“Rrjedha Turke”, kontribut real në sigurinë e energjisë
Zëdhënësi i Kremlinit (Pallati Presidencial i Rusisë), Dmitriy Peskov tha se projekti i tubacionit të gazit natyror “Rrjedha Turke” do të kontribuojë me të vërtetë në sigurinë energjetike të Evropës.
“Rrjedha Turke” nuk është një qasje populiste për sigurinë energjetike të Evropës,- tha Peskov dhe shtoi: “Ky është një kontribut i vërtetë për sigurinë e energjisë, sepse pas një kohe shumë të shkurtër ky gaz nuk do të shkojë vetëm në Turqi, nuk do të kontribuojë vetëm në zhvillimin e ekonomisë turke, ai do të shkojë edhe më tej, do të shkojë tek konsumatorët evropianë”.
Shumë vende e kanë parashtruar çështjen e zgjatimit të linjës së gazsjellësit “Rrjedha Turke” deri në vendin e tyre, u shpreh Peskov, ndërsa shtoi se disa prej këtyre vendeve janë interesuar konkretisht, kurse disa të tjera kanë lënë të kuptohet se janë të interesuara me këtë projekt.
Me rastin e përfundimit të pjesës së tubacionit që kalon nën det sot do të mbahet në Stamboll një ceremoni me pjesëmarrjen e Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) dhe Presidentit rus Vladimir Putin.
Projekti i gazsjellësit “Rrjedha Turke” përbëhet nga dy tubacione, secili me gjatësi 930 km dhe kapacitet 15,75 miliardë metra kub në vit. Tubacionet janë shtruar nën Detin e Zi dhe gazin rus do ta transportojnë për në Turqi dhe Evropë.
Parashikohet që tubacioni i parë të furnizojë tregun turk me gaz, kurse tubacioni i dytë të përcjellë gazin rus drejt vendeve evropiane.
TRT Turkey, 22.11.2018