Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

U asfiksuan nga gazi, gjenden trupat e pajetë të 3 minatorëve

Një tragjedi që mund të ishte shmangur, por vështirësia ekonomike i shtyu tre minatorët të shkojnë drejt galerisë që nuk kishte asnjë kusht teknik për të punuar e që ishte mbyllur nga shteti që në vitin 2015. Tre minatorët, mes tyre edhe pronari Ismail Hoxha 64 vjeç me profesion inxhinier, banues në Peshkopi dhe 2 punëtorët, Fatos Çesku 55 vjeç dhe Rexhep Rushiti 33 vjeç u gjetën të pajetë mëngjesin e sotëm, pas tre ditësh të zhdukur.  Mësohet se ata janë asfiksuar nga gazi pasi janë futur në minierë. Familjarët nisën kërkimet për gjetjen e të afërmve e tyre para 3 ditësh, kur dhe kishin pasur konntaktet e fundit. Gjetja e sendeve personale rrobat dhe telefonat, në dhomën e ndërrimit u përqëndroi kërkimet brenda minierës, ku fatkeqësisht pas disa orëve kërkim, u gjetën trupat e pajetë të tre minatorëve (rreth orës 03:00 të mëngjesit të së enjtes).

Miniera e kromit në Balgjaj në Selishtë ndodhet në një territor të vështirë. Gazetari i Report Tv, Mahin Jangulli shprehet se miniera është rreth 6 orë larg nga Bulqiza, në një zonë ku nuk ka rrugë për makinat. Fqinjët tregojnë për Report TV se  minatorët punonin në të zezë dhe se lajmin e trishtë e mësuan nga mediat. 

“E kemi komshi, sipas të afërmve të tij që janë nga Peshkopia, kanë qenë rreth 3 ditë të bllokuar, kur kanë shkuar dje të afërmit që i kanë nxjerrë nga masivi i dheut, punonin në të zezë dhe kjo galeri ka qenë e mbyllur. Ka qenë galeri e mbyllur nga shteti”, tha një nga fqinjët.

“Ne jemi komshi, në një pallat, viktimat ka tre ditë që ne nuk dinim asgjë, mbrëmë nga orën 11 të natës kemi marrë vesh lajmin e fundit nga TV kur ka shkuar baxhanaku i vetë se i ka zënë shkëmbi”, tha një tjetër.

Report Tv sjell foto nga brenda minierës, ku shihet qartë që nuk ka asnjë kusht pune. Lidhur me këtë ka pasur edhe një reagim nga drejtuesja politike e PS-së në qarkun e Dibrës, Olta Xhaçka, e cila tha se duhet bërë më shumë për minatorët dhe familjen e tyre. Trupat e pajetë të minatorëve janë nxjerrë nga morgu i qytetit, ku pritet që të përcillen për në banesën e fundit.

Prefekti i qarkut të Dibrës, Nexhmedin Shehu tha se kjo minierë ishte mbyllur nga shteti në 2017 për mosplotësim të kushteve teknike, por mesa duket shfrytëzohej në mënyrë ilegale.

“Janë nisur mbrëmë nga zv/ministri Ilir Bejtja drejtori i repartit kanë ardhur natën kanë nxjerr kufomat nga miniera pa jete, paraprakisht nga gazi në minierë, por policia e Prokuroria e Ministria e Energjetikës për të arritur një konkluzion të qartë janë transportuar të ndjerët në morgun e Peshkopisë. Mesa di ka qenë e mbyllur nga 2017 meqë nëse ata kanë ardhur dhe po hetojnë rastin. Ismal Hoxha me licence nga Dibra janë nga qyteti i Bulqizës”, tha Shehu.

Minierat janë një nga vendet më të rrezikshme të punës, ku gjatë 5 viteve të fundit kanë humbur jetën 30 minatorë.

Shqiptarja.com 31.10.2020