Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Albpetrol njofton marrjen e detyrës së administratorit nga Gent Gazheli

Kompania Albpetrol ka njoftuar ditën e djeshme marrjen e detyrës nga admonistratori i ri i emëruar, Gent Gazheli. Kjo kompani ka shtuar jetëshkrimin e administratorit të ri në Website-in e saj zyrtar. Më poshtë njoftimi i plotë:

Genti Gazheli ka lindur në Tiranë më 10 nëntor 1971. Ai ka një karrierë të gjatë dhe të larmishme në fushën financiare dhe menaxhim. Genti Gazheli është diplomuar në vitin 1995 në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Financë. Ai ka mbrojtur gjuhët Anglisht dhe Frëngjisht në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja. Gjatë viteve të fundit ai ka zhvilluar një sërë kursesh dhe trajnimesh pas universitare, kryesisht në fushën e financës, ekonomisë, menaxhimit dhe diplomacisë. Ndër to vlen të përmenden “Center for International Development Kennedy School” në Universitetin Harvard, Diplomacia Ekonomike për Shqipërinë Prill-Tetor 2018; “Organizata Botërore e Doganave (WCO), Bruksel-Belgjikë (1999-2000); dhe St. Claire’s, Oxford, Edukim Ndërkombëtar (2010).

Genti Gazheli ka qenë përfaqësuesi i Shqipërisë në takimet e organizuara në OECD, Paris, FATF (Task Forca e Veprimit Financiar- Organizata Ndërkombëtare që monitoron përmbushjen e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit); Kryetar i Delegacionit Shqiptar në Komisionin MoneyVal, 2013-2016, Strasburg (Komiteti i Ekspertëve në Luftën kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit); dhe Përfaqësuesi i Shqipërisë në Grupin Egmont me seli në Toronto, Kanada (një rrjet në të cilin 152 shtete shkëmbejnë informacion në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit).

Genti Gazheli ka filluar karrierën në vitin 1997 si Inspektor dhe më pas Përgjegjës Sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, poste të cilat i ka mbajtur deri në vitin 2005. Gjatë viteve 2005-2007 ai është angazhuar në sektorin privat si ortak në shoqëri aksionare. Në qershor 2007 deri më shtator 2013 Genti Gazheli ka mbajtur postin e Krye-Financierit të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Ndërkohë në vitin 2011 ai është angazhuar aktivisht në qeverisjen e qytetit të Tiranës duke u zgjedhur si anëtar dhe kryetar i Grupit të Këshillit në Bashkinë e Tiranës, post të cilin e ka mbajtur deri në vitin 2015.

Në vitin 2013, Genti Gazheli ka marrë detyrën Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme i Parandalimit të Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave.

Në vitin 2016 Genti Gazheli është emëruar Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Republikën e Turqisë (rezident) si dhe Jo-rezident në Republikën Islamike të Iranit, Kirgistan, Azerbajxhan, Gjeorgji, Republikën Islamike të Afganistanit , Kazakistan dhe Republikën Islamike të Pakistanit.

Në prill 2020 Genti Gazheli është emëruar Administrator i shoqërisë publike të naftës dhe gazit në Shqipëri, Albpetrol sh.a.

energjia.al 29.04.2020