TAP, përfundon segmenti i parë i mikrotunelit në Çorovodë
Në fund të muajit Prill, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) përfundoi hapjen e segmentit të parë të mikro-tunelit në Skrapar. Dy muaj pas nisjes së punimeve, ka përfunduar tuneli lindor me gjatësi 560 metra.
Kontraktori i TAP, Spiecapag, dhe nënkontraktori Bessac, arritën ta përmbyllnin këtë fazë të ndërtimit të mikro-tunelit brenda afateve të parashikuara dhe pa asnjë incident, njofton TAP.
Tashmë që pjesa lindore e mikro-tunelit ka përfunduar, do të nisin punimet për realizimin e segmentit perëndimor. Përfundimi i të gjitha punimeve për mikro-tunelin pritet të ndodhë gjatë verës.
Mikro-tuneli i Çorovodës është i përbërë nga tuneli lindor me gjatësi 560 metra, tashmë i përfunduar, dhe tuneli perëndimor me gjatësi 600 metra. Gjatësia totale e mikro-tunelit do të jetë 1.5 km, ka diametër 1.8 metra dhe shmang kalimin përmes luginës së Osumit dhe kryqëzimin me një rrugë të sapo-ndërtuar.
Terreni i Skraparit është shumë sfidues për ndërtimin e gazsjellësit TAP për shkak të thyerjeve të shumta, njofton kompania, si dhe lartësisë deri në 1’800 metra mbi nivelin e detit dhe vetë përbërjes gjeologjike.
Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)
TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek, në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.
Gjurma që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe të tjera vende. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Austria.
TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë gjurmës së Gazsjellësit. Ai do të jetë një burim i madh i investimeve të huaja direkte. Pas shitjeve të para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, të synuara për në fund të vitit 2018, sasia e parë e gazit në Evropë do të mbërrijë përafërsisht në fillim të vitit 2020.
Aksionarët e TAP-it janë BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).
Revista Monitor, 03.05.2018