Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Sondazhi, e ardhmja e “CEZ”, partneriteti publik-privat

Sektori energjetik në Shqipëri prej vitesh gjendet në një situatë të vështirë. Rreth 96 e nevojave sigurohen nga burimet ujore, por prodhimi vendas nuk arrin të mbulojë të gjithë kërkesën. Nga ana tjetër, shpërndarja e energjisë vijon të përballet me vjedhje nga ana e konsumatorëve.

Në fillim të këtij viti kompania çeke “CEZ”, që kishte privatizuar më parë shpërndarjen e energjisë, dështoi në reformimin e këtij sektori dhe Enti Rregullator u detyrua t’I hiqte licencën. Në këtë mënyrë, shpërndarja e energjisë deri më sot është nën administrimin e përkohshëm të shtetit.

Por, deri sa do të vijojë kjo situatë? Në përfundim të sondazhit të kësaj jave në faqen e internetit të RTV SCAN, 62% e pjesëmarrësve mendojnë se e ardhmja e kompanisë “CEZ Shpërndarje” duhet të jetë ajo e partneritetit publik-privat. Aktualisht, ekzistojnë edhe dy alternativa të tjera, si ajo e shtetëzimit dhe e privatizimit të menjëhershëm. Dhe duket se qeveria po mendon më shumë për alternativën e parë.

Në fillim të këtij muaji administratori Sahit Dollapi paraqiti dorëheqjen me argumentimin se nuk ishte dakord me strategjinë e qeverisë për shtetëzimin e kompanisë. Ndërsa së fundmi, Bordi i Komisionerëve të ERE, përzgjodhi Arben Seferin në këtë post. Për periudhën Janar – Shtator 2013 shpenzimet operative të kompanisë janë ulur me të paktën 20 milionë dollarë krahasuar me gjithë vitin 2012. Ndërkohë, arkëtimet kanë pësuar rritje ndërsa humbjet në rrjet janë ulur në nivelin e 34.5%. Por, pavarësisht këtyre shifrave, situata energjetike në përgjithësi dhe ajo e kompanisë në veçanti mbeten të paqarta.

TV Scan, 18.10.2013