Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Digjet fasoneria e Skraparit, rrezikohet nënstacioni elektrik

Fasoneria e Skraparit është djegur pasditen e sotme nga një zjarr i rënë në ambientet e saj. Në ambientet e brendshme të “Alba Shoes” ndodheshin vetëm drejtuesit, të cilët po mbyllnin punën në momentin e rënies së zjarrit, pasi punonjësit ishin larguar që në orën 5 të pasdites kur mbyllnin turnin.

Personat që ndodheshin brenda kanë kaluar momente paniku, por kanë arritur të dalin jashtë pa asnjë lëndim. Në fasonerinë me 30 punonjës prodhoheshin këpucë, sandale e së fundmi edhe çanta kartoni, të cilat kanë favorizuar  përhapjen e flakëve.

Pamjet e mbërritura në redaksinë e Report Tv tregojnë zjarrin dhe tymin e zi që ka mbuluar gjithë zonën, ndërsa punonjësit dhe banorët  e ndodhur aty janë distancuar që të mos lëndohen. Sipas korrespodentit të Report Tv Artan Diko, dyshimet kryesore të zjarrit janë shkëndija elektrike e një prej makinerive ose shpërthimi i një bombole gazi në ambientet e brendshme të fabrikës. Zjarrfikëset kanë shkuar në vend, por është e pamundur fikja e tij, pasi brenda fabrikës ka materiale plastike, lëkure dhe letre të cilat digjen shumë lehtësisht.
Fatmirësisht, fabrika është buzë lumit dhe larg zonës së banuar, ku afër saj  mund të jenë vetëm 2-3 banesa. Banorët e zonës përreth janë evakuuar dhe zjarri është vënë nën kontroll. Nga flakët e zjarrit në fasonerinë e këpucëve rrezikohet nënstacioni elektrik Skrapar dhe është stakuar linja e energjisë elektrike në Çorovodë Çepan, Gjerbres, Leshnje, Potom, Qendër Çorovodë, Vendereshe, Konak dhe Store.
Shqiptarja.com  07.08.2020