Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Dështoi në drejtimin e “Albpetrol”, Eriola Muka tashmë këshilltare e ministres Balluku

Eriola Muka, ish-drejtoresha e “Albpetrol”, e cila u largua së fundmi nga detyra për shkak të dështimeve spektakolare në drejtimin e kompanisë së naftës, tashmë do të këshillojë Ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Burime të “Boldnews.al” deklaruan se Muka është emëruar këshilltare në kabinetin e Ballukut, pavarësisht se ndaj saj janë të hapura dy hetime penale për “Shpërdorim detyre” dhe “ndërhyrje në rrjetet kompjuterike”.

Është e paqartë se për çfarë do të këshilloj ministren Balluku ish-drejtoresha e “Albpetrol”, e cila shënoi një rekord paaftësie, duke u larguar nga drejtimi i kompanisë shtetërore vetëm 6 muaj pasi u emërua në atë post, në Tetor 2019.

Për më tepër që, siç ka mësuar “Boldnews.al”, ministria e Infrastrukturës nuk ka pasur pozicion të lirë për këshilltar.

Ministria e Infrastrukturës ka një kabinet të zgjeruar këshilltarësh, për shkak të disa sektorëve që ka nën administrim.

Kabineti i ministrit përbëhet nga 9 këshilltarë të brendshëm dhe rreth 15 këshilltarë të jashtëm, të cilët paguhen nga shoqëritë aksionere që janë në varësi të ministrisë dhe që këshillojnë kreun e dikasterit për fushat përkatëse.

Por, siç mëson redaksia, stafi këshillues i ministres Balluku është i plotësuar. Ndaj, duket se është shtuar një post i ri, me shumë mundësi në formën e “qokës”, për drejtoreshën e shkarkuar të “Albpetrol”, Eriola Muka. Gjithësesi, deri më tani, nuk është e qartë se për cilin sektor do të japë këshillat Muka.

Belinda Balluku dhe Eriola Muka kanë bashkëpunuar vite më parë në Bashkinë e Tiranës, kur ajo drejtohej nga Edi Rama.

Balluku u emërua Ministrie e Infrastrukturës në fund të vitit 2018, ndërkohë që disa muaj më pas, Eriola Mukës iu besua drejtimi i “Albpetrol”, kompani nën varësinë e Ministrisë së drejtuar nga Balluku.

Në krye të 6 muajve, ministrja e Infrastrukturës u detyrua të bënte ndryshime në krye të kompanisë shtetërore të naftës.Ish-ambasadori Gent Gazheli zuri vendin e Eriola Mukës, mbi të cilën rëndonin akuza publike, jo vetëm penale, por edhe për keqmenaxhim të situatës dhe burimeve njerëzore në “Albpetrol”.

“Boldnews.al” ka raportuar më parë për dy hetime penale që po zhvillon Prokuroria e Tiranës ndaj ish-drejtoreshës së “Albpetrol”.

Gjithashtu, ajo është akuzuar publikisht nga ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, për emërime nepotike në kompaninë e naftës.

Ish-deputeti Baçi ka shoqëruar denoncimin e tij publik me lista zyrtare emërore, të cilat, sipas tij, janë emërime të kryera nga Eriola Muka në kushtet e nepotizmit dhe konfliktit të interesave.

Në vijim, Muka dyshohet se është personi përgjegjës për dështimin dy herë rresht të ankandit më të madh të shitjes së naftës, të organizuar nga kompania “Albpetrol”.

Në Shkurt dhe Prill 2020, “Albpetrol” dështoi dy herë të finalizonte ankandin për shitjen e rreth 118 mijë ton naftë nga rezervat e saj.

Tashmë, pas këtyre dështimeve profesionale dhe menaxheriale, Eriola Muka pritet të këshillojë ministren Balluku.

Duke një sipërmarrje e guximshme e ministres, e cila drejton disa nga sektorët më jetikë të ekonomisë së vendit. Ajo pritet të këshillohet nga Eriola Muka, e cila tregoi se mund të dështonte me sukses në drejtimin institucional.

Por, gjithësesi, emërimi i Mukës si këshilltare e Ballukut, ndoshta nuk është zgjedhje e ministres.

Burime të “Boldnews.al” thonë se mbajtja e Eriola Mukës në “tregun ministror” është një ndërhyrje e Ëngjëll Agaçit, Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave.

Pavarësisht se kush e ka bërë propozimin apo sugjerimin, fakti është që Eriola Muka, pas dështimit në “Albpetrol”, tashmë do të japë këshilla për ministren Balluku.

BoldNews,  02.05.2020