Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Koronavirusi dhe rënia e çmimeve të naftës përmbysin bursat aziatike

Shqetësimet në rritje mbi efektet ekonomike të epidemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) dhe rënia e thiktë e çmimeve të naftës kanë bërë që në bursat aziatike të vërehet një prirje kryesisht nga shitjet.

Pas vendimit për të mos reduktuar prodhimin e naftës, dalë nga takimi ndërmjet anëtarëve të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe disa shteteve prodhuese të naftës bruto joanëtare të OPEC-ut, nafta e tipit Brent u zhvlerësua mbi 30 për qind duke rënë në 31,1 dollarë për fuçi, çmimi më i ulët ky që nga muaji shkurt 2016 e këtej.

Analistët theksojnë se rreziku i rritjes së furnizimit të tepërt ka shkaktuar një rënie të mprehtë të çmimeve të naftës. Sipas tyre, kombinimi i këtij zhvillimi me shqetësimet rreth efekteve të epidemisë COVID-19 në aktivitetin ekonomik ka çuar në një zhvlerësim mbi 2 për qind në tregjet aziatike të transaksioneve.

Nga ana tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri me dije se numri global i vdekjeve nga koronavirusi i ri është 3.831 dhe i rasteve të konfirmuara mbi 110.000.

Me ndikimin e këtyre zhvillimeve, indeksi i bashkuar i Shangait në Kinë pësoi një rënie me 2,62 për qind duke u realizuar në nivelin e 2.954,63 pikëve.

Kurse në Japoni, sipas të dhënave të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) të publikuara të hënën, ekonomia e vendit është tkurrur me 1,8 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2019, një performancë kjo më e keqe sesa parashikimet.

Pas këtyre të dhënave, Indeksi Nikkei 225 i Japonisë shënoi një rënie me 5,07 për qind duke u realizuar në nivelin e 19.698,76 pikëve, ndërsa jeni u zhvlerësua 1,6 për qind kundrejt dollarit amerikan dhe 1 dollar u këmbyer për 102,6 jenë.

Indeksi Sensex i Indisë ra me 4,2 për qind duke u realizuar në nivelin e 36.005,72 pikëve; Indeksi Hang Seng i Hongkongut ra me 3,58 për qind duke u realizuar në nivelin e 25.215,48 pikëve dhe Indeksi Kospi i Koresë së Jugut ra me 4,2 gjithashtu duke u realizuar në nivelin e 1.954,77 pikëve.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  10.03.2020