Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjetika si mundësi për ringjalljen ekonomike!

Projektet ambicioze për investime të reja në fushën e energjetikës, me burime të diversifiukuara, si nga nga uji, nga era dhe nga dielli planifikojnë të hedhin në këtë fushë miliona euro financime. Kjo po shikohet si një prorje positive jo vetëm për të shfrytëzuar resurset e shumta që ka vendi në këtë drejtim, por edhe si një mundësi për të dhënë një impuls të ri në zhvillimin e ekonomisë së vendit, pas periudhës së vështirë që ka krijuar pandemia e Covid-19.

Për të kuptuar më shumë rreth këtyre projekteve dhe vlerës që ata kanë si për energjetikën edhe për zhvillimin e vendit në përgjithësi ne  biseduam me Dr. Lorenc Gordani, ekspert ligjor për çështjet e energjisë, dhe pedagog në Tirana Business University (TBU). 

Pak javë më parë u shpall fituesi për Parkun Fotovoltaik të Karavastasë. Ç’ përfaqëson ky projekt? 

Po është e vërtetë, më 27 maj 2020, patëm hapjen e ofertave për garën e ndërtimit te Parkut Fotovoltaik në Karavasta. Garë e cila jo vetëm që rezultoi me sukses, por pati fituese një kompani të njohur franceze siç është Voltalia. Planifikohet ndërtimi i një parku fotovoltaik në Karavasta me një fuqi të instaluar prej 140 megavat. Kompania fituese parashikon të investojë mbi 100 milionë euro, përkundrejt një kontrate 30-vjeçare.

Është një investim që ja vlen duke patur në konsideratë që ne kemi rreth 300 ditë diell në shumicë të territorit dhe mesatarja e orëve me diell në Shqipëri është 2400 orë në vit, ndërkohë që pikërisht në Ultësirën Perëndimore ku do ndërtohet ky impiant përfshirë dhe lagunën e Karavastasë, në Myzeqe, ky tregues shkon deri në 2700 orë. Është një vend ideal dhe çdo hektar tokë aty mund të gjenerojë deri në çerek milioni euro në vit duke u shfrytëzuar për prodhim energjie. Kjo ka përcaktuar edhe faktin që kompania fituese u paraqit me një çmim në ofertë prej 24.89 euro për megavat.

Me këtë çmim, qeveria shqiptare siguroi blerjen e energjisë elektrike për 15 vite për 70 megavat. Gjysma tjetër e prodhimit do të mund të tregtohet nga kompania në treg të lirë. Kështu që mund të thuhet që në fakt kanë fituar të gjitha palët.Si është i mundur një çmim kaq i favorshëm kur për HEC-et, të cilët ankohen në vazhdimësi, paguhet një çmim që luhatet 55-65 euro për megavat/orë? 

Së pari, kjo lidhet me rënien e çmimit te komponentëve të kësaj teknologjie me rritme shumë të forta dhe në vazhdimësi. Çmimi në vitet e fundit ka rënë me disa herë (pra kosto e investimeve është ulur ndjeshëm). Ndërkohë dielli, pra lënda e parë, është pa kufizim dhe gratis. Por pyetja mund të jetë pse erdhi në Shqipëri pasi kjo mund të ndodhte kudo në rajon. Përveç rrezatimit, dy faktorë të tjerë kryesorë janë ulja e rreziqeve dhe kostoja e parasë.

Ndërkohë kur e gjithë shoqëria po përballet me rrjedhimet e situatës së krijuar nga COVID-19, vendet e BE-së, kanë mendur një përshpejtim të politikës për energji të gjelbër edhe duke e bërë financimin me kushte të favorshme element kyç të rimëkëmbjes. Kështu që ndaj kemi edhe një përfshirje të BERZH-it, që në 2017 është angazhuar për të mbështetur ndërtimin e 700 MË në energji dielore në Shqipëri. Por njëkohësisht mendoj se e gjitha duhet lexuar si një angazhim afatgjatë i kompanisë, si një identifikim i mirëmenduar i potencialit për tu zgjeruar më shumë në këtë hapësirë që ka kaq shumë elementë në favor të energjisë diellore dhe natyrisht një treg që po nxiton të liberalizohet nën kërkesat e BE.  

Parku i Karavastasë aktualisht mund të jetë një nga investimet e mëdha në Ballkan për energjinë diellore. Cilat janë përfitimet e tjera të tij? 

Përveç çmimit rekord, është edhe fuqia e instaluar. Kompania fituese do të ndërtojë një park me fuqi të instaluar prej 140 megavat (pra me të vërtetë një investim i rëndësishëm në Ballkan). Është një kapacitet i ri që i shtohet sistemit energjetik të Shqipërisë, me energji të rinovushme dhe me mundësi për tu alternuar me prodhimin që ne marrim nga lumenjtë. Pra vendi rrit edhe më shumë sigurinë energjetike dhe e gjitha kjo vjen pa asnjë kosto për shtetin. Po ashtu projekti sjell rritje të likuiditeti (sasia e energjisë në qarkullim nga aktorë të ndryshëm), pasi brenda vitit do jetë operative edhe bursa e energjisë. Por Parku i Karavastasë që do të jetë parku energjetik më i madh me energji diellore në Ballkan, duhet parë edhe si një nxitës për projekte të tjera: planifikohet që të paktën në Shqipëri të ketë edhe dy parqe të tjerë të ngjashëm me atë të Karavastasë. Ne Shqipëri aktualisht ne kemi edhe një fabrikë prodhimi të paneleve e cila tashmë mund të shndërrohet në një industri të mirëfilltë. 

Referuar diversifikimit të prodhimit të energjisë, duket se edhe era po shikohet si një potencial që planifikohet të zhvillohet së shpejti? 

E vertetë. Ka plane që në vjeshtë të këtij viti të finalizohet nisja e një gare për një për një kompleks energjie me erë, për të cilin po punohet intensivisht prej vitesh. Të mos harrojmë se për erën është menduar që në 2008. Aktualisht Ministria së bashku me konsulentët është duke vlerësuar një mundësi shumë tërheqëse dhe faktikisht reale për një investim të madh të huaj në energjinë me erë.

Një potencial tjetër është edhe gazi natyror. Në çfarë faze është aktualisht projekti TAP?

Natyrisht ne po jetojmë në një kohe shumë të mirë për sektorin, ku mundësitë çlirohen nga të gjitha drejtimet, fale liberalizimit dhe integrimit të tregjeve apo edhe zhvillimeve teknologjike. Tashmë sasitë e para të gazit natyror që vjen nga Azerbajxhani janë futur në territorin shqiptar për të testuar gazsjellësin TAP. Mbi bazën e këtyre zhvillimeve, pritet që deri në vitin 2030, Shqipëria të dyfishojë kërkesën për energji dhe të rrisë prodhimin e saj si pothuajse asnjë vend tjetër në Europë. Por këto zhvillime do të sjellin edhe një përfitim tjetër të madh. Siç dihet Shqipëria është vendi me humbjet më të mëdha në rrjet në rajon, në masën 33% të prodhimit. Humbjet do të minimizoheshin nëse ne do të arrijmë siç po synojmë të ndërtojmë gjeneratorë të rinj të energjisë në jug të vendit. 

Ka edhe një zhvillim tjetër, qeveria duket se nuk e ka jashtë vëmendjes as prodhimin e energjisë nga uji. Kam parasyshë këtu ringjalljen edhe një herë të planeve për HEC-in e Skavicës. Madje është thënë se do të jetë një investim që do të kryhet 100% nga buxheti i shtetit.

Për HEC-in e Skavicës në të vërtetë po punohet prej kohesh dhe tashme jemi në fazë të avancuar, të përgatitjeve praktike të projektit. Me një financim të Bankës Botërore prej 1,4 milion dollarë por punohet në këtë drejtim për të dalë në fund me një rekomandim se cfarë dhe si duhet bërë. Në fakt në këtë drejtim jemi shumë të vonuar: dihet që Skavica është një element i munguar i projektit origjinal të kaskadës së Drinit. Projektimi dhe ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës ka qenë një objektiv historik i të gjitha qeverive shqiptare dhe të atyre të para viteve ’90. Është një objekt strategjik i domosdoshëm, i vështirë por edhe i komplikuar. Të shpresojmë që kësaj radhe do të mundemi që këtë ëndërr ta bëjmë realitet, sepse më shume se për prodhimin direkt është i rëndësishëm për optimizimin e gjithë kaskadës së Drinit. Për këtë unë mendoj se do të nevojiten zgjidhje të përbashkëta me Kosovën dhe Maqedoninë për ta bërë këtë investim të sigurtë.

Scan,  12.07.2020