ndërkaq në shkëmbim ka marrë 934.781 MW, kurse ka dhënë 1.140.000 MW. Sipas kësaj, del se në shkëmbim Kosova ka bilanc pozitiv.
Për shkak të mundësisë së kombinimit të hidroenergjisë nga Shqipëria dhe asaj të prodhuar nga linjiti në Kosovë, ide e hershme ka qenë ndërtimi i linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt, i cili do të mundësonte një lidhje shumë më cilësore ndërmjet dy sistemeve.
Aktualisht, sistemi energjetik i Kosovës me linja interkonjeksioni 400 kv është i lidhur me Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, ndërsa me Shqipërinë është i lidhur me linjën 220 kilovolt Fierzë-Prizren. Kjo linjë paraqet problem për komunikim më cilësor ndërmjet këtyre dy sistemeve, thotë autori në studim. Kjo është njëra prej arsyeve pse qarkullimi ndërkombëtar i energjisë elektrike për nevojat e Kosovës zhvillohet përmes shteteve të tjera fqinje, por jo edhe përmes Shqipërisë. Kjo do të vazhdojë derisa linja e interkonjeksionit të mos ketë kapacitet dhe parametra të përshtatshëm teknikë, përfundon studimi.
Kosova ka linja 400 kv me Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, kurse me Shqipërinë ka linjën 220 kv.

Gazeta Shqip, 25.11.2012

Linja me Kosovën, qeveria kërkon anulimin KfW: Nëse e bën, tërhiqemi nga financimi
Oferta – Kompania kroate “Dalekovod” ofroi një çmim për realizimin e investimit, rreth 8 milionë euro më shtrenjtë se konkurrentja boshnjake “Energo Invest”, e renditur e dyta, në tenderin e 2010-s.
Vlerësimi – Problemi qëndron tek ana e vlerësimit. Palët në fillim kanë rënë dakord, që fituesin do ta shpallnin në bazë të ofertës në anën teknike, pra të ndërtimit të sigurt dhe jo në bazë të çmimit.
Letrat – Prej më shumë se një viti, qeveria gjermane me anë të bankës KfW dhe qeveria shqiptare përmes Ministrisë së Financave dhe OST, shkëmbejnë letra, duke mos rënë dakord mbi kushtet dhe parakushtet.
Linjat – Sipas Entit Rregullator të Energjisë (ERE), ndërtimi i linjës 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë sjell katërfishim të shkëmbimeve mes dy vendeve dhe forcim të transmetimit të energjisë elektrike.
Situata
“Pala shqiptare të firmosë paraprakisht, ose nuk financojmë”
Banka: Kushtet tona, me aprovim të qeverisë gjermane
Qeveria shqiptare nuk e pranon rezultatin e tenderit, pasi fituesi i shpallur nga banka ka ofruar çmim të lartë, në raport me atë të vendit të dytë, por megjithatë, i kërkon KfW-së ribërjen e tenderit. Banka pranon, por thotë se nisur nga rastet precedente, duhen firmosur më parë disa klauzola, që bëjnë respektimin e kushteve, në mënyrë që palët të mos kenë të tjera përplasje. Kushtet janë pranuar nga OST, por jo nga ministri i Financave.
“Nëse tenderi anulohet pa lejen tonë, atëherë KfW rezervon të drejtën për t’u tërhequr nga financimi”, thotë banka. Në letrën e datës 18 shtator, por edhe në letërkëmbimet e tjera, banka i kujton palës shqiptare se, “ky është edhe qëndrimi i qeverisë gjermane, Ministrisë së Ekonomisë për Zhvillim”. E thënë ndryshe, tashmë “beteja” nuk luhet më mes agjencive të zbatimit (KfW dhe OST), por mes dy qeverive.
Përplasjet lidhen me vlerësimet e tenderit, nëse duhet bazuar në anën teknike apo atë financiare. Sipas bankës, qeveria shqiptare ka rënë dakord më herët, para firmosjes së marrëveshjes se tenderi do të shpallte fitues atë kompani teknikisht të mirë dhe jo duke u bazuar te çmimi (pra, 70 për qind ana teknike dhe 30 për qind ana financiare). Pikërisht ky fakt e befason KfW-n, pasi pala shqiptare i ka pranuar kushtet, madje në shtator të 2011-s, OST firmosi vlerësimin teknik, por më pas solli anulimin. Ndërtimi i linjës me Kosovën sjell më shumë pavarësi për të dyja vendet, të cilat varen nga linjat e transmetimit dhe furnizuesit serbë. Sipas Entit Rregullator të Energjisë, ndërtimi i linjës 400 kv sjell katërfishim të shkëmbimeve mes dy vendeve dhe forcim të transmetimit.

Gazeta Shqip, 24.11.2012

Ministri i Financave: Pse nuk pranoj kushtet e bankës KfW, cenojnë interesat tona ekonomike
Marrëveshja – Në vitin 2009, të dyja vendet pranojnë të firmosin marrëveshjen e huasë për realizimin e disa projekteve energjetike, si ajo e ndërtimit të linjës 400 kv me Kosovën dhe Unazën 110 kv të Jugut
Kredia – Banka gjermane KfW pranon t’i japë kredi qeverisë shqiptare me vlerë 75 milionë euro (një pjesë do të paguhet nga pala kosovare), me kushte interesi lehtësuese për realizimin e veprës
“Nuk mund të jem pjesë e kushteve në një tender, garantoj huanë”
Më datë 30 gusht, ministri kërkon sqarime nga KfW se pse nuk i jep drejtim realizimit të investimit
Banka i përgjigjet se nuk mund të pranojë ribërjen e tenderit, në rast se ministri nuk firmos kushtet
Përgjigjja e datës 31 korrik, lëshuar nga ministri i Financave drejtuar bankës gjermane për zhvillim, KfW, ka ndezur një tjetër konflikt. I pari ishte anulimi i tenderit, i kërkuar nga qeveria shqiptare, që hapi “betejën”, më pas është letra e ministrit, pas 6 muaj tratativash për të zgjidhur çështjen, ku thotë se nuk pranon të jetë pjesë e kushteve të bankës në një tender, pasi shefi i Financave shqiptare luan tjetër rol.
Ja çfarë i shkruan Bode Bankës KfW, duke sjellë reagimin e kësaj të fundit, deri në paralajmërim për bllokim financimesh, madje e deri në largim.
“Referuar letrës tuaj të datës 10 korrik 2012, të drejtuar Operatorit shqiptar të Transmetimit (OST), shprehem si më poshtë: Ministri i Financave në rolin e huamarrësit nuk mund të jetë palë në procesin e tenderimit. Interesimi i ministrit të Financave përligj detyrimin e tij publik për të siguruar minimizimin e shpenzimeve publike, duke ruajtur rëndësinë dominuese të çmimit më të ulët në tender dhe plotësimin parakualifikues të aftësisë teknike të operatorëve ekonomikë konkurrues. Ministri i Financave nuk mund të bëhet pjesë e një deklarate për të respektuar një proces tenderimi, por vetëm garanton zbatimin me rigorozitet ligjor të marrëveshjes së huasë”.
Natyrisht që kjo përgjigje solli reagimin e KfW, jo me fjalë, por me heshtje, duke refuzuar t’u përgjigjej letrave të njëpasnjëshme të OST dhe KOST-it të Kosovës. Por me një tjetër letër që ministri i Financave, i dërgon më 30 gusht KfW, duke i kërkuar shpjegime se pse po vonon ritenderimi dhe projekti i Unazës së Jugut, përgjigjja e bankës gjermane është e menjëhershme.
“OST dhe KOST janë njoftuar me kohë për kushtet e vendosura nga ne”. Banka i thotë ministrit që palët duhet të pranojnë respektimin e rregullave të KfW për bërjen e tenderëve.
Sa i takon çmimit në tender, banka pranon se diferenca është e lartë, por në raport me eksperiencat e mëparshme që KfW ka pasur në vende të ndryshme dhe për raste të ngjashme, kjo vlerë është brenda normave të lejuara.
I gjithë debati vërtitet rreth diferencës 8 milionë euro, të ofruar nga kroatët më shumë se boshnjakët, kompani kjo e preferuar nga qeveria shqiptare, por që KfW e kundërshton. Banka sqaron se ana teknike ka shumë rëndësi në realizimin e linjave të transmetimit. Duke marrë si shembull rastin e ndërtimit të linjave të transmetimit me Malin e Zi, banka i kujton qeverisë shqiptare se u pranua oferta me çmim më të ulët, por vonesat për realizimin teknik dhe pengesat e shumta sollën rritje të kostove.
Pra, argumentet e palës shqiptare nuk qëndrojnë sa i takojnë vlerësimit teknik dhe atij financiar. Bode thotë në letër se do të pranojë çmimin më të ulët, por banka këmbëngul në realizimin e një objekti sa më të sigurt, nisur nga rastet e mëparshme.
Konflikti nisi rreth një vit më parë, kur pasi OST shpalli fitues kompaninë kroate, më pas e anuloi atë, me pretekstin e çmimit të lartë në tender. Banka reagoi, duke thënë se kështu kishin rënë dakord që në fillim dhe se duhen respektuar procedurat e tenderit.
Qeveria pranon ta anulojë, po ashtu dhe banka, por me disa kushte, që pala shqiptare të argumentojë me fakte se pse po e anulon, dhe së dyti, në rast se ribëhet tenderi, të firmoset paraprakisht se bihet dakord për të mos pasur probleme të ngjashme dhe se qeveria shqiptare pranon të marrë përsipër kostot shtesë. Këto kushte nuk janë pranuar nga ministri i Financave, për rrjedhojë, projekti i linjës me Kosovën, mbetet pezull.

Gazeta Shqip, 24.11.2012