Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Prezantohet OSHEE Mobile, pagesa nëpërmjet celularit

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, z. Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga administratori i Operatorit të Shpërndarjes, z. Adrian Çela, ndoqën nga afër prezantimin e aplikacionit OSHEE Mobile përmes të cilit qytetarët mund të kryejnë shërbimet online, në telefonin e tyre, pa pasur nevojë të shkojnë në zyrat e Kujdesit ndaj Klientit.

Me anë të aplikacionit OSHEE Mobile, çdo përdorues i një telefoni “smart” mundet të regjistrohet për të pasur llogarinë online pranë kompanisë; të kontrollojë konsumin dhe faturën mujore; të kryejë pagesa të faturave pa komision; të kryejë një kërkesë apo ankesë, si dhe të ndjekë statusin e saj; të aksesojë portalin e punësimit dhe të aplikojë për një vend pune pranë kompanisë. Gjithashtu krijohet mundësia që të denoncohet çdo abuzim me të cilin ndeshet qytetari, duke e shoqëruar me fotografi dhe të dhëna konkrete. Qytetarët mund të shikojnë në hartë dhe të informohen edhe mbi Qendrat e Kujdesit ndaj Klientit apo aktivitetet e produktet e Operatorit të Shpërndarjes.

Ministri Gjiknuri deklaroi se përmes rimëkëmbjes financiare të kompanisë dhe sektorit në tërësi, po bëhet e mundur që të kryhen investimet aq të domosdoshme si në infrastrukturën e rrjetit, ashtu edhe në shërbimin ndaj konsumatorëve.

“Këto investime janë shumë të rëndësishme, pasi në qendër të tyre është klienti. Qytetarët e kanë mirëpritur investimin në teknologji dhe gjithnjë e më shumë po përdorin format alternative të pagesave dhe informimit”, u shpreh z. Gjiknuri.

Duke ju referuar aplikacionit OSHEE Mobile, ai theksoi se “ka ende probleme pasi ka edhe punonjës të papërgjegjshëm. Çështja është të gjejmë format dhe mundësitë për t’i kontrolluar ata gjithnjë e më shumë. Aplikacioni është mundësi e mirë për të gjurmuar ankesa, për të kryer denoncimin në kohë reale duke dhënë mundësinë e ndjekjes së saj, ndëshkimin e personave përgjegjës dhe zgjidhjen e problemit. Përmes denoncimeve do t’i jepet mundësia kompanisë të korrigjojë edhe performancën e saj”.

Ministri Gjiknuri ju përgjigj edhe akuzave të vazhdueshme të opozitës ndaj kompanisë së shpërndarjes. “Ka pasur shumë akuza politike, ku thonë se paratë harxhohen kot. Investimet që po bën OSHEE, në fakt, janë një kursim si për qytetarët, edhe për kompaninë. U akuzua OSHEE se po bën zyra të reja, por shikojini këto ambiente tani, janë njësoj si një qytet europian. A nuk e meritojnë qytetarët shqiptarë të kenë një sistem modern komunikimi me ndërmarrjen e tyre, pasi OSHEE është e gjithë qytetarëve. Akuzat janë bërë me synimin e vetëm dëmtimin e reformës më të suksesshme të qeverisë, e cila është e kuantifikuar me shifra konkrete”, nënvizoi z. Gjiknuri.

Administratori i OSHEE-së, z. Adrian Çela, ju referua edhe asaj çka ka bërë kompania më herët në kuadër të përfshirjes së teknologjive të reja në shërbimet ndaj klientit.

“Ky nuk është shërbimi i fundit, pasi ne jemi duke punuar që së shpejti të ofrojmë të tjera produkte që lehtësojnë komunikimin me qytetarët. Ndërkohë, më parë kemi bërë hapa të rëndësishëm që nga çelja e sporteleve alternative për pagesat, çka solli në eliminimin e radhëve. Sot jemi në rangun e 200 mijë veprimeve në muaj, pikërisht nga sportelet alternative. Nëpër qendra tregtare shpërndamë Infokioskat, si një tjetër alternativë për shërbimin ndaj qytetarëve. Instaluam këtë vit mbi 50 mijë matës elektronikë, që me një ndryshim të vogël mund të kthehen edhe në matës inteligjentë. Nuk duhet të harrojmë edhe lexuesit elektronikë PDA, të cilët i prezantuam pak muaj më parë e që lehtësojnë e automatizojnë leximin e faturës, duke shmangur problemet me leximin nga faturistët”, theksoi z. Çela.

Revista Monitor,  25.11.2016