Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Perdja e re e hekurt, diferenca në nivelin e ndotjes së ajrit

Midis Europës Lindore dhe asaj Perëndimore ekziston një pabarazi e habitshme, një Perde e re e Hekurt është shfaqur sërish. Sipas statistikave, vendet e Ballkanit dhe ato të Europës Lindore kanë normën më të lartë të vdekshmërisë për shkak të ndotjes së ajrit në Europë, shkruan Rebecca Banovic për Forbes. Fakti se niveli i ndotjes së ajrit është i lartë vërtetohet edhe nga të dhëna të tjera në shtetet e ish-Jugosllavisë dhe Bllokut Lindor është shumë i lartë.

Edhe rezultatet e nxjerra nga Indeksi Europian i Cilësisë së Ajrit dhe harta e cilësisë së ajrit në kohë reale, Berkeley Earth, e konfirmojnë këtë pamje të zymtë. Ndër 33 qytetet me nivelin më të lartë të ndotjes në Europë, mund të përmendim qytetet e Polonisë, ndërsa Tetova dhe Shkupi i Maqedonisë janë vlerësuar si dy qytetet më të ndotura të kontinentit në 2018.

Shumë nga ekonomitë e Europës Lindore, si dhe historitë dhe rrethanat e tyre gjeografike, krijojnë fatkeqësisht kushtet e duhura për ta rritur më shumë nivelin e ndotjes së ajrit. Ndërtimi dhe industria minerare luajnë një rol të rëndësishëm në ekonomitë e këtyre vendeve, ku një ndër lëndët e para më të përdorura është linjiti (që mund të gjendet në sasi të mëdha dhe kundrejt një çmimi të lirë) por që shkakton një nivel të lartë ndotje.
Gjashtëmbëdhjetë fabrikat e linjitit në ish-Jugosllavi krijojnë një nivel më të lartë ndotjeje, në krahasim me 296 fabrikat e Bashkimit Europian të marra së bashku. Përveç kësaj, ngrohja e pjesës më të madhe të banorëve të këtyre vendeve me anë të sobave prej druri dhe qymyri, dhe automjetet e vjetra e përkeqësojnë problemin.

Pozita gjeografike e vendeve të Europës Lindore, edhe pse një prej më të bukurave, fatkeqësisht ndikon në rritjen e nivelit të ndotjes. Në Shkup dhe Sarajevë, për shembull, malet grumbullojnë ajrin e ndotur në luginat e dendura dhe të populluara. Ndotja arrin kulmin në dimër, kur të gjitha fabrikat e qymyrit dhe linjitit dhe sobat e drurit për ngrohje punojnë me një intensitet më të lartë. Niveli i ndotjes së ajrit është shumë i lartë në shtetin e Maqedonisë, veçanërisht në Shkup dhe Tetovë.

Pastruesit e ajrit për shtëpitë janë shndërruar në një prej pajisjeve më të domosdoshme, por fatkeqësisht kostoja e një pastruesi të ajrit kushton afërisht rreth 400 euro, pothuajse sa niveli i pagës mesatare mujore. Rritja e nivelit të ndotjes së ajrit është shoqëruar edhe me protesta kundër qeverive të rajonit të Ballkanit. Protestat kanë qenë të shumta në shtete si Kosova, Maqedonia dhe Bosnja, të nxitura kryesisht nga rritja e informacionit nga qytetarët.

Inxhinieri softuerik dhe sipërmarrësi nga Maqedonia, Gorjan Jovanovski, krijoi aplikacionin MojVozduh ose MyAir, i cili gjeneron të dhëna në lidhje me nivelin e ndotjes së ajrit në qytete të ndryshme të Maqedonisë. Ky aplikacion është shkarkuar rreth 100,000 herë, fakt i habitshëm për një vend me 2 milionë banorë.

Por edhe pse kostot ekonomike dhe ato njerëzore të ndotjes së ajrit në rajon janë shumë të larta, duke shtuar edhe presionin dhe zemëratën e lartë të qytetarëve, përpjekjet e qeverive të këtyre vendeve për të trajtuar problemin e ndotjes së ajrit kanë qenë të pakta. Linjiti, edhe pse shkakton një nivel të lartë të ndotjes së ajrit, vazhdon të jetë një prej elementeve më të rëndësishme të ekonomisë së këtyre vendeve, me kosto të ulët dhe me një fuqi të madhe punëtore që di ta përdorë.

Megjithatë për secilën prej çështjeve të mësipërme ka edhe një zgjidhje të caktuar. Hidroelektriciteti po përdoret gjerësisht në rajon, por ai është i ndryshueshëm në varësi të kushteve dhe problemeve mjedisore. Kështu për shembull, Shqipëria është totalishisht e varur nga hidrocentralet dhe gjatë mungesës së ujit, ajo duhet të importojë energji elektrike të prodhuar nga linjiti, nga fqinjët e saj. Duke marrë në konsideratë edhe faktin se ndryshimet klimatike po përshpejtohen, hidroenergjia nuk mund të jetë një zgjidhje e zgjuar.

Importi i gazit është një tjetër opsion dhe shumë qeveri ballkanike kanë treguar interes në këtë drejtim. Në momentin që do të përfundojë gazsjellësi TAP, do të transportojë gaz nga Azerbajxhani nëpërmjet Greqisë së Veriut dhe Shqipërisë së Jugut drejt Italisë. Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Shqipëria janë në diskutime për të ndërtuar gazsjellësin Adriatiko-Jonian, i cili do të kalojë në një pjesë të TAP-it dhe do të dërgojë gazin në veri përgjatë Adriatikut.

Gazi, megjithatë, do ta bënte rajonin e Ballkanit më shumë të varur ndaj energjisë, si në kosto edhe në transportimin e tij. Edhe pse për burimet e ripërtëritshme ka pasur disa ulje në treg, përpjekjet për ta shndërruar energjinë e rinovueshme si një pjesë të rëndësishme të sektorit energjetik, kanë qenë të pakta.

Edhe pse investitorë të ndryshëm europianë kanë treguar interes, duke ndihmuar në ndërtimin e disa fabrikave të mullinjve me erë në Mal të Zi dhe Serbi, shumica e interesit të qeverisë deri më tani është drejtuar kryesisht nga prodhimi i energjisë nga qymyri. Por duke qenë se planet në të gjithë rajonin e Ballkanit janë për të rritur nivelin e fabrikave me qymyr, mund të shpresohet të paktën që ato të jenë sa më efikase në krahasim me fabrikat e mëparshme.

Por duke qenë në këtë situatë, rajoni mund të mbyllë një tjetër gjysmëshekulli me një jetëgjatësi të banorëve 40-50 vjeç. Si pjesë e përpjekjeve për t’iu bashkuar BE-së, republikat ish-jugosllave u zotuan të reduktonin nivelet e emetimit, duke u munduar në këtë mënyrë që të afrohen sa më shumë me standardet e caktuara europiane. Por edhe nëse fabrikat e reja përmbushin standardet e Teknologjisë Më të Mirë në Dispozicion të BE-së (BAT), kostoja e emetimeve pritet të rritet teksa BE-ja e shtrëngon skemën e tregtimit të emetimeve, duke e bërë joekonomik përdorimin e vazhdueshëm të burimeve të energjisë me emetim të lartë.

monitor,  26.01.2019