Programi për asistencën hidrokarbure, Deloitte nis bashkëpunimin me AKBN
![](http://energjia.al/wp-content/uploads/2014/07/oil-petroleum-nafte.jpg)
Kompania Deloitte Financial Advisory Services LLP në vijimësi të programit të asistencës teknike për AKBN në sektorin hidrokarbur të prezantuar më datë 30 Tetor 2018, mbështetur nga Zyra e Programeve të Energjisë së Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, filloi sot implementimin e këtij programi.
Në takimin e organizuar për këtë qëllim në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore Z. Adrian Bylyku, Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, mirëpriti përfaqësuesit e Zyrës së Programeve të Energjisë së Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ekspertët e Kompanisë Deloitte Financial Advisory Services LLP, në fushën e gjeologjisë dhe gjeofizikës, ligjorë ndërkombëtarë në fushën e naftës dhe gazit, ekonomisë në fushën e energjisë, HSE (Health, Safety, Environment-Shëndeti, Siguria, Mjedisi), si dhe inxhinierë të fushave specifike të naftës dhe gazit.
Programi i asistencës teknike do të vijojë në datat 14-18 Janar 2019, me fokus në tre shtylla kryesore:
1 – Organizimi i raundeve të liçensimit për kërkimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit;
2 – Mbikqyrje teknike në sektorin hidrokarbur;
3 – Trajnimet teknike.
Një ndër objektivat kyç të këtij programi është që Deloitte Financial Advisory Services LLP të asistojë AKBN, në përgatitjen dhe ndjekjen e praktikave ndërkombëtare të tenderimit me qëllim që AKBN të zhvillojë një praktikë tenderuese transparente dhe konkuruese në sektorin e naftës dhe gazit, për tërheqjen e investitorëve në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe praktikat ndërkombëtare.
Gjithashtu, Deloitte Financial Advisory Services LLP do të sigurojë mbështetje teknike për të krijuar kapacitetet e nevojshme për specialistët e AKBN-së, në monitorimin e programeve të kërkimit, asetet prodhuese dhe krijimin e një proçesi i cili do të sigurojë menaxhimin dhe zhvillimin e duhur të aseteve hidrokarbure.
Programi i asistencës do të përfshijë po ashtu edhe bashkëpunimin midis specialistëve të AKBN dhe specialistëve ndërkombëtarë të Deloitte Financial Advisory Services LLP, për mbledhjen, organizimin dhe interpretimin e të dhënave, për të siguruar praktikat e duhura për menaxhiminin e rezervuarëve dhe maksimizuar nxjerrjen e hidrokarbureve.
Në funksion të maksimizimit të rezultateve të pritshme nga ky program, Deloitte Financial Advisory Services LLP, do të organizojë trajnime për specialistët e AKBN-së, me qëllim prezantimin dhe njohjen me praktikat ndërkombëtare në metodologjinë e vlerësimit të rezervave të naftës dhe gazit, analizimin e të dhënave gjeologjike dhe gjeofizike dhe modelimin e tyre me tematikë, “Pasigurinë e Riskut dhe Vlerësimin e Rezervave dhe Burimeve”.
AKBN e konsideron këtë bashkëpunim si një ndër më të rëndësishmit që do t’i shtrijë efektet e tij pozitive jo vetëm në sektorin hidrokarbur në veçanti, por edhe në ekonominë e vendit, në tërësi.
energjia.al 18.01.2019