Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zbardhet Grupi i Punes per CEZ-in

VENDIM  Nr. 969, datë 25.10.2013 PËR NGRITJEN E GRUPIT TË PUNËS PËR ZGJIDHJEN E MOSMARRËVESHJES  NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SHOQËRISË CEZ A.S.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të Traktatit të Kartës së Energjisë, ratifikuar me  ligjin nr. 8261, datë 11.12.1997 dhe të ligjit nr. 10 116, datë 23.4.2009 “Për miratimin e kontratës  së shitjes së 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes sh.a. (OSSH),  ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Republikës së Shqipërisë dhe  shoqërisë CEZ a.s.”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave    VENDOSI:    1. Ngrirjen e grupit ndërinstitucional të punës për nisjen e procedurës së negocimit dhe  mbrojtjen e interesave të Republikës së Shqipërisë në mosmarrëveshjen me shoqërinë CEZ a.s., që  lidhet me Traktatin e Kartës së Energjisë dhe Marrëveshjen e Shitjes së Aksioneve, të miratuar me  ligjin nr. 10 116, datë 23.4.2009.  2. Grupi i punës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe  shoqërisë CEZ a.s., të kryesohet nga ministri i Energjisë dhe Industrisë dhe të ketë në përbërje  përfaqësues të institucioneve të mëposhtme:

– Kryeministria;

– Ministria e Energjisë dhe Industrisë;

– Ministria e Financave;

– Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes;

– Avokatura e Shtetit.

3. Institucionet e përmendura në pikën 2 të këtij vendimi, caktojnë një ose më shumë  përfaqësues në grupin e punës, të cilët kanë njohuritë e nevojshme për çështjet që do të jenë objekt  negocimi.  4. Përbërja e grupit të punës të përcaktohet me urdhër të Kryeministrit, sipas propozimeve  të institucioneve të përmendura në pikën 2 të këtij vendimi.  5. Tërësia e përfaqësuesve dhe ekspertëve, sipas pikave 2 dhe 3, do të përbëjë grupin e  punës, i cili do të përfaqësojë Republikën e Shqipërisë në negocimin dhe mbrojtjen e interesave në  mosmarrëveshjen me shoqërinë CEZ a.s.  6. Gjatë këtij procesi, grupi i punës do të mbështetet nga përfaqësues të Entit Rregullator të  Energjisë.  7. Grupi i punës do të këshillohet nga studioja ligjore ndërkombëtare “Derains & Gharavi”,  e kontraktuar për përfaqësimin e shtetit shqiptar në çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar të filluar nga  shoqëria CEZ a.s., si dhe nga ekspertë ose shoqëri të tjera teknike, financiare, që janë kontraktuar  ose do të kontraktohen në funksion të këtij procesi.  8. Vendet ku do të zhvillohen negociatat do të jenë Tiranë, Shqipëri dhe Pragë, Republika  Çeke ose çdo vend tjetër për të cilin palët do të bien dakord.  9. Grupi i punës ngarkohet t’i dërgojë shoqërisë CEZ a.s., njoftimin për fillimin e  procedurave të negociatave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, si dhe t’i kërkojë shoqërisë CEZ a.s.,  pezullimin e procedurave të arbitrazhit deri në përfundimin e negociatave për zgjidhje me  mirëkuptim, sipas afateve për të cilat është rënë dakord ndërmjet palëve.  10. Marrëveshja e arritur nga procesi i negocimit, nëpërmjet ministrit të Energjisë dhe  Industrisë, t’i paraqitet për miratim Këshillit të Ministrave.  11. Në rast refuzimi nga ana e shoqërisë CEZ a.s., për fillimin e negociatave ose për  pezullimin e procedurës së arbitrazhit apo në rast të mosarritjes së një marrëveshjeje me pajtim,  grupi i punës ngarkohet me marrjen e të gjitha masave të nevojshme për mbrojtjen e interesave të  Republikës së Shqipërisë, duke përfshirë mbledhjen e provave, identifikimin e dëshmitarëve,  angazhimin e ekspertëve në procedimet e arbitrazhit ndërkombëtar, në cilësinë e të paditurit dhe/ose  të paditësit.  12. Shpenzimet, që do të nevojiten për ndjekjen e kësaj procedure, ku përfshihen tarifat e  studios ligjore, tarifat e ekspertëve, kostot e procedimeve të arbitrazhit ndërkombëtar, si dhe  shpenzimet e tjera për grupin e punës, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit.  13. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e  Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Avokatura e Shtetit për zbatimin e këtij  vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI  Edi Rama

energjia.al, 05.11.2013